Mes këtyre piketave kryesore të jetës dhe mbretërimit të
Zogut në Shqipëri ka shumë beteja me armë me të huajt, prapaskena, atentate të
dështuara dhe të suksesshme, diplomaci dinake dhe lëshime të pajustifikuara,
ligje të natyrës europiane dhe mënyra qeverisjeje anadollake, vjedhje të hapura
dhe të kamufluara të shtetit, aleanca politike të vjetra dhe të reja, përpjekje
për krushqi politike dhe aventura të shumëllojta me femrat, përfolje për fëmijë
illegalë dhe vetëm një trashëgimtar. Mund të thuhet se jeta e Ahmet Zogut ka qënë
më e larmishmja se e të gjithë politikanëve të sukseshëm shqiptarë të shekullit
të XX.
Gjithashtu ajo duhet të shihet si e pandarë nga hedhja e
bazave të një administrate shqiptare, të shkëputur plotësisht nga tradita e
administratës turke të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të
XX.
Historia e Shqipërisë prej vitit 1910 e deri në vitin 1924(që
përkon edhe me formimin e Zogut si patriot dhe politikan) është e sunduar nga
kaosi, rrjedhojë e logjikshme e përpjekjeve për tu shkëputur nga Turqia dhe për
të krijuar një shtet shqiptar, që nuk ekzistonte më parë dhe detyrimisht nuk
kishte asnjë lloj tradite. Patriotët e Rilindjes kishin bërë një punë kolosale
për ngjizjen e ndërgjegjes kombëtare dhe krijimin e gjuhës së shkruar dhe
shkollave shqipe. Këto kishin shpënë në kryengritje të pjesshme të shqiptarëve
ndaj sundimit ottoman gjatë luftrave ballkanike, që patën një kulmim me
Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, por përsëri ishte larg Mëvetësia e Shqipërisë
dhe sidomos qeverisja e saj nga shqiptarët. Në të njëjtën kohë me qeverinë e
Ismail Qemalit (e quajtur e Vlorës) ekzistonte qeveria e Esad Pashë Toptanit (e
quajtur e Durrësit) dhe pjesë të tjera, që ishin ose të paqeverisura nga njeri
ose nën kontrollin e vendeve fqinjë.
Megjithëse nip i Esad Pashë Toptanit, Zogu diti të
rrjeshtohet me forcat më progresiste shqiptare, që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë
në Vlorë. Edhe gjatë “turbullirave” të periudhës së mbretërimit të Princ Vidit,
Zogu asnjëherë nuk u përfshi në intrigat e Esad Pashës, që përpiqej të rrëzonte
nga brenda qeverisjen e princit gjerman. Në të kundërt, ai udhëhoqi forcat, që
shkatërruan rebelimin e forcave pro-turke të Haxhi Qamilit, më vonë ato të sadistëve
etj. Forcat e drejtuara prej tij ju patën bërë rezistencë të vendosur ushtrive
sërbe.
Përkrahës i austro-hungarezëve, Zogu konsiderohej prej tyre
si ambicioz dhe jo plotësisht i kontrollueshëm dhe pasi u ftua në krye të një
delegacioni në kurorëzimin e perandorit të Austrisë në vitin 1917, u mbajt i izoluar
në Vienë deri në përfundimin e e Luftës së Parë Botërore. Dy vitet e Vienës
duhet të kenë qënë vitet që kanë vënë përfundimisht një “vulë“ perëndimore në
matianin e ri, që deri më atë kohë njihte vetëm disa vite studimesh në një
shkollë ushtarake në Stamboll. U kthye në Shqipëri 23 vjeçar me një reputacion
të një patrioti guximtar dhe të panjollosur, që kishte bërë shumë për mbrojtjen
e vëndit. Për ta ilustruar mjafton një citat i marrë nga një shkrim i Nolit për
Ahmet Zogollin, në “Dielli” i shkurtit 1916:
“…Mati është i vetmi
vend i Gegërisë, që nuk u shkel nga sërbi as në luftën ballkanike, as në luftën
europiane…Kur të shkruhet plotësisht historia e këtij trimi malësor, i cili i rrethuar
prej armiqësh nga të gjitha anët, qëndroi si shkabënë mallet e tij dhe nuk iu
unj as sërbit, as Esatit, as u korruptua nga ryshfetet e armiqëve, bota do të këndojnë
me çudi dhe admiratë një epokë heroike , që kapërcen atë të kalorësve të qëmotshëm.”
(vijon)
No comments:
Post a Comment