(vijim)
Tirana ishte fatlume, që duke qënë një kryeqytet i zhvilluar
mbi bazën e një qyteze, të konceptohej në pjesët kryesore të saj nga arkitektët
Italianë prej fundit të viteve ‘20 dhe deri në fillimin e viteve ’40.
Interesante është se kjo përkon me zhvillimin e arkitekturës fashiste në Itali,
e cila bashkëjetonte dhe konkuronte me arkitekturën futuriste. Ndikimi i madh i
Antonio Sant’Elias nuk shtrihej vetëm në arkitektët e futurizmit, por edhe në përfaqësuesit më të shquar të arkitekturës
fashiste. Ndaj në ndryshim me arkitekturën e vendeve me ideologji totalitare si
Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, ndërtimet e asaj periudhe në Itali i largohen
monumentalitetit butaforik. Në to ka shumë racionalizëm dhe pastërti vëllimesh
dhe sipërfaqesh.
Tek kompleksi i sheshit përballë Universitetit (sot sheshi “Nënë
Tereza”) vëllimet e pastra gjeometrike dominojnë të gjithë kompleksin edhe
shkallaret e shumta bëjnë të humbasë disi efekti i tyre dhe të shtohet ai
monumental. I konceptuar si një forum romak, por me theks
kulturoro-administrativ, kompleksi në fjalë mbetet më i menduari dhe i formuluari
mirë në 100 vitet e ekzistencës të shtetit shqiptar dhe të arkitekturës së “kultivuar”.
Në të njëjtën frymë racionale dhe moderne, si vëllime të
thjeshta gjeometrike apo kombinim syresh, janë edhe Kryeministria dhe Hotel “Dajti”,
si edhe të quajturat ‘pallatet e aviacionit”. Duke përjashtuar këto të fundit,
të gjitha janë projekte të arkitektit italian Xherardo Bozio, i cili për fat të
keq, vdiq në moshën 38 vjeçare.
Këto përbënin “piketa” solide për të patur një Tiranë
mesdhetare dhe njëkohësisht moderne, por, që për arsye të shumta “devijoi” më
vonë nga ky lloj orientimi arkitekturor.
Por, në atë kohë në Itali, ekzistonin edhe studio të tjera,
që ndiqnin parime të tjera, si neoklasiçizmi dhe eklektizmi. Njëra prej tyre,
ajo e arkitektit Florestano Di Fausto, duke patur edhe lidhje të forta me
Musolinin, u angazhua nga mbreti Zog për të gjitha projektet e ministrve, të
vilave mbretërore në Durrës dhe Shkodër dhe ndërtesës së Bashkisë së Korçës.
Qoftë në konceptimin vëllimor, si dhe në trajtimin e planimetrive dhe fasadave,
ato mbeten të ndikuara nga stilet e Neo-Renessaince
dhe Eklektik dhe janë të ngjashme me
shumë ndërtime të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shek XX-të në
gjithë qytetet e Europës.
Si e kam përmendur në shkrime të tjera, në rastin e Bashkisë
së Korçës, fasadat u riprojektuan në përputhje me një frymë racionale, që
mbizotëronte në qytet, duke u zhveshur nga të gjithë detajet e orderit
neo-klasik, me të cilat janë të mbushura godinat e ministrive. Duhet theksuar,
që Di Fausto ishte një arkitekt me emër dhe me prodhimtari të habitshme, me
projekte të realizuara në ishujt Italianë të Egjeut, Libi, Tunizi dhe Etiopi, përveç
projekteve të shumra në Itali.
Thuajse e njëjta dukuri u vu re në projektet e degëve
të Bankës Kombëtare në katër qytetet e mëdha shqiptare të Durrësit, Shkodrës,
Korçës dhe Vlorës. Ndërsa tre ndërtime janë thuajse identike, me elementë të
Neo-Renesansës, projekti i Bankës së Korçës ka një trajtim , që bashkon
Racionalizmin me elementët e arkitekturës tradicionale të Korçës. Objekti
mbetet edhe sot, më moderni dhe më imponuesi në qytet. Të gjitha janë vepra të
arkitektit italian Vitorio Morpurgo, i cili është autor edhe i ndërtesës qëndrore
të Bankës Kombëtare në Tiranë, një nga ndërtimet më interesante në të gjithë
territorin e Shqipërisë.(vijon)
No comments:
Post a Comment