Wednesday, 4 February 2015

Sa gjatë mund të rezistojë pushteti i bandave? (2)

(vijim)
Në trevat e Ballkanit me popullsi shqiptare, shkalla e zhvillimit ishte akoma edhe më  e ulët. Duket, që shqiptarët ose janë munduar më pak se të tjerët të zhvillojnë zonat e tyre, ose kanë pasur një koncept më të gjerë të botës se të tjerët. Dua të them, që edhe pse kanë marrë pjesë në pushtetin turk më shumë se popullsitë e tjera, kanë bërë më pak përpjekje për të ndërtuar rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe institucione në trevat e tyre. Një arsye mund të jetë edhe terreni shumë i aksidentuar, që kërkonte më tepër mjete financiare për investime, apo edhe mungesa e një “strumbullari’ ideologjik, por fakti është, që të gjithë vezirët apo ofiqarët e tjerë shqiptarë apo me origjinë shqiptare, kanë ndihmuar pak ose aspak vendlindjen e tyre apo tokën e të parëve. Si rrejdhojë, vendbanimet kështjella, që kanë qënë në gjithë Ballkanin bërthama të krijimit të qyteteve më të mëdha, ose u zhvilluan pak ose u braktisën. Shekulli i XIX, që ishte për gjithë Europën shekulli i artë i zhvillimit të shkencës e arteve, për trojet e banuara nga shqiptarët ishte shekuli i hapave pas. Disa dekada më parë kishte marrë fund edhe qyteti i Voskopojës me Akademinë e tij, që ishte në shekullin e mëparshëm ndoshta qendra arsimore më e përparuar e Ballkanit Jugor.
Shoqëria në gjithë Ballkanin Jugor ishte e një strukture fisesh dhe fshatrash, kryesisht në zona ku mund të mbroheshin lehtë nga grabitjet, që mund t’ju bënin fiset me të cilët ishin në armiqësi apo bandat e shumta të kaçakëve dhe kleftëve. Turqit, me garnizonet e tyre siguronin rrugët kryesore të karvaneve, por në pjesët e tjera njerzit duhet të mbronin vetë familjet dhe pronat e tyre, ndaj dhe pjesa dërmuese e popullsisë ishte e armatosur. Trimëria dhe burrëria ishin cilësitë kryesore dhe me të kërkuara në një botë me pak bollëk dhe me shumë pasiguri. Si e tillë, lidhjet farefisnore dhe kushqitë ishin të domosdoshme për tu ndjerë i mbrojtur. Bëhet fjalë për zonat ku njerzit jetonin të lirë dhe të pavarur dhe jo për pjesët e fushave apo cifligjeve të mëdha, ku siguria  garantohej nga bejlerët e mëdhenj mbi çifçinjtë e tyre, që ishin thuajse bujkrobër.
Në vendbanimet më të mëdha, marëdhëniet ishin të ngjashme, por kishte filluar dukuria e copëtimit të superfamiljeve patriarkale, në familje më të vogla, që rritin pavarësinë e individit nga fisi, por gjithsesi nuk e shkëputin atë nga detyrimet, që ka ndaj “oxhakut kryesor”.

Popullsitë nomade (vllehët dhe romët) gjithashtu ishin shumë të varur nga lidhjet e gjakut dhe nga miqësitë , që krijonin me fise të tjera vendase. Në pjesët e bregdetit, lundrimi kishte mbetur në përgjithësi vetëm me mjete të vogla dhe porte natyrorë, dhe kryhej kryesisht peshkim dhe pirateri, duke përjashtuar zonat e Adriatikut dhe Jonit, që kishin qënë nën Republikën Veneciane.
(vijon)

No comments:

Post a Comment