I gjithë diskutimi kontrovers rreth fatit të Teatrit Kombëtar
(ish Teatrit Popullor) duket se po fashitet pas lëvizjeve spjeguese-mashtruese
rreth projektit nga Erion Veliaj. Robert Ndrenika është një nga “viktimat” e fundit.
Aktori i nderuar e pëlqeu projektin, si ç’mund të pëlqente çdo lloj projekti, që
serviret për të mashtruar.
Nëse do të mos mashtrohesh nga ofiqarët që paraqesin një
projekt, (dhe që kanë një të kaluar me mashtrime të vogla dhe të mëdha) në
takime me ta duhet të shkosh gjithnjë me një arkitekt dhe një avokat. Në të
kundërt, këta mjeshtra të mashtrimit nuk e kanë për gjë të të shesin “sapunin për
djathë“.
Si e ka përmendur analisti Lubonja, historia e prishjes së
teatrit është, që në kohën kur Rama kishte Ministrinë e Kulturës por jo Bashkinë.
Tani i ka të gjitha dhe është momenti për “të zaptuar” një “parcelë të artë“ në
Qendër të Tiranës.
Personalisht jam kundër ruajtjes së godinës në gjendjen , që
është. Eshtë ndërtuar me materiale, që në kohën e ndërtimit konsideroheshin të
përkohshme dhe vlerat arkitekturore i ka minimale. Vërtet ka një histori
shfaqjesh teatrale të sukseshme dhe jetë aktorësh të famshëm, por po aq ka edhe
një histori shfaqjesh bajate, propagandistike, si dhe karriera aktorësh të dobët,
që në kohën e Diktaturës, Instituti i Arteve i prodhonte me shumicë.
Por fati i mirë apo edhe i keq i Teatrit Kombëtar lidhet me
vendosjen e tij dhe pronësinë “pa zot”. Nëse do ndodhej diku afër unazës,
interesimi për ta transformuar do ishte i pakët.
Sepse në rradhë të parë, i gjithë procesi i
studim-projektimit është i bërë i fshehtë dhe pa zhurrmë, sikundër bëhen të
gjitha mënxyrat e Ramë-Veliajt në Urbanistikë dhe Arkitekturë.
Në rast se nuk do kishte qëllime “grabitqare”, e gjitha do
niste me një detyrë projektimi, të cilën Ministria do e hartonte duke u mbështetur
në mendimet dhe idetë e aktorëve, që njohin më mirë se kushdo “vrimat dhe vërushkat”
e një teatri që të funksionojë sa më mirë për çdo lloj rryme të teatrit.
I gjithë projekti është bërë në heshtje, shpesh në dy tre
variante, ku njëri paraqitet për publikun sa për të “hedhur lumin” dhe pastaj
ndërtohet diçka tjetër.
Kam qënë në Tiranë, kur ndërtohej blloku i banimit tek
kinema 17 Nëntori. Pashë projektet e bëra në një studio italiane dhe të
miratuara nga Rama, të cilat jo vetëm e “gëlltisnin” kinemanë, por edhe nga ana
volumore ishin “të përbindshme” për parcelën ku ndërtoheshin. Nuk linin asnjë
hapësirë të përbashkët përreth. Si rrodhën ngjarjet, as kinemaja në “barkun” e
kompleksit me apartamente nuk u realizua.
Ndaj nuk është aspak e çuditshme, që pasi të prishet Teatri,
të sajohen gjithfarë historish, për të kaluar nga projekti, që i pëlqeu
Ndrenikës, në një projekt që kanë në mendje Rama dhe klientët e tij.
Teatri Kombëtar duhet të jetë një ndërtesë e vetme, e
papërzjerë me të tjera, për të ruajtur origjinalitetin dhe rëndësinë e tij si
institucion. Diskutimi rreth tij duhet të jetë i hapur dhe të nisë mes aktorëve
dhe të vazhdojë mes intelektualëve dhe specialistëve, për shkak të veçantisë
dhe vendvendosjes së tij.
Duhet patur kujdes nga spjegimet e Velisë, se jo vetëm është
nxënësi i Ramës në gënjeshtra, por edhe në ndryshim nga “mësuesi” i tij, as
skuqet dhe as zverdhet kur mashtron.
No comments:
Post a Comment