Thursday, 5 February 2015

Sa gjatë mund të rezistojë pushteti i bandave? (3)

(vijim)
Këto shoqëri, që në masën më të madhe të tyre merreshin me blegtori, e më pak me bujqësi dhe zejtari, si dhe një pjesë e mirë me të ardhura nga shërbimet ushtarake në ushtrinë osmane, do karakterizoheshin nga pjesë të copëzuara, pa kohezion, që në përgjithësi i trembeshin njëra tjetrës, ose më në rastin më të thjeshtë ishin dyshues ndaj njëri tjetrit. Në to mungonte koncepti i solidarizimit, apo ai i ndërtimit të institucioneve, sepse e tillë ishte natyra e shoqërive. Pushtetin qëndror të Turqisë e shihnin si një pushtet të huaj, që i kishte ngarkuar me taksa, të cilave mundoheshin t’ju shpëtonin, por që njëkohësisht edhe mund t’ju shpërndante ofiqe dhe përfitime. Jo më kot edhe pushteti qëndror turk, ofiqet e bejlerëve, mbi të cilat kishte bazuar sistemin ekonomiko-shoqëroro-politik në Ballkan, i rinovononte çdo vit. Titulli jo vetëm , që mund të hiqej nëse nuk i shërbeje si duhet pushtetit qëndror, por mund t’i kalonte fisit tjetër, me të cilin kishe qënë në armiqësi.  
Lëvizjet rebele të armatosura kudër pushtetit qëndror, deri në shekullin e XIX-të nuk kishin karakter patriotik(si mund të quhen në historitë zyrtare të vendeve të Ballkanit), por ishin lëvizje fisesh apo krahinore për të mos paguar taksa. Në to mungonte koncepti i revoltës për një jetë të organizuar më mirë apo për një shtet më të përparuar. Ishin lëvizje të mosbindjes, që kur arrinin të fitonin përkohësisht, sillnin zëvendësimin e pushtetit ottoman me anarki ose me mungesë pushteti. Më të organizuara u bënë në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të në Serbi, Greqi dhe Bullgari, por në bazën e tyre në pjesën më të madhe ishin çetat e kaçakëve, kleftëve dhe pirateëve të ishujve rreth Peloponezit. Kryengritja greke(ose i quajturi revolucioni grek) kishte në përbërjen e ushtrisë së tij, si forca kryesore goditëse, bandat e grekëve, arvanitasve dhe vllehëve, të cilat nuk luftonin për një shtet modern, por për pushtet dhe për përfitimet material, që sillte pushteti. Në klasën politike greke të shekullit të XIX, mbizotëronin klanet me një të kaluar shumë të dyshimtë.

Në trevat shqiptare, gjithshka zhvillohej më ngadalë dhe në mënyrë më konservatore. Kishte kundërshtime psh ndaj reformave të Tanzimatit, të cilat përbëjnë përpjekjen më positive për të modernizuar shtetin turk.  Kundërshtimi i tyre ishte thjesht për t ruajtur privilegjet e vjetra të bejlerëve dhe të fiseve të lidhura me ta, për të mos lejuar vjeljen e taksave nga nëpunësit turq, por për të vazhduar të vileshin nga bejlerët e zonës. Rebelimi i tyre nuk ishte as patriotik, as i ndonjë ideologjie tjetër dhe as përpjekje për të krijuar një administratë lokale të pavarur nga Turqia. Ishte një lëvizje për t’i lënë gjërat sikundër kishin qënë për dekada. Të trumbetuar në historinë tonë zyrtare si patriotë të klasit të parë(ashtu sikundër bëhen edhe për heronjtë e të njëjtës kohë në historitë e tjera zyrtare të Ballkanit), Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali , Celo Picari e të tjerë, mund të kujtohen si udhëheqës bandash rebele, që nuk i trembeshin pushtetit perandorak, por asgjë më tepër se kaq.
(vijon)

No comments:

Post a Comment