Dy vitet e para pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore,
që përkojnë me Konferencën e Paqes në Paris, kanë qënë vitet më delikate në
historinë e formimit të shtetit shqiptar dhe konsolidimit të Mëvetësisë të tij
brenda kufijve, që njohim edhe sot. Fuqitë e huaja si Italia dhe Franca kishin ende
ushtritë e tyre në territorin shqiptar dhe po kështu edhe grekët sërbët në pjesë të veçanta të vendit. Si vend
i paformuar mirë dhe neutral gjatë Luftës së Parë, Shqipëria jo vetëm nuk ishte
në tryezën e fitimtarëve, por rrezikonte të humbiste troje favor të aleatëve të
Antantës, Italisë, Sërbisë dhe Greqisë, sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të
vitit 1915. Qeveria e dalë nga Kongresi i Durrësit i vitit 1918, kongres i organizuar
nga italianët, me kreun e saj Turhan Pashën po bënin një përfaqësim tepër të
zbehtë të shqiptarëve në Paris ,
si në bisedime zyrtare dhe në takime private. Në të njëjtën kohë, Esad Pasha
rivalizonte me delegazionin e Durrësit duke u paraqitur si Udhëheqësi i vendit
dhe përfaqësuesi i tij i vetëm. Vetëm qëndrimi i presidentit Wilson shpëtoi Pavarësinë e Shqipërisë. Eshtë
domethënës për qëndrimin e Fuqive të Mëdha shprehja e kryeministrit anglez Lloyd
George drejtuar presidetit Wilson :“
Vërtet nuk e di se ç’mund të bëjnë ata(shqiptarët)
me Pavarësinë, veç të çajnë barqet me njëri tjetrin!”
Gjatë kësaj periudhe, Zogu qëndroi në krahun e patriotëve më
të vendosur, që kërkonin një Shqipëri të plotë, që të përfshinte edhe Kosovën.
Ishte në organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjës të janarit 1920, i cili
i kundërvihej Qeverisë së Durrësit e cila ishte nën ndikimin italian dhe e
mbrojtur nga trupat italiane, që kontrollonin pjesën më të madhe të Shqipërisë
së sotme. Zogu u zgjodh ministër i brendshëm në qeverinë e Sulejman Delvinës
dhe ishte i vetmi, që me trupat e tij shkoi në Tiranë, për të kryer funksionet
e ministrit, në qytezën e vogël, që posa ishte shpallur kryeqytet nga kongresi.
Në fund të vitit 1920, Konferenca e Parisit njohu pavarësinë
e shtetit shqiptar brenda kufijve të vitit 1913, që shënon Pavarësinë e vërtetë
dhe pikënisjen e shtetit shqiptar.
Ahmet Zogu ishte tashmë një në tre - katër politkanët më të
fuqishëm dhe më karizmatikë shqiptarë. Si do e cilësonte Ekrem Vlora “Një bej i ri, jo shumë i pasur, por
padyshim më shpresëdhënësi në krahun politik konservator”.
Si ndodh në të gjitha demokracitë e reja, përplasja e
liberalëve me konservatorët në Shqipëri ishte thuajse një betejë për jetë a
vdekje, që i tejkalonte debatet e ashpra parlamentare apo luftën në shtyp. Në të
dy krahët nuk mungonin karrieristët dhe aventurierët, që jo vetëm manipulonin
votimet, por nuk ndaleshin as në komplotet për të vrarë kundërshtarët politikë.
Ishte një dukuri, që vërehej jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.
Zogu si ministër i brendshëm ishte padyshim në qendër të prapaskenave që bënte
krahu konservator dhe në shënjestër të krahut të demokratëve. Në shkurt të
vitit 1924, Valter Beqiri plagosi në Kuvend Zogun në përpjekje për ta vrarë, si
ishte vendosur në një rreth të ngushtë të drejtuesve të “Bashkimit”. Shorti mes
Beqirit, Avni Rustemit dhe një të treti, i kishte rënë të parit. Avni Rustemi,
moshatar me Zogun, kishte përkrahje të madhe në rininë antizogiste, falë
atentatit, që i kishte bërë në qershor të vitit 1920, Esad Pashës në Paris . Dy muaj më vonë,
njerëzit e Ahmet Zogut, organizuan vrasjen e Rustemit në Tiranë, që shënoi
kulmin e përplasjes politike të të dy krahëve. Varrimi madhështor i Avni
Rustemit në Vlorë, u bë pikënisja e përmbysjes së armatosur të qeverisë
legjitime të Vrionit në qershor të vitit 1924. Luigj Gurakuqi, politikani më i zoti
i së majtës, pat këmbëngulur, që mos kryhej rrëzimi i qeverisë me dhunë, por
Noli dhe të tjerët vendosën ta kryenin, gjë që solli largimin e Zogut në Sërbi.
“Revolucioni i Qershorit” ishte grushti i shtetit i tretë, pasi patën dështuar
më 1921 dhe 1922, dy të tjerë nën drejtimin respektivisht të Hasan Prishtinës
dhe Bajram Currit. Në këtë pikë, Ahmet Zogu nis shndrimin e tij të plotë në një tiran, që
për të siguruar pushtetin e tij mund të përdorë çdo lloj mjeti, nga aleancat me
ish-armiqtë e tij dhe të Shqipërisë e deri në vrasjet e kundërshtarëve më të
shquar politikë të tij.
(vijon)
No comments:
Post a Comment