Monday, 12 February 2018

Për kë bie ky Veting?

“Hamshorët vrapues” të Drejtësisë sonë po kontrollohen nja një sistem “veterinerësh” të vendit dhe të huaj, për të nisur garën e madhe të Drejtësisë së re.
Kështu mund ta karakterizojmë këtë periudhë të Reformës në Drejtësi, që sikundër kanë konstantuar disa analistë, që tani ka nisur te jape frytet e para pozitive.
Adriatik Llalla nuk do të kontrollohet dhe për këtë tërhiqet nga gara.
Besnik Ymeraj, gjyqtar i Kasacionit, dha dorëheqjen për të mos ju nënshtruar Vetingut dhe kjo kërkesë duket se po i plotësohet.
Të tjerë gjykatës në qarqe dhe në Tiranë, janë larguar më parë tinëzisht, ndërsa të tjerë pritet të dorëhiqen.
Po kush i vendosi këta gjyqtarë dhe prokurorë hajdutë në poste kaq të rëndësishme edhe pse dihej që ishin të korruptuar?
C’do ndodhë me anëtarët e Këshillave të Lartë të Drejtësisë dhe ve]anërisht Presidentët, që e katandisën Drejtësinë në këtë gjendje?
Sidomos në këtë mijëvje]ar, ndërsa rryshfetet ndaj gjyqtarëve arrinin shifra marramendëse, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i kryesuar nga Presidenti, që kishte mandatin, degradoi nga viti në vit.
Një rast anekdotik (mes dhjetrave të tjerë) është ai emërimit të gjykatësit të Kasacionit Fatos Lulo. U thirr nga emigracioni në Kanada “për t’i shërbyer atdheut” nga Presidenti Alfred Moisiu, vetëm sepse ishte i biri i “shokut të armëve” te ish-gjeneralit. Pavarësisht inkompetencës së tij të njohur, Lulo, në sajë të shërbimeve ndaj Berishës dhe Metës arriti të bëhej edhe anëtar i trupit më të lartë gjykues në vend.
Por nëse ish-Presidenti Moisiu mund të akuzohet për “syleshësi” dhe jo për korrupsion, jo e njëjta gjë vlen për ish-Presidentin Bamir Topi. Gjatë mandatit të tij, u fol hapur për rryshfete në shifra mbi 100 mijë euro, për të zënë një vend në Gjykatën e Apelit në Tiranë apo edhe më lart. Këshilli i Drejtësisë, ku ligjin e bënte ish-politikani Kreshnik Spahiu, dukej se po kërkonte pjesën e tij mes rryshfeteve , që merrnin gjykatësit për ]ështjet e rëndësishme gjyqësore.
Nuk mund të ketë Reformë të plotë në Drejtësi, pa i shkuar thellë në rrënjë shkaqeve.
Edhe nëse provohen apo jo rryshfetet ndaj anëtarëve të Këshillit të Drejtësisë, për të gjithë gjyqtarët, që do skualifikohen nga vetingu, duhet të ketë veprime juridike edhe ndaj atyre, të cilët i kanë emëruar.
Ky vend është i njohur për Mosndëshkueshmëri.
Askush nuk u dënua me burg për krimet e tmerrshme të Diktaturës.
Po qe se do vazhdohet me mosndëshkim të atyre , të cilët kanë përgjegjësi për katandisjen e Drejtësisë në këtë gjendje, Reforma në mos dështoftë që vitin e parë, do dështojë gjatë rrugës.
Ndoshta nuk është vendi, që “hamshorët e drejtësisë“, që skualifkohen ose tërhiqen, të “tridhen”, por ato, që kanë marrë duhet t’i dorëzojnë.
Gjithashtu, ish- Presidentët, e përlyer direkt dhe indirekt në emërimet abuzive apo në mosmarrjen e masave ndaj të korruptuarve, edhe nëse nuk dënohen për mosveprimet e tyre, duhet publikisht të tregohen si shkaktarë të degradimit të Drejtësisë.
Gongu i Vetingut ka rënë.
Nuk dihet ende për kë.

No comments:

Post a Comment