Tuesday, 6 February 2018

“Terra Bio” (Kreu 13 i "X te thyera")

Lauresha Prepi ishte lindur në qytet. Të rriturit, që e kujtonin fëmijërinë e saj e thërrisnin Lauresha, por asaj nuk i pëlqente. Kishte jetuar  shumë vite në Danimarkë me familjen dhe më vonë kishte vendosur të kthehej në qytetin e lindjes. Ishte e bukur. Vitet në vendin Skandinav, ja kishin bërë lëkurën më transparente dhe tiparet e saj të theksuara mesdhetare kishin tashmë një tis delikat fisnikërie. Mundohej të vinte në pah cilësitë e trupit dhe tundej plot hir kur ecte. Atje e quanin të gjithë Lori dhe kështu kërkonte ta quanin edhe blerësit në shitoren e saj “Terra Bio”.
Qyteti nuk kishte pasur kurrë aristokratë dhe si rrjedhojë edhe shumë pak skandale dashurie në të shkuarën. Lorit i dukej çudi se sa fshatarak kishte qënë dikur qyteti i saj i lindjes. Gjithshka si në kohët e lashta, por edhe atëhere kishte inçest.Duhet të kishte patur shumë skandale deri sa kishte edhe dënime me vdekje, ku të gjithë e qëllonin tradhëtaren me gurë.
 Muajt e parë kur ishte kthyer, të gjithë flisnin për një histori të shkurtër të saj me një trafikan vizash greke, që kishte pasur si pikë kulmore një udhëtim dy javor në Francë  dhe Zvicër. Trafikanti i martuar, tregoi tavolinave gjithë hollësitë intime të udhëtimit deri san jë ditë Lori i tha në sy të të tjerëve “Ti nuk di ç’është dashuria e nivelit!”, shprehje që u përhap në gjithë qytetin, aq sa kishte edhe fëmijë, që i thërrisnin rrugës “Loriii,… e nivelit!”. Lori qeshte me ta dhe me të gjithë qytetin, që e dëshëronte dhe e përbuzte njëkohësisht.
Në fillim, kur posa kishte hapur “Terra Bio”, ata, që i afroheshin shitores ishin djem të rinj. Pjesa më e madhe mendonin se nuk do ishte e vështirë ta shtinin në dorë. Edhe pse ajo nuk i druhej një marëdhënie me dikë dhjetë vjet më të ri, askush prej tyre nuk e tërhiqte. Duke qeshur theshte se brezi i të rinjve ishin “gjenetikisht të modifikuar” dhe nuk e ndjente se mund të bënte dashuri “healthy” me ta. Kishte dëgjuar “historinë“ e mësimit të ukuleles dhe ishte bërë shumë kureshtare për mësuesin e muzikës. Kur e kishte takuar, kishte kuptuar edhe pasionin e tij për të rritur pula me ushqime vetëm natyrale dhe nuk kishte hezituar t’I shfaqte interes për ta njohur më nga afër. Kështu kishte nisur marëdhënia e tyre, që për mësuesn ishte tejet romantike, por për Lorin vetëm një marëdhënie kalimtare me një njohës të mirë të muzikës dhe të prodhimeve bio.

                                    *          *          *

Carçafi ishte çuditërisht i bardhë. Një e bardhë vezullonjëse, që dukej se nuk kishte mbajtur brenda trupa njerëzish, por ëngjëj. Edhe zhubra kishte pak. E megjithatë ai e dinte, që ata kishin qënë atje atë natë. I dukej se siluetat e tyre të përzjera ishin stampuar në bardhësinë e të linjtave. Ajo kishte qënë në të djathtë të tij. Me kokat pak larguar.
Afroi fytyrën atje ku dukej se do kishin qënë kryet e saj, por nuk nuk ndjehej asnjë aromë. As ajo, që përdorte prej vitesh dhe as e reja, që kishte nisur të vinte në trup vetëm disa muaj më parë. Atëhere kur kishte nisur të dyshonte.
Ai kishte dyshuar gjithë jetën, por disa muaj më parë ishte trembur. Ndërsa aroma e përhershme, i ishte dukur gjithnjë si flirtuese, si ngacmuese për rrethardhësit e saj, e reja ishte dehësisht qetësuese. Ndaj ishte trembur.

“Ajo nuk kërkon më dikë. E ka gjetur. Ashtu si e kishte ndërtuar në mendje kohë para se të më njihte mua.”

(vijon)

No comments:

Post a Comment