Thursday, 1 February 2018

Rombikët (3)

(vijim)
-          Pse më pyet? Edhe ti dyshon?
-          …Jo…Po në menunë e tavernës është shkruar në fund, që pulat e tyre janë të ushqyera vetëm me misër…
-          Skifter I, unë kurrë nuk do ja lejoja vetes të shkelja kodin!- tha prerë mësuesi.
-          E di…vetëm po mendoja se ç’provë mund t’i tregoje Sklifterit, që të bindej katërcipërisht se e kanë keqinformuar.
-          Pulat e mia rriten në kushtet e shtëpisë dhe ushqehen vetëm me drithra. Unë nuk tregëtoj pula të gjalla apo të therrura. Ju bëj zjerje të thellë në regjim autokllave. I gjithë produkti, më pas hidhet në vazo 300 gramshe dhe tregëtohet vetëm në “Terra Bio” e Laureshës në Pazar.
-          Ti i bën “Orgakokot”- pyeti jo pak i befasuar mjeku duke kthyer kokën nga mësuesi i muzikës.
-          Po. Produkti më i mirë bio i gjithë zonës!- u përgjigj krenar mësuesi.
-          Po pulat ku i therr?
-          Në ashef.
-          Po ata të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk të hapin ndonjë problem?
-          Jo. Shefin e tyre e kam pasur nxënës.- u përgjigj mësuesi pa lënë shteg për pyetje të tjera dhe më pas shtoi- Të bakllamasë.
Ndërkohë kishin arritur në shtëpia e mësuesit, jo larg qëndrës të qytetit, në oborrin e të cilës rriteshin pulat e “Orgakokos”. Mjeku ishte kureshtar të hidhte një sy në ashefin e mësuesit, por çdo lloj përzjerje në punët personale të një rombiku tjetër ishte shkelje e Kodit.
U përshëndetën dhe vazhdoi rrugën për në shtëpinë e tij duke menduar, se sa pranë shkeljes të rregullave të Bashkimit të Rombikëve kishte shkuar skifteri S.
Kodi kishte mbetur i pandryshuar, që në vitin 1888. Nuk ishte i shkruar por dihej përmendësh nga të gjithë. Nuk mund të bëheshe fajkua, nëse nuk i përgjigjeshe sejcilës pyetje rreth Kodit.
“…anëtari nuk mund të hyjë në allish-verishe me Bashkimin apo me anëtarët e tjerë …”
Ishte një nga pikat, të cilën mësuesi do e kishte shkelur, po qe se tregëtonte prodhime, që konsumoheshin me pagesë nga antarët e tjerë, në mjediset ku dihej se do darkonin rombikët.

Nëse kjo provohej për një skifter ai zbriste menjëherë në rradhët e fajkonjve, ndërsa po qe se ishte fajkua, atëhere dënohej për një vit me “emërfshirje”. Në mbledhjet e fshehta humbiste të drejtën e fjalës dhe votës dhe në takimet e hapura, të gjithë do i drejtoheshin vetëm me “ti”. Në rast përsëritjeje dënohej me “fshirje nga faqja e dheut”, që e detyronte anëtarin të largohej nga qyteti ose vendi, duke humbur për gjithnjë të drejtën e të qënit Rombik.

(vijon)

No comments:

Post a Comment