Tuesday, 27 February 2018

Si "vritet" qyteti

Qytetet nuk vriten në një ditë. As në një javë. Mbase ka përjshtime në histori, si rasti i Dresdenit, kur aeroplanët aleatë e bombarduan në mënyrë të pamëshirshme. Dhe lanë vetëm gërmadhat.
Qytetet e tjera “vriten” pak nga pak, jo nga një “kriminel” i vetëm, por nga lakmia e një tufe dhe nga indiferentizmi i të tjerëve.
Po kush e ka qytetin?
Kryetari i Bashkisë me juntën e tij?
Jo.
Qytetin e kanë të gjithë, sepse të gjithë ata, që jetuan ose jetojnë kanë një pjesë të shpirtit të tyre atje.
Qytetit në fillim I vrasin shpirtin. Pastaj, si një qënie pa shpirt, mund ta shfytyrojnë pak e nga pak, pjesëz e pjesëz, për ta bërë ashtu si duan. Një monument të babëzisë dhe kotësisë.
Padyshim duke e lyer me një varak vaniteti, sepse shkëlqimi i rremë nuk duhet të mungojë.
Shpirtin e Korçës e vranë shumë dekada më parë zanatçinjtë e Pazarit. Plaga e padrejtësive shoqërore ja u kishte errur sytë dhe mendonin, që do ishte më mirë me kapanone ku të strehoheshin të gjithë, se sa me vila “kontësh”, vilëza borgjezësh dhe shtëpi të zakonshme qytetarësh.
Shpirti i Korçës pas Pavarësisë të Shqipërisë ishte “ta bëjmë qytetin si Europa”. Ishin njerëz që kishin emigruar dhe donin të sillnin përparimin në vend, ishin tregëtarë që përpiqeshin të fitonin, ishin intelektualë të vërtetë, që merrnin paga të mëdha. Përparim dhe Ndershmëri – ishte Motoja.
Korça, me shpirtin e humbur të saj, me banesat më luksoze të shtetëzuara, me goditjen e inisiativës private, me mbylljen e rrugëve të Amerikës, mund të transformohej gradualisht dhe të bëhej si Lushnja, Peqini dhe pse jo edhe si Gramshi. Pjesë pas pjese, ditë pas dite.
Ishin të pakta zërat, që përpiqeshin ta shpëtonin.
Me të njëjtën frymë, sot, pasardhësit e Partisë të Zanatçinjve (dhe jo vetëm ata), mundohen ta ndryshojnë, sipas intersave të tyre dhe të miqve të tyre, pa u përpjekur t’i rikthejnë shpirtin. Se motoja Përparim dhe Ndershmëri nuk ju shkon për shtat.
Jo pa qëllim përmenda Kryetarin e Bashkisë dhe raportin e tij me qytetin.
Kjo është shtëpia e Vasil Avramit, Kryetarit më jetëgjatë të Bashkisë së Korçës. Eshtë ndërtuar në vitet ’20.
Pas lufte, u transformua gradualisht, duke ju hequr në fillim rrethimi, duke u kthyer në Shtëpi Oficerësh (Bashibozukë) dhe më në fund, nën qeverisjen e Kryetarit modern të Bashkisë, Niko Peleshit, të ndërtohet, kjo ndërtesë as mish as peshk. Pronarët e saj- Goneja i Zapeve, Aleksandër Frangaj dhe me një përqindje të vogël te fshehur Ben Blushi dhe Niko Peleshi.
Në vend të detyrohej kthimi i këtij “xhevairi” arkitekturor të viteve ’20, u “lëshua” ky kallëp sapuni i shëmtuar në shëtitoren, që dikur ka qënë më e bukura e Ballkanit.
Arkitektët lapangjozë pranë qeverisë, i shkruanin dikur një shkrim që firmosej nga zv. kryeministrit Peleshi, se arkitektët korçarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë, janë kundër modernizimit të Korçës, sepse kanë nostalgji për qytetin e kohëve të shkuara.
Ne nuk duam që qyteti të vritet për interesa banale investitorësh injorantë.
Duam, që pjesë pjesë, qyteti të rifitojë shpirtin e tij, modern për atë kohë dhe modern në përjetësi.

No comments:

Post a Comment