Kjo përvuajtje për të hyrë në “shtëpinë“ e Europës, si dhe
dashamirësia apo ngurtësia e palëve të ndryshme europiane, të bën të ndjehesh në
mos në pozitat e një “lebrozi”, por të paktën si dikush i veshur jo mirë dhe për
më tepër, që ke edhe “morra”.
Ne këmbëngulim të jemi pjesë e familjes europiane me shpresën
se futja brenda saj do na bëjë “dizinfektimin me DDT”. Jemi të ndërgjegjshëm që
i kemi në trup dhe në kokë “morrat” tona, që janë korrupsioni, trafiqet e drogës,
nepotizmi, mosshkëputja e plotë nga e kaluara komuniste, edukata e pakët
demokratike, etj.
Në 27 vjet jo vetëm nuk ishin në gjendje t’i shkulnim plotësisht
nga trupi i shoqërisë sonë, por në vitet e fundit, disa syresh u shtuan së tepërmi
dhe vetëm një “qethje” e plotë e “flokëve politike dhe juridike” mund të bëjë të
mundur zhdukjen e tyre.
E megjithatë nga brenda vendit ne kemi dy lloj qëndrimesh
zyrtare.
I pari është ai i qeverisë, “që vërtet jemi morracakë, po jo
aq sa na quani ju!”
I dyti është ai i opozitës, që pranon gjendjen e keqe të
pjesëve të leshta të trupit të shoqërisë sonë dhe për këtë fajëson qeverinë,
por këmbëngul për negociatat dhe pranimin se kështu “mund të përdorim gjithë
mjetet e luftës ndaj parazitëve, që posedon Europa higjenike”.
Ka edhe një qëndrim të tretë, të pashpallur të një pjese të
shoqërisë “Aman të futemi që t’ja mbathim nëpër Europë dhe mos ja shohim më sytë
kësaj vatre morrash!”
I çuditshëm dhe në kategori më vete është qëndrimi i Gramoz
Ruçit, i cili jo vetëm nuk e pranoi çështjen e “morrave” që ngritën disa
deputetë hollandezë, por dhe ju tha flakë për flakë: “Morra të këtij lloji keni
pasur e keni ju, se tek ne në kohën e shokut Enver nuk ekzistonin, bile burrave
as nuk ju lejoheshin të mbanin flokë të gjata!”
Por edhe vetë Europianët janë shumë të dyzuar në hapjen ose
jo të negociatave. Një pjesë thonë se ju “kemi sjellë me shumicë krëhëra, sapunë
dhe dizifenktues dhe ende me parazitë jeni në kokë!” Këta përfaqësojnë edhe
pjesët më ksenofobike europiane, që i tremben zgjerimit të Europës, nga frika e
prekjes nga “parazitët” tanë.
Ka edhe një pjesë më realiste dhe më dashamirëse, që është
gati të mbyllë një sy për hir të parimeve kristiane të “d’asyle” dhe të na
ofrojë një odë në shtëpinë europiane edhe pse i di kusuret tona.
Sa do të mundohen ta komplikojnë politikanët tanë ç’ështjen
e hapjes së negociatave dhe të anëtarësimit në Europën e bashkuar, ajo e
banalizuar është e tillë: Ne nuk na pranojnë jo se jemi të varfër, por se në
kokën e shoqërisë kemi “morra”!
Ndoshta po të ishim më të vetëdijshëm dhe më të sinqertë me
veten, në fillim do pastroheshim për të hyrë dinjitozë në Shtëpinë Europiane.
Nuk kemi qënë në gjendje ta bëjmë ndaj tani kërkojmë të na
pranojnë në gjendjen , që jemi.
“Të rreptë (dikur) bijt e shqipes…na pranoni tani edhe
morracakë!”
No comments:
Post a Comment