Me goditjen e liberalizmit në arte dhe letërsi në vitin
1973, nisën edhe kohë më të vështira për arkitekturën shqiptare. Të shoqëruara
më vonë edhe me ndërprjen e ndihmave nga Kina, investimet për objekte
social-kulturore apo për komplekse banesash kolektive me projekte të veçanta u
kufizuan së tepërmi. Edhe pse numuri i arkitektëve ishte rritur dhe prirjet e përgjithshme
ishin drejt një arkitekture bashkëkohore, mundësitë sa vinin dhe zvogëloheshin.
Projektet më të rëndësishëm të atyre viteve ishin Hotel “Tirana”
në sheshin “Skënderbej”, “Muzeu Kombëtar” po në të njëjtin vend, Hotel Turizmi
në Pogradec, Pallati i Sportit në Korçë dhe më vonë, Pallati i Kulturës në Vlorë,
Instituti i Informatikës në Tiranë, Pallati i Kongreseve në Tiranë dhe Piramida
(Muzeu E.Hoxha).
Hotel “Tirana” edhe pse mbetet brenda një skeme të përdorur disa
herë në atë kohë (një paralelpiped dy katësh me mjediset e përbashkëtad he një
kullë me dhomat e fjetjes) mbetet një shembull me vlerë i arkitekturës
racionale. Autorja, arkitektja Valentina Pistoli kishte punuar edhe në hotele të
tjera me parametra të ngjashëm të racionalizmit,
por për nga shkalla dhe trajtimi, Hoteli në sheshin qndror të kryeqytetit është
më i arrituri. Ai krijon një balancim të mirë, të vëllimit horizontal të
Pallatit të Kulturës, që dominonte deri në atë kohë sheshin kryesor të Shqipërisë.
Raporti i vëllimeve gjeometrike, si dhe materialet e përdorura,
ndikojnë shumë në pamjen e objekteve. Për shembull edhe pse në dukje vëllime
gjeometrike të pastra, tek Muzeu Kombëtar me autorë ark Nina Shehu, ark Petraq
Kolevica dhe urb. Enver Faja, ndjehet një rigjiditet dhe simetri e rëndë.
Efekti në hapësirën e sheshit Skënderbej është i kundërt me atë të Hotel Tiranës.
Eshtë monumenti arkitekturor më “shtypës” në të gjithë Tiranën dhe mund të
krahasohet vetëm me “peshën e zymtë“ të ish Komitetit Qëndror dhe të
Shallavareve,
Me simetrinë dhe ngritjen e vëllimit në qendër, është konceptuar
edhe Pallati i Kongreseve me autorë arkitektët Klement Kolaneci, Vladimir Bregu
dhe Spiro Bakëllbashi. Edhe pse me sipërfaqe të mëdha xhami, ndoshta nisur edhe
nga “rëndësia ideologjike” e objektit, arkitektura e tij nuk ka lehtësinë dhe
transparencën e objekteve të së njëjtës natyrë në vendet perëndimore.
I njëjti grup projektimi (ndoshta edhe me ark. Piro Vason) u
angazhua edhe për muzeun E. Hoxha , i njohur si
Piramida. Objekti edhe pse me pak sipërfaqe transparente, lehtësohet nga
volumet e thyera pas vëllimit të thjeshtë të Piramidës. Ka një rastësi të
projektimit të saj disa vite pas projektimit të Piramidës së Luvrit nga
arkitekti I.M.Pei. Megjithatë natyra e objekteve është shumë e ndryshme dhe të
dy ngjallin interes në një mënyrë të ndryshme.
Pa të drejtë, objekti rrezikoi të prishej disa vite më parë.
Ai mbetet një nga vëllimet e pastra arkitekturore, që e pasuron arkitekturën e
Tiranës dhe nuk është e vështirë, të marë funksione të tjera edhe me ndonjë
shtesë volumore transparente.
Me ndryshimin e sistemit ekonomiko –shoqëror pati një shpërthim
të ndërtimeve dhe të rrymave arkitekturore. Racionalizmi dhe vëllimet
gjeometrike në frymën e Arkitekturës Moderne, dominuan për një kohë të gjatë,
sidomos në Tiranë, nisur edhe nga formimi i kufizuar i arkitektëv shqiptarë dhe
njohja më e cekët se kolegët e avangardës europiane dhe amerikane të
teknologjive dhe materialeve të reja. Ishte e kuptueshme për një vend të
izoluar prej gati 50 vjetësh.
International Style
apo Bahausi mbetën me më shumë ndikim
se sa arkitektura Postmoderne, arkitektura High-Tech apo arkitektura plastike e
Gehry-t.
Përsa i përket vëllimeve gjeometrike në arkitekturën e pas
1990, duhet shkruar më gjatë dhe pasi të shihen dhe fotografohen nga afër
objektet më të rëndësishme të ndërtuara në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.
No comments:
Post a Comment