“Jam shumë skandinav për këtë vend”, ka thënë në një
intervistë menjëherë pas zgjedhjeve kryeministri Rama.
“Jam shumë milioner për këtë vend”, ka qënë një deklaratë e
përsëritur e Kokëdhimës në një rubrikë të para disa viteve në gazetën tij(ose më
mirë nënteksti i këshillave të tij).
“Jam shumë trim për këtë vend” duket se është ajo, që
deklaron ditët e fundit Tom Doshi.
Të tre personalitetet e mësipërm, kanë një gjë të përbashkët.
I përkasin shumicës politike, që qeveris vendin.
I pari kryeministër, i dyti “kryeministër në hije” dhe i treti
vetëm në hije.
Kanë edhe një gjë tjetër të përbashkët. Të tre mburren.
Mburrja është një cilësi më shumë ballkanase se skandinave, por edhe
kryeministri jonë “shumë skandinav” e ka me tepri mburrjen.
Por duket se këtë rradhë i ka hasur sharra në gozhdë me një
mburravec më të madh, i cili pasi “ka mundur Berishën dhe Jozefinën” deklaron
se “do i nxjerrë themelet qeverisë të Kryeministrit”. Në mënyrë të çuditshme,
kryeministri nuk reagon si do reagonte një homologu i tij në Danimarkë apo
Finlandë, por zgjedh të dëgjojë mburrjet e Kokëdhimës “lema mua këtë punë se e
rregulloj unë me Tomën”.
Vazhdimi i ngjan një përzjerje të një telenovele amerikano-latine
me një serial të tipit “Sopranot”, ku i gjithë opinion publik shqiptar ndjek nëpërmjet
mediave, se ç’lloj isharete i bën Toma Edit, si i përgjigjet ky Tomës dhe sa
efektiv është Kokëdhima në ndëmjetësim. Gazetarët ndjekin makinën e Kokëdhimës
dhe përgjojnë restorantin ku drekon me Tomën, duke hamendësuar se ç’po i ofrohet
Doshit për të mbyllur gojën veç drekës me menu dhe verëra të zgjedhura.
Pas drekës milioneri Koço deklaron se Toma është thjesht
ballkanas dhe si fryhet shpejt edhe do shfryhet shpejt. Asgjë më tepër se kaq.
Uniteti rreth kryeministrit “shumë skandinav” është më I fortë se kurrë, në sajë
të mënçurisë dhe gjakftohtësisë të deputetit “shumë milioner”.
Po epiteti “bukëshkelës”, që në malsinë nga vjen Doshi është
fyerja më e rëndë?
Thjesht politikë.
Të tre janë shumë politikanë për këtë vend.
Fundja dhe njerëzit, që rrinë në rradhët e gjata për të paguar
energjinë elektrike duhet të kenë me se të merren.
No comments:
Post a Comment