Pas keqardhjes, që ndjen pasi merr lajmet për dënimin e “Skënderbeut”
të lind edhe një ndjenjë revolte. Jo kundër UEFA-s dhe inspektorëve të saj, por
kundër atyre, që e bënë “Skënderbeun” një emër të njohur në Europë, por jo të
nderuar.
Ekipi ynë i futbollit (dhe futbolli shqiptar në përgjithësi)
nuk ishte i njohur në Europë.
Brenda vendit, ekipi i zemrës ishte i njohur për fitoren e
një kampionati para Luftës së Dytë dhe për futboll dinjitoz dhe të ndershëm
gjatë gjithë kohës.
Nuk patëm shkëlqyer, por edhe për shkak të padrejtësive të
arbitrave, që gjithnjë favorizonin “Partizanin” dhe “Dinamon”, dy ekipet, që mbështeteshin
nga anëtarët e Byrosë Politike.
Patëm disa kulme, një në fundin e viteve ’60 dhe fillimin e
viteve ’70 me trajnerët Ilia Shuke dhe më pas Peço Milen dhe një tjetër në
vitet ’80, kur trainer ishte Leko Pilika. Në këtë të dytin, të gjithë i kishim
kundër-Federatën dhe gjyqtarët, gazetarët me përjashtim të gazetarit shkodran
Besnik Dizdari. Nuk arritëm të dilnim kampionë.
Futbolli korçar gjatë periudhës së tranzicionit pati
periudha të ulje ngritjeve të mëdha. Një herë të vetme, që shkova në stadium në
vitin 2009, u largova pas 20 minutash, për shkak të atmosferës histerike të
sharrjeve në kor, që të kujtonte stadiumin e Vlorës.
Por të dilje kampion ishte gëzim. Të përfaqësoheshe denjësisht
në Europë gjithashtu ishte bukur. Mundohesha të harronja ato që kisha dëgjuar
rreth blerjes së arbitrave apo veprimeve të tjera të Federatës, nga dyshja Bode
– Zeqo. Por thellë vetes mendoja që ky “Skënderbe” nuk kishte më asgjë të
ngjashme me atë të Teli Samsurit, Servet Gorës, Klani Marjanit, Tato Bimblit e
Miço Plluskës. Nuk ishte i ngjashëm as me atë të Koço Dinellës, Todo Vasos,
Leko Pilikës apo me të mëvonshmin e Kaçit, Xhambazit dhe Kërçiçit.
Ishte një “Skënderbe” i pompuar me para, që më shumë se sa për
futbollin ishin të interesuara për favore politike, tendera dhe mbulime të
aferave ekonomike.
Ishte tashmë një “Ridvan-be”, që mund të delte kampion me
lojë por edhe me prapaskena të fëlliqura, ashtu sikundër nuk kishte ndodhur
kurrë në historinë e Korçës.
Dhe në vend , që ko rçarët të njiheshin me cilësitë
europiane, që i kanë karakterizuar në dy shekuj, në kontinentin europian dhe në
botë po njihen si trafikues ndeshjesh.
Jo kjo organizatë futbolli nuk është në thelb korçare, se
nuk gëzon cilësitë e korçarëve.
Ndaj të ngrihesh në mitingje kundër UEFA-s, dhe jo kundër
matrapazëve është miopi.
Korça ka nevojë vërtet për një futboll të bukur dhe të
sukseshëm, për të harruar edhe hallet jo të pakta të periudhës që kalon si
gjithë Shqipëria, por jo për një klub dallkaukësh.
Ja u lini prapaskenat dhe shitblerjet Tiranës dhe Shqipërisë
së Mesme, se kanë qënë gjithë jetën të aftë për të tilla maskarallëqe.
Mundohuni t’i jepni “Skënderbeut” shpirtin e vërtetë korçar
të drejtësisë dhe meritave.
Kujtoj një të djelë të një Kupe Republike të femrave në
volejboll, kur pasi kishim mundur “Dinamon” dhe kishim humbur me një ekip tjetër,
e vetmja mënyrë, që mos merrnim dot kupën ishte, që “Dinamoja”, ekipi më i mirë
në Shqipëri, të humbiste ndeshjen me kundërshtaret tona. Ndërsa bënim tifo për
“Dinamon”, dukej hapur që ato po e linin ndeshjen. Shefi i atëhershëm i klubit
“Skënderbeu”, njeriu më se korrekt Ilia George, po na drejtohej në shkallët “Ikni,
largohuni nga Pallati e mos e shikoni këtë shfaqje të ulët!”
Ky ka qënë shpirti i Korçës. Korrektësia dhe ndershmëria e
Ilia Georges.
Për këtë kemi nevojë dhe jo për Nastradinët që mashtrojnë
për çdo gjë!
Ndryshe portat e Europës gjithnjë do mbyllen!
No comments:
Post a Comment