Wednesday, 14 February 2018

Edhe njëherë Dita e të Dashuruarve

Dita Tregëtare e të Dashuruarve arriti sërish. Ditët e të Dashuruarve janë çdo ditë.
E megjithatë edhe ky refren është i ripërsëritur, se njerëzit vazhdojnë ta festojnë tërë ngazëllim edhe këtë ditë. Në çift, në grup dhe në kolektiva pune. Eshte më mirë të shtiresh si i dashuruar se sa jo. Gënjen veten, të afërmit dhe ata, të cilëve ju bëhet vonë për ty.
Ata, që dashurohen vërtet këtë ditë me të dashuruarit, janë argjendarët, shitësit e luleve, tregëtarët e bonboneve, të veshjeve intime dhe pronarët e restoranteve.
Sidomos argjendarët! Tek ta, këto ditë blihen dhurata, që mund të fshihen lehtë në xhepat dhe makinat e burrave të pabesë. Një varëse për gruan dhe një byzylyk për “loçkën e zemrës”. Më të vështirë e kanë ata, që kanë disa “loçka”. Nuk është vetëm punë kostoje , por Shën Valentini bëhet edhe një ditë me rrezik të lartë demaskimi.
Tradhëtojnë vetëm burrat?
Sigurisht, jo vetëm ata. Eshtë një aritmetikë e vështirë të provosh se vetëm burrat tradhëtojnë. Mbase mburren më shumë se gratë për tradhëtitë e tyre.
Për të mos dalë krejtësisht nga tema, se Shën Valentini është mbrojtës i dashurive dhe jo i tradhëtive, mbase më mirë se të blesh një palë “intime” seksi për të dashurën në këtë ditë, do ishte më e vlefshme të blije një qiri për fratin e mençur, që ishte nga parët martirë të krishtërimit në Perandorinë Romake.
Ndonjë ateist mund të më hidhet në grykë, duke më thënë “Po edhe të vetmen festë me zanafillë fetare, që është kthyer në laike, do ta rikthesh në një festë të gënjeshtër?”
Hmm…duhet të mendohem pak para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Ndoshta vërtet ka shumë e shumë festa përkujtimore shënjtorësh, ndaj nëse një të tillë e kemi nxjerrë nga rituali i hyrjes në kishë, puthjes së ikonave dhe ndezjes të qirinjve, nuk prish asnjë punë.
Por të gjith ne (dhe nuk e kam fjalët vetëm për shqiptarët) dëfrejmë shumë dhe mendojmë pak. Ka kohë, që jemi kthyer në “derra të kënaqur”, që zhytemi sipas xhepit që kemi, në alkol, gostira, të kënduara histerike, bixhoz, çingene e të tjera kënaqësi të jetës hedonike.
Duket se për burrat, ëndrra është të jenë sulltanë, ndërsa për një pjesë të grave, të jenë si Sabrina Ferili, që do të ketë një “harem me burra”. Një jetë është!
Kjo botë do ishte shumë më e mirë, po të dëfrenim pakëz më pak dhe të mendonim pakëz më shumë.
Po ndoshta është e pamundur se jo të gjithë kanë organe për të menduar dhe askujt nuk i mungojnë ato të dëfrimit.
Le të dëfrejmë!

Eshtë Dita e të Dashuruarve!

No comments:

Post a Comment