Një miku im, shumë vite më parë, e cilësonte “Kam respekt për
ty!- Shprehje tipike prej sarahoshësh”. Jetonim në pallatin mbi Bar Korçën dhe
nga lokali dilnin shpesh të dehur thumb, që rrinin edhe një kohë të gjatë në
trotuar, duke u përqafuar dhe puthur me njëri tjetrin dhe shpesh do dëgjoje mes
lagavitjesh “Kam respekt për ty!” Kishte mes tyre fytyra të njohura
sazexhinjsh, të panjohur të dërmuar nga jeta, që prishnin edhe lekët e fundit të
rrogës, ndërsa në shtëpi i priste gruaja me fëmijët, njerëz që nuk ngopnin dot
barkun me bukë dhe deheshin me një dopio. Por nën avujt e alkolit, respekti
ndaj njëri tjetrit ju rritej në pakufi, edhe pse shumë ndjenja të tjera njerëzore
ju ishin tretur.
I shkova një vështrim diagonal kujtesës sime dhe nuk gjeta të
kisha përdorur kurrë këtë shprehje. Mbase jam nën mesataren e njerëzve në lëmin
e tregimit të repsektit ndaj të tjerëve, por gjithnjë kam menduar se respekti
nuk mund të shprehet me fjalë, por me qëndrim, sjellje, ndihmë apo edhe me atë
që quhet “gjuha e trupit” (body language). Nuk mund të mendohet “respekti” për
dikë se është i natyrshëm, i pavetëdijshëm, gati instiktiv.
Një njeri, që gëzon respektin tënd ndriçon që në momentin që
shfaqet.
U futa në Fjalorin e Sotëm të Shqipes, për të parë përkufizimin
e saktë të fjalës “respekt”, të formuluar nga akademikët tanë. Gjeta:
Nderimi që kemi për dikë duke u nisur nga
mosha, nga meritat ose nga cilësitë e tij; qëndrimi me nderim kundrejt diçkaje
të shtrenjtë a me vlerë
Sipas përkufizimit, mund të respektosh edhe sendet apo edhe
vlerat morale e dhjetra ndjenja të tjera apo formulime abstrakte.
(Këtu problemi ndërlikohet më tepër se sendeve nuk mund t’ju
drejtohesh me “Kam respekt për ty!”. P.Sh. nuk më ka shkuar në mendje as të
them “Kam respekt për librin!” se kurrë nuk ve asnjë shenjë të vetme në faqet e
librave. Ka libra që i hedh pasi lexoj dy faqe.)
E megjithatë, unë respektoj
të drejtën e gjithsejcilit për të patur një opinion të caktuar se ç’është respekti dhe se si ta shprehin atë.
Ka që mendojnë se respekti
është një ndjenjë thellësisht reciproke. Nuk mund të repektosh dikë që nuk të
respekton. Eshtë pak a shumë një lloj ndjenje tregu, ku në allishverishe duhet
të jemi të barabartë. Unë të jap pesë grosh dhe t’i në këmbim të tyre më jep
pulën.
Kjo është një nga kuptimet më të vjetra të respektit dhe që haste
shumë në shoqëritë tribale.
(“Ne nuk na kishte vënë në tavolinën kryesore në dasëm, si e
vumë ne që e respektuam!” “Thelën më të mirë të mishit, bishtin e qëngjit, ja
vuri atij tjetrit. Nuk më respektoit!”)
Këto kanë qënë të pranishme në sebepet e popullit tonë respektdashës,
që kujtojnë se vlerat e njerëzve varen nga vendi në tavolinë apo në presidiume.
Për ta mbyllur (në shenjë respekti, për kohën e lexuesit), duhet të them se e vlerësoj atë që
lexon shkrimet e mija edhe pse mund të mos ketë pikën e respektit për mua. Por
kjo nuk ka rëndësi. Ka edhe lexues , që më respektojnë por nuk mund t’ja u
kthej me të njëjtën monedhë.
Pikërisht, sepse nuk është një ndjenjë reciproke!
No comments:
Post a Comment