Tuesday, 27 February 2018

A mund t’i tregojmë “vendin” Amerikës?

Eshtë e mundur. E kemi bër qysh prej vitit 1946 e deri më 1990. I treguam se nuk ja kemi nevojën, se nuk na i bën syri tërr dhe se mund ta demaskonim sa herë të na thoshte rradakja jonë.
Edhe pse një autosugjestionim prej të marri, jo vetëm udhëheqja jonë u ndje e fortë dhe barabartë në atë kohë me Amerikën, por edhe një pjesë e mirë e popullit.
Disa reminishenca të asaj kohe, kanë mbetur ende tek një pjesë e politikanëve dhe analistëve tanë, edhe pse sot e dinë se ç’është Amerika dhe ç’përfaqëson.
Gafa më e madhe antiamerikane e këtij mijëvjeçari, mbetet deklarata e Edi Ramës në CNN gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, kur në mënyrë aspak diplomatike, kryeministri i një vendi të vogël, që nuk njihet nga shumica e amerikanëve, ju “dha mend”votuesve amerikanë  se “zgjedhja e Trump do ishte fatkeqsi për ta dhe për botën”.
Deklarata ishte arrogante dhe e natyrës të deklaratave të së njëjtës periudhë të Kim Xhong Un. Eshtë interesante të nënvizosh, se as vëllezërit Kastro dhe as Maduro i Venezuelës, nuk i lejuan vetes “t’i hapin sytë popullit amerikan” gjatë fushatës elektorale të vitit 2016. Duket, që udhëheqësi ynë vuan ende nga sindromi i “fanarit ndriçues në brigjet e Adriatikut”.
Në botën e lirë, Amerika respektohet jo vetëm për fuqinë ekonomike dhe ushtarake, por në rradhë të parë për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në Dy Luftrat e Mëdha Botërore, në nxitjen dhe zhvillimin e Demokracisë në botë dhe në përmbysjen e sistemit komunist. Sigurisht, që ka edhe faqe të errëta të historisë së saj, edhe personalitete të dyshimta, por këto në asnjë mënyrë nuk e bëjnë të barabartë as me Kubën e Kastrove, as me Korenë e Kim-ëve dhe as me Shqipërinë tonë. Për më tepër, nuk kemi dëgjuar asnjë politikan amerikan t’ju thotë shqiptarëve se duhet të votoni për këtë individ apo këtë parti.
Në deklaratat e papërgjegjshme ndaj SHBA-së, kanë qënë edhe ato me nënkuptime të Kryemadhit dhe Vasilit të LSI-së, kundër ambasadorit amerikan dhe ndikimit të tij në Reformën në Drejtësi.
Por më absurde mbeten deklarimet e dy analistëve të mirënjohur, që përgjithësisht kanë dëshmuar integritet, por që urrejtja ndaj Ramës i shpie jo rrallë në pozitat e një antiamerikanizmi fëminor.
Fatos Lubonja dhe ish-ministri Ylli Manjani, kanë reaguar në një mënyrë thellësisht absurde ndaj vendimi të Departamentit të Shtetit për të shpallur “non grata” Adriatik Llallën. Pak a shumë , të dy kërkojnë, që DASH të paraqitë faktet mbi të cilat ka mbështetur këtë vendim?!
Departamenti i Shtetit nuk është gjykatë, e cila një “vendim-dënim” të saj duhet ta mbështesë mbi fakte dhe për më tepër, t’i bëjë publike. Një ofiqar të një shteti (me një shkallë të lartë korrupsioni) e kanë deklaruar të padëshrueshëm në vendin e tyre, sepse është përfolur gjërë e gjatë për korrupsion dhe pengim të hetimeve. Për ne, kjo jo vetëm duhet të jetë e mjaftueshme, por duhet të kërkojmë me ngulm, që DASH ta bëjë këtë edhe për të tjerë zyrtarë të lartë shqiptarë, që janë akuzuar hapur për shumë e shumë afera korruptive. Për më tepër, amerikanët janë treguar edhe shumë të kujdesshëm me rastin e Llallës, sepse e kanë bërë shpalljen pasi ai është larguar nga posti, që kishte.
Pikërisht, sepse ruan etikën diplomatike, Administrata amerikane nuk e bën të njëjtën gjë për zyrtarët e zgjedhur shqiptarë, duke nisur nga Ilir Meta dhe Gramoz Ruçi e duke vazhduar me ministra dhe ish-ministra, që sot janë deputetë.
Kurse, dy analistët, të mbështetur edhe nga grupime brenda forcave politike, kërkojnë, që “ta vemë në fronkë“ DASH-in, sepse arbitrarisht ka shpallur të papëlqyeshëm për të hyrë në SHBA, si të korruptuar, Adriatik Llallën?!
Ndoshta historia biblike e Davidit me Goliadhin është nxitëse dhe emocionuese për Lubonjën dhe Manjanin, por ata harrojnë se Shteti Amerikan nuk është armiku i vendit tonë të vogël, por përkundrazi përkrahësi më i madh. T’i tregosh “vendin” është jo vetëm miopi politike, port hellësisht e dëmshme për përparimin e demokracisë në Shqipëri.

Edhe narcisisti Rama, kur ju “vërsul” gjatë fushatës kandidatit Trump, ishte i sigurt se po sulmonte një “kalë humbës” në garë, sepse e njeh madhështinë e Amerikës, edhe pse vuan vetë nga “deliri i madhështisë“.

No comments:

Post a Comment