Sot fillon Kampionati Botëror i Futbollit, ose si e quanim në
rininë tonë, Botërori. Kishte një llloj madhështie në emriin që përdornim, i
cili ishte njëkohësisht edhe mbiemri cilësor.
I mrekullueshmi, i paarritshmi,
emocionuesi, drithëruesi – Botërori.
Ishte e vetmja ngjarje, që na bënte si gjithë qytetarët e
botës. Si theshte i ndjeri Taqi Veriga në vitet ’70, “Ne e matim jetën tonë me
kampionatet botërore!”. Kur mbyllej një kampionat do kishim katër vite monotone
në pritje të kampionatit tjetër. 7-8 muaj pas mbylljes vazhdonin me zënkat se
cili ekip e meritonte më shumë, se kujt I ishin bërë favore, se cili vend i
kishte lojtarët më të mirë dhe se si ekipi për të cilin bënim tifo, do ja
tregonte qejfin kundërshtarëve pas katër vitesh. Dhe kështu ndodhte edhe 7-8
muaj para se të niste. Grindeshim për lojtarët, ju vinim epitete lojtarëve të
ekiëpeve të tjera, bënim parashikime nga më të çuditshmet deri sa 2-3 muaj më
parë, shpërndaheshin disa blloçka të vogla me kalendarin e ndeshjeve, që nuk
gjendeshin lehtë dhe nuk dihej se kush i shtypte. Ndoshta punëtorët e
shtypshkronjave, pasi mbyllej një sy nga drejtuesit e tyre. Ishte gjë e madhe të
kishe në xhep një kalendar të ndeshjeve.
Në Korçë, Botërori i parë i ndjekur plotësisht dhe më
magjiku ishte ai i vitit 1974. 4 vite më parë numuri i aparateve televizive në
qytet ishte jo më shumë se 10, ndaj pjesa më e madhe e qytetit nuk kishte
mundur t’i ndiqte në televizion ndeshjet e kampionatit të Meksikës.
Brenda 4 viteve, sidomos në dy të parët të “ethes së
televiziorëve”, korçarët kishin kërkuar matanë Atlantikut t’ju dërgonin
televizorë dhe një pjesë e mirë e të afërmve ja u kishin plotësuar kërkesën dhe
qyteti i shte mbushur me aparate të markava Fanola, Gruding, Saba ,
Filips dhe të tjera më pak të dëgjuara. Prej 1972-shit kishin nisur edhe
shitjet(me autorizim) të aparateve të montuar në Durrës, që ishin të markave
Iliria dhe Adriatik.
Lajmi , se Tirana do i jepte të gjitha ndeshjet ishte i mirë
për ata , që kishin mbetur pa asnjë lloj vibratori të madh të fshehur në pemë
apo nën çati. Kishte muaj që ishte në funksionim të plotë aksioni për heqjen e
antenave të kanaleve të huaj, si pjesë e fushatës së “luftës ndaj shfaqjeve të
huaja dhe ndikimeve borgjezo-revizioniste”. Qyteti, që deri në qershor të vitit
1973 kishte zgjatur antena nga më të çuditshmet mbi shtëpi dhe tarraca, ishte
detyruar të “priste flokët metalike”, ashtu si ishin detyruar djemtë të
qetheshin më shkurt dhe të prisnin ‘favoritat” ndërsa vajzat të hiqnin dorë nga
minifundet.
Megjithatë, ndeshjet preferonim t’i shikonim nga “jugosllavi”,
se Tirana jo vetëm që kishte komentatorë të dobët, por ulte edhe zërin e
thirrjeve në fushë dhe ndeshja dukej si “memece”.
“Tifozët” atë vit ishin ndarë në kampet tradicionalë, “gjermanë“,
“hollandezë“, “brazilianë“ dhe pak “italianë“. “Brazilianët” bënin tifo edhe për
gjithë amerikano-latinët, ndërsa një pjesë e “hollandezëve” pëlqenin edhe
Jugosllavinë e atij viti. Disa tifozë anakronikë të rusëve bënin tifo për
Poloninë dhe Republikën Demokratike Gjermane.
U duk që në ndeshjet e para, se futbolli europian dhe
sidomos ai hollandez do triumfonte. Ekipet e bazuar në teknikën individuale, si
Italia, Uruguaj dhe Argjentina u larguan shpejt. Futbolli atletik total fitoi përfundimisht
qytetarinë. Që prej Hungarisë të vitit 1954, nuk ishte parë ekip aq dominues sa
Hollanda e atij viti.
Mes sherreve të tifozëve korçarë duke nisur nga të rriturit
e deri në fëmijët, kampionati “magjik” u mbyll me fitoren e vendasve, Gjermanisë
Federale, e cila kishte arritur kulmin e saj dy vite më parë, duke luajtur
taktikisht mirë, me racionalitet dhe e mbështetur nga publiku i saj, arriti të
mposhte tulipanët e mrekullueshëm të Johan Krojfit. Trishtimin e asj finaleje
nuk e kam provuar më kurrë në një ngjarje sportive. Si unë edhe qindra përkrahës
të atij futbolli të bukur, të paparë në atë nivel deri në atë kohë.
Brenda atyre katër viteve do kishte në Shqipëri vetëm “goditje
të grupeve antiparti”, “ashpërsim të luftës së klasave”, gjyqe politike dhe
internim të të pafajshmëve.
Futbolli ishte “droga” jonë për të larguar nga mendja sa më
shumë pyetjen “Përse?”.
Dhe “droga” më e fortë ishte ajo e Botërorëve.
No comments:
Post a Comment