Monday, 9 February 2015

Psikoanaliza e të varfërve dhe hipokrizia e Ben Blushit

Në një shkrim të sotëm botuar tek Lapsi, shkrimtari dhe politikani Ben Blushi, bën një lloj përshkrimi të varfërisë në Shqipëri, që doli në pah gjatë përmbytjeve të fundit, një përshkrim i gërshetuar me një llojë psikoanalize të masës së madhe të të varfërve në vend, ose më mirë të themi “shtresës së të varfërve”.
Nuk e ve në dyshim vërtetësinë e përshkrimit, i cili ka edhe plot figura letrare, që dëshmojnë për penën e shkathët të shkrimtarit Blushi. Por përshkrimi I tipit të natyralizmit të Zolasë, është i shoqëruar edhe me elementë të mëvonshëm të Frojdit (ndonëse Frojdi përjashton psikoanalizën e shtresave), si dhe me elementë të një analize politike, ku më tepër i rëndohet një teme të përsëritur nga Blushi, asaj të “ndryshimit mes reformave dhe masave”, që duhet të marrë qeveria e një vendi. Pra në një shkrim të vetëm, të cilin nuk mund ta quajmë “esse rreth varfërisë“, Blushi trishtohet si shkrimtar, mundohet të hyjë në lëkurën e “personazhit popull” dhe njëkohësisht të kritikojë si politikan qeverinë dhe të shpalosë disa ide se ç’duhet bërë.
Pra le të themi se Blushi shkrimtar dhe politikan i shpall luftë varfërisë në Shqipëri. E denjë kjo si për një shkrimtar edhe për një politikan të krahut të Majtë.
“Lufta” e Blushit është lufta e politikanit, që tashmë është në fuqi, jo thjesht për dinjitet dhe shpresë të të varfërve, por për “të mos i humbur”. Padashur hipokrizia klasike e një politikani shqiptar dhe sidomos e një politikani të së Majtës, tradhëtohet duke dëshmuar se përse i duhen Politikës të Varfërit. I duhen për vota.
Ndaj “lufta e zgjuar” e Blushit është në pozicion të kundërt me politikën e qeverisë Rama, e cila duke mos bërë reforma, nuk po ushqen iluzionin tek të varfrit se jeta mund të përmirësohet, pra për t’i patur për votat gjatë zgjedhjeve lokale dhe më vonë akoma për zgjedhjet e vitit 2016.
Duhet cilësuar në rastin më të mirë, si “vrazhdësisht qesharake” raporti i një shkrimtari dhe politikani të majtë me shtresën më të madhe dhe me të dobët të shoqërisë. Gjithnjë flamujt e të Majtës kanë qënë ato të ngritjes së nivelit të të mjerëve, të barazisë të njerzve në të drejtat e tyre, i shpërndarjes më të mirë të të mirave materiale, i rolit më të madh të qeverisë në përmirësimin e jetës së më të dobtëve. Blushi jo vetëm , që nuk e ndjen dhimbjen e të varfërve, por në filim e ve veten në rolin e psikoanalistit për të kuptuar se ç’kërkojnë  ata dhe cili është raporti i tyre me shoqërinë. Një njeri , që nuk ka kuptuar alfan e asaj çka të paktën dy shekuj , që thuhet e shkruhet në gjithë mitingjet , librat dhe gazetat e botës, nuk ka se si t’i përkasë të Majtës.
Blushi politikan thotë pak a shumë, se të varfrit janë të zhgënjyer nga NE, duke kuptuar me “ne” politikanët shqiptarë.  Eshtë interesante të shikosh se sa në distancë ai e sheh veten me shtresën e varfër. Dihet, që Blushi nuk është I varfër dhe kjo jo në sajë të rrogave apo librave të tij, por nga që ka përfituar shumë nga ato përfitime, që sjell politika në Shqipëri. Privatizime me çmime qesharake për miqtë e tij, ku është edhe vetë bashkëpronar, ndërtime në zona delikate për tu ndërtuar në Tiranë e në Korçë, ku i janë dhënë përqindje ose edhe vetëm “rryshfete të majme” për sigurimin e lejeve të ndërtimit dhe të tjera akrobacira të këtij lloji. Kjo është sipash Ben Blushit një lloj “mikro real politike”, e cila nuk ka ndonjë gjë të keqe të bëhet, por vetëm pa harruar t’ju ‘hedhim edhe ndonjë thërrime të varfërve”. Deputet i disa legjislaturave, prefekt, ministër, disa kohë në figurat kryesore të së Majtës, Blushi nuk ka kurajon të thotë se “jemi ne , që krijuam këtë lloj sistemi në Shqipëri dhe jemi ne të gjithë, që duhet të largohemi nga politika, për gjendjen, që kemi krijuar”.
Jo. Ai zgjedh të vazhdojë të jetë një hipokrit, që shet moral, ose dhe nëse nuk e bën hapur këtë, ju kujton kolegëve të tij, që “duhet të ndryshojmë diçka, që mos i humbim të varf[rit”.
Politika në Shqipëri ka humbur jo vetëm të varfrit , por edhe shtresën e mesme, edhe të pasurit, që duan të krijohet një shoqëri e ndershme me rregulla loje shumë më të mira, se këto që kemi. Për shkak të mungesës së kulturës dhe traditave demokratike, shtresat dhe grupet e shoqërisë shqiptare nuk jnë në gjendje të organizohen dhe me votë të dërgojnë në shtëpi përfundimisht Berishën, Bashën, Ramën, Metën dhe Blushin.

Ndaj edhe duartrokiten ende psikoanalizat e “krokodilit” Ben Blushi.

No comments:

Post a Comment