Tek ky dyfjalësh më shkoi mendja sa pashë këtë foto nga e
kaluara jonë. Ishte një shprehje, të cilën e përdornim në shtëpi, por me një
ngjyrim disi qesharak. Nuk ja kam ditur kuptimin e vërtetë idiomatik në
turqisht dhe nuk e kam pyetur tim atë, por thjesht e kisha futur në fjalorin
tim, duke e ditur që fjalë për fjalë e përkthyer ishte “Dashuri e zezë“.
Nuk di nëse kjo foto është e inskenuar apo e vërtetë. Ishte
pak e vështirë të fotografoje në vitet ’80, një skenë të tillë “propozimi
dashurie”. E megjithatë është e goditur.
Them me siguri, që është e viteve ’80, se veshja ushtarake është
tipike kineze, me gambale të lidura me këpucët. Në vitet ’70, përdornim ende
uniformat tona të kopjuara nga sovjetikët, me “gambale’ të veçanta dhe kapele
bustinë. Gjithashtu modeli i qethjes të “garipit” propozues është me flokë mbi
vesh dhe favorite të shkrurtra. Sa për mjedisin rrethues, ai është si në vitet ’20
të shekullit të kaluar.
Mundohem t’i gjej me mendje një melodi, që i shkon kësaj
kara sevdaje dhe mendja më shkon në Mia Martini me “Uomini”, por fjalët “…da sognare di andar via/ Con il primo che ti
capita/ E che ti dice una buggia” më duken si shumë të thella për dy “gjynahqarët”
tanë dhe sidomos për kohën, edhe pse kënga e Martinit është e të njëjtave vite.
Por ne rronim në një kohë “të kithët” me kohët e të tjerëve.
Nuk di nëse duhet të ndjej më shumë keqardhje për gjashtëmbëdhjetë
vjeçaren, që ende nuk është rritur sa duhet për të bërë dashuri, apo për
garipin me bluzë të lëshuar, të veshur me qindra herë dhe me pantallona
teritali. (Mbi të gjitha më bën për të qeshur një çelës i vogël, që i varet pas
prapanicës dhe që nuk arrij të kuptoj nëse është çelës biçiklete kineske apo
ndonjë çelës magazine fshati. Eshtë detaji më i bukur i gjithë fotos, e cila është
thuajse e përsosur në kompozimin dhe në hollësitë e saj.)
Mashkulli 27 vjeçar, duket i sigurt në këto punët e
marrjemendjes të adoleshenteve. Qethet një herë në tre muaj në berberi i lokalitetit,
por di disa citate të shkëputura nga librat e Eseninit, që kopjoheshin dorë më
dorë në ushtri, dhe me to mund të ta turbullojë mendjen. Mbi të gjitha ka edhe
një bluzë të prodhimit të huaj (të jashtme), që mund t’ja ketë blerë dikujt në
qytet, pasi të zotit të parë i ka dalë nga qejfi.
Por mua më vjen keq për të dy.
Tani kuptoj thellësisht se si na kishin katandisur.
Janë të dy viktima të një sistemi mëse absurd, ku varfëria gërshetohej
me trushpëlarjen, patriarkalizmi me instiktet seksuale dhe injoranca me përbetimet
për dashuri të përjetshme.
Ndoshta do ishte e mjaftë kjo foto, për t’ju treguar në mësimin
e historisë në gjimnaz, të rinjve të sotëm, se ç’ishte Diktatura Shqiptare e
Proletariatit. Nuk ka nevojë as të përmendësh shifra, apo krime politike të
saj.
Mjafton kjo foto, të cilën nuk di se pse e titullova me
mendje “Kara Sevda”.
No comments:
Post a Comment