Një brengë, e cila nuk më ndahet prej vitesh, është suksesi,
që kishte arritur Diktatura në “programimin e mendjeve” tona. Nuk ishte bërë në
një ditë dhe as nga një grusht njerëzish, por kishin kontribuar në të edhe njerëzit
e mirë, prindrit tanë, mësuesit e përkushtuar, artistët dhe filozofët. Të gjithë
ata, që duhet të ndihmonin të zhvillonim brenda vetes mendimin e lirë, që është në bazën e ekzistencës reale të njeriut
dhe të zhvillimit të tij.
Diktaturat janë të tilla.
Ato arrijnë të kthejnë kokëposhtë “botën e të vërtetave” dhe
të servirin si të natyrshme, ide, mendime, sjellje, të cilat kur i shikon një
njeri me formim normal i duken qesharake. Një gjë e tillë na ndodh sot, kur
shohim përkushtimin e thellë dhe të ndjerë të koreanëve ndaj nipit të Kim Ir
Senit dhe njëkohësish bir i Kim Il Sungut.
Edhe pse nuk ka një të Vërtetë të vetme të kulluar, sepse shumë
dukuri dhe ngjarje perceptohen ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Por edhe nëse
nuk ka një të Vërtetë të pastër, ka një të “Vërtetë rezultante”, që është
shumatorja e të gjithë “të vërtetave individuale”.
Problemi, që pse nuk arrijmë në një “të Vërtetë rezultante“ është
se jo të gjithë njerëzit thonë të vërtetën , që kanë në mendjen e tyre. Këtu nis problemi i madh që ka
shoqëria njerëzore sot, ose që ka pasur vazhdimisht.
Njerëzit mund t’i ndajmë në dy kategori të mëdha. Në lehtësisht
të manipulueshëm dhe të manipulueshëm. Kategoria e tretë, manipulatorët, nuk është se dinë gjithshka apo se kanë monopolin e
së vërtetës. Deri diku edhe ata mund të futen në të manipulueshmit, por me
ndryshimin se kanë pushtet shumë më të madh se një i manipulueshëm i zakonshëm.
Ka një prirje për të mbivlerësuar shkollimin e njerëzve, si
mjet për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur mundësinë e manipulimit të
tyre. Eshtë e gabuar, sepse me sistemin e shkollimit shtetëror fillon
manipulimi i mendjeve në shkallë të gjerë. Gjatë periudhave të Diktaturave
është vënë re se më fanatikët dhe më “trushpëlarët” janë ata, që kanë njëfarë
shkollimi.
Edhe në ditët e sotme, pre e propagandaës audio-vizive dhe
asaj të shkruar janë më së shumti ata që kanë shkollime të cekëta ose mesatare.
Njerëzit e thjeshtë, që kanë mësuar të vërtetat bazë të jetës në familje nuk
mund t’i manipulosh aq lehtë.
Duhet thënë, që kjo nuk duhet kuptuar si luftë ndaj arsimit
publik, por si domosdoshmëri për të reformuar rrënjësisht sistemin e edukimit
të fëmijëve dhe të të rinjve.
(vijon)
No comments:
Post a Comment