Kthimi i Zogut me përkrahjen financiare të Pashiçit dhe me
trupat e tij dhe një batalion rusësh të bardhë shënon fundin e demokracisë të
brishtë shqiptare. Largimi për në Itali i kundërshtarëve politikë, dënimi i
tyre në mungesë me dënime të rënda dhe futja në burg e atyre, që nuk u larguan,
solli antagonizmin e tij të plotë me pjesët e shoqërisë shqiptare, që kishte mbështetur
rebelimin e qershorit. Ai tashmë ishte një udhëheqës autokratik që për të mos
rrezikuar pushtetin e tij personal organizoi edhe vrasjet e Luigj Gurakuqit dhe
Bajram Currit, me të cilët kishte bashkëpunuar më parë në përpjekjet për të bërë
Shqipëri.
Periudha midis dy luftrave botërore në gjithë Europën ka qënë
një periudhë e vështirë për demokracitë perëndimore. Në Itali, në fund të vitit
1922, Musolini kishte ardhur në fuqi me një “grusht shteti paqësor”, në Spanjë
më 1923 ishte vendosur pas një grushti shteti Diktatura e Primo de Riveras,
Republika e Vaimarit në Gjermani po kalonte kohë të vështira, në Jugosllavi
Nikola Pashiç qeveriste me dorë të fortë dhe në favor të sërbëve ndaj etnive të
tjera, në Greqi përveç luftës me turqit
në Azinë e Vogël, kishte një përplasje të fortë mes ruajalistëve dhe përkrahësve
të Venizellos, ndërsa në Turqi, Ataturku po luftonte të stabilizonte Republikën
“ushtarake” turke. Vetëm në Republikën Franceze kishte një demokraci më
funksionale, por edhe atje Presidenti Mileran (Alexandre Millerand) i kishte
shpëtuar për një fije atentatit, ndërsa atentate kishte patur ndaj Musolinit,
Venizellosit, Ataturkut dhe politikanëve të tjerë europianë.
Në funt të vitit 1923, Hitleri u mundua me grusht shteti të
merrte pushtetin në Bavari dhe dështoi, më 1924 fashistët italianë vranë deputetin
socialist Matteoti, më 1929, Mbreti Aleksandër i Jugosllavisë vendosi Diktaturën
ndërsa më 1935, përkrahësit e Venizellosit u munduan të kryenin një grusht
shteti.
Në këtë panoramë të përgjithshme, asnjë fuqi e huaj nuk mund
të shihte shtrembër qeverisjen me “dorë të fortë“ të Ahmet Zogut. Edhe Shtetet
e Bashkuara, që fillimisht mbështetën Nolin, pas njohjes nga ana e tij e
Bashkimit Sovjetik, u detyruan të mbyllnin një sy ndaj politikanit ambicioz
matjan, të cilin nuk e kishin pasur me sy të mirë.
Më 1925, për të mënjanuar Këshillin e Regjencës, Zogu
shpalli Republikën Shqiptare dhe u zgjodh President. 3 vjet më vonë, pa pasur
asnjë lidhje me të qënit prej gjaku mbretëror, në një vend ku nuk kishte
aristokraci, por veç familje me tituj “bej”, të dhëna nga Perandoria Otomane,
tituj që rinovoheshin ose jo çdo vit, në varësi të shërbimeve, që i bëheshin
Turqisë.
Të qënit monark e vendoste Zogun në një pushtet të përjetshëm
edhe pse monarkitë europiane nuk e njohën ndonjëherë si dikë me gjak mbretëror.
Tashmë në mënyrë të ligjshme, Zogu mund të përfitonte nga buxheti i shtetit
shqiptar. Dhe në një kohë të shkurtër mbreti dhe familja e tij, si dhe oborrtarët
u pasuruan së tepërmi. Një burim tjetër të ardhurash ishin ryshfetet e mëdha, që
Zogu merrte nga të huajt , të cilëve ju jepte koncensione për të shfrytëzuar
burimet nu atyrore të vendit. Një pjesë e mirë e tyre ishin kompani italiane,
vend ndaj të cilit Zogu filloi të ndjekë një politikë gati të “dyerve të
hapura”, e cila e bëri më të lehtë pushtimin Italian të vitit 1939.
Ai pati meritën e vendosjes së rendit në Shqipëri nëpërmes çarmatosjes
së popullsisë, proçes ky i realizuar para se të bëhej mbret. Në një vend të përçarë,
ku ekzistonte hakmarrja dhe bandat e cubave dhe hajdutëve bënin kërdinë,
vendosja e rendit në një kohë të shkurtër ishte një realizim i jashtëzakonshëm.
Gjithashtu futja e një legjislacioni europiano-perëndimor në drejtësi dhe në
fushat e tjera të jetës u bënë bazë për një modernizim të mundshëm të shtetit
shqiptar.
Për shkak të politikës së koncensioneve, Zogu nuk ndihmoi në
industrializimin e vendit.
Por dëmi më i madh që i solli vendit dhe shoqërisë shqiptare
ishte goditja , që i dha elitës intelektuale dhe politike, si dhe jetës
demokratike të vendit. Duke përdorur një thënie të Kerenskit “Pa Rasputinin nuk do kishim Leninin”,
mund të thuhet me bindje se “ pa Ahmet Zogun nuk do kishim Enver Hoxhën”.
Zogu e la vendin pa parti politike dhe pa një pjesë të mirë
të elitës së saj, shumë prej të cilëve u kthyen në atdhe pas pushtimit të
Italisë dhe ose u vunë në shërbim të saj ose nuk u morrën më me politikë. Kjo bëri,
që komunistëtë të krijonin partinë e parë politike, të organizoheshin dhe të
merrnin frenat e lëvizjes patriote antifashiste, të cilën në fund e kthyen në lëvizje
për të marrë pushtetin.
Për shkak të aleancave me Duçen, Zogu nuk u mbështet nga
Fuqitë e mëdha në momentet e pushtimit më 1939, por edhe gjatë dhe pas luftës,
për ta rikthyer në pushtet.
Historia e tij politike u mbylll më 7 prill, ndërsa vazhdoi
një jetë mbretërore në mërgim, me paratë e fituara gjatë drejtimit të Shqipërisë.
Si përfundim mund të thuhet se ai i dha shumë atdheut, por
mori jo pak prej tij. Ende sot, trashëgimtarët e tij vazhdojnë të kenë pronat të
vëna në mënyrë të ligjshme, por pak si tepër të dyshimtë.
Zogu ishte politikani më i suksesshëm shqiptar i shekullit të
XX-të, që fitoi pushtetin nëpërmjet votave, por që e mbajti me anën e një gjysëm
monarkie dhe gjysëm diktature.
Eshtë e vështirë të vesh në balancë të mirat, që i solli
vendit me të këqijat.
Ai nuk ishte një politikan i dimensioneve të Musolinit,
Venizellosit apo Pashiçit, por edhe pse me një formim të cungët arsimor dhe
kulturor diti të konsolidojë dhe ruajë kufijtë e shtetit shqiptar.
Edhe pse nuk mund ta quaj Naltmadhëni, duhet të pranoj se
ishte prijësi i mirë i shqiptarëve për
20 vjet me rradhë.
No comments:
Post a Comment