Në mënyrë të paspjegueshme, të gjithë lidhemi me fije të
forta dashurie dhe adhurimi me qytetin e lindjes. Mundohemi të shprehim
dashurinë dhe adhurimin, por shpesh, nga mënyra e ndryshme si e konceptojmë
raportin , që kemi me qytetin e lindjes, shprehemi në mënyrë të çuditshme, që
nuk përfaqëson dot dashurinë e të gjithëve. Deri më sot, për Korçën mund të jenë thurrur mijra
vargje, të jenë shkruar edhe tregime apo edhe ndonjë roman, por nuk ka mbetur në
ndërgjegjen e gjithkujt vargje si të Lasgushit për Pogradecin, apo prozë si e
Kadaresë “Kronikë në gur” për Gjirokastrën. Ose është bukuria e Korçës më e
mistershme dhe më e papërshkrueshme, ose ende nuk ka pena të afta, që të rrokin
atë çka është e qenësishme, e ndryshueshme, e vibrueshme dhe njëkohësisht e përhershme
në këtë qytet.
Në internet “fluturojnë“ proza poetike për qytetin, vargje të
lira dhe “të disiplinuara’, që dëshmojnë për adhurimin që kanë korçarët për
qytetin e tyre, nëse rrojnë ende atje apo jo.
Nuk më qëllon të has në pjesëza letrare, që të të
drithërojnë, ashtu si më bën të ngjethem kujtimi i ndriçimit të hënës mbi
kalldrëmet, aroma e protomajasë, apo drita e fortë e diellit në perëndim,
ndërsa shëtisja në fundin e “xhirros” para Bibliotekës së Re.
Vargjete një poeti ose poeteshe nga Korça, qëllova t’i
lexoja në internet dhe më sollën këtë shtjellë mendimesh pa më sjellë pranë
qytetin.
Nëse i kam kopjuar mirë ishin thuajse kështu:
C’qytet tjetër pati
fat, ç’tjetër vendlindje
Të mbulohet me kaq
shumë dashuri,
Serenada dhe vargje,
mall e dhimbje,
Korça ime, si e pate
fatin ti!
Ndoshta një strofë poezie apo vjershe nuk është e thënë të
të sjellë pranë qytetin e lindjes, pasi edhe kush e ka shkruar ka shprehur
vetëm një lloj çudie se sa fatlumm ka qënë qyteti i lindjes. Mua, duke
shoqërizuar pa dashje me kujtimet e fëmijërisë, mu duk si dikush me fat, që në
netët e ftohta të dimrit, kur nuk kishim ngrohje, hidhnim shumë kuverta dhe
levenxka për t’u gdhirë sagllam. Një batanije nga ato të kombinatit (dashuria),
një levenxe me xhami (serenata), një nga të Beratit (vargje) dhe nja dy
plefinj(mall e dhimbje). Nuk doje t’ja dije nëse mbuloheshe kaq, edhe sikur të
flije në dhomën më të ftohtë të shtëpisë.
Më poshtë pasonin këto dy vargje:
Prej fëmijëve tënd të
bukur, bij dhe etër,
Prej të zgjedhurve të
rrallë, si askund tjetër
….
Diçka nuk shkon në mendjen e vargjethurrësit/ses, ose në
kokën time, se sa të ndjeja krenari, që mund të isha mes të zgjedhurve të bukur
(pak a shumë si populli i Izraelit, që ishte i zgjedhur nga Perëndia) mua më
shkon në mendje të shtoj vargun e tretë “Si
Petraqi kokëpjepër” (dhe këtë e bëj vetëm për hir të rimës, se i ndjeri Peçi
nuk thirrej kokëpjepër, por kokëftua).
Me një fjalë vargjet më sjellin në Korçë, por në një mënyrë
jo të gjithësishme, por disi komike dhe vërtet është diçka , që nuk shkon, se
edhe unë e dua qytetin tim dhe nuk e gjej në këto vargje.
Por ndoshta duhet durim.
Të tjerë poetë e shkrimtarë janë duke shkruar dhe do
shkruajnë, diçka që të jetë thjeshtësisht e madhërishme për qytetin tim.
Deri atëhere do më duhet të kënaqem me dy vargje të vjetra,
që kapin më mirë një atmosferë “eternale” të tij. Nuk di nëse autor është Petro
Dula:
Bulevardi i Korçës ka
vajza pa masë
Dalin e shëtisin pa
lejën e mamasë…
No comments:
Post a Comment