Mediat tona nuk gjasin me një grup mafioz, por ka një
sjellje të tyre të përsëritur, që të
kujton “Omerta” të mafias siçiliane. Ndryshimi qëndron në faktin që Omerta
ndalon bashkëpunimin me policinë dhe organet e hetimit edhe në rastet kur i dëmtuari
mafioz ka qënë në prag të humbjes së jetës ose ka humbur njerëz të afërm të
tij, kurse “Omerta” e Mediave shqiptare nuk është kundër bashkëpunimit me policinë,
por është kundër qëllimit themeltar të tyre- informimit të opinionit publik.
Brenda disa viteve, kanë ndodhur disa aksidente shumë të rënda,
që kanë sjellë humbje jetësh dhe heshtje të Mediave. Rasti i gazetarit Peka është
i fundit, pas atij të drejtuesit të Top Channel Dritan Hoxha dhe i gazetarit
politikan Sokol Olldashi.
Të gjithë kanalet televizivë, gazetat, të varura e të
pavarura, bile dhe ato, që kanë rubrika thashethemesh, nuk përmëndën, ose u
munduan të fshehin praninë e një të aksidentuari të dytë, vajzë, në makinën e
gazetarit apo pronarit të gazetarëve.
Po përse ndodh kjo me mediat në Shqipëri?
Për të treguar se janë pushtet i fortë dhe e mbrojnë njëri
tjetrin?
Nuk ka gjasa të jetë i tillë, se historia e 25 viteve të
shtypit të lirë ka treguar, që shprehja “korbi korbit nu ja nxjerr sytë“ nuk
vlen për mediat dhe gazetarët tanë. Jo rrallë janë përfshirë në sulme me
sharrje e fyerje ndaj njëri tjetrit duke treguar mospërmbajtje apo mungesë
minimale etike.
Po si spjegohet, që një gazetar drejtues i një emisioni investigativ,
që dërgon kamera të fshehta lart e poshtë përfshirë këtu edhe ndaj një ministri,
që ka shkruar vazhdimisht në shtyp, për të provuar mungesën e integritetit të
tij moral, bën ç’është e mundur për të fshehur një devijim moral të shefit të
tij të vrarë në aksident?
Kjo është shumë më shumë se përdorimi i standarteve të
ndryshëm.
Eshtë sëmundje e një media më të prapambetur se shoqëria në
të cilën jeton. Gazetarët, analistët, drejtuesit e Mediave nuk e kanë për turp
të shkojnë lokaleve, të udhëtojnë jashtë shtetit me të dashurat e tyre(në shumë
raste me diferencë të madhe moshe) edhe pse në shtëpi kanë gra dhe fëmijë. Në
ta mishërohet koncepti i shoqërisë “maço”, ku nuk mund të konsiderohesh
mashkull i rëndësishëm po qe se nuk ke një ose disa marëdhënie jashtëmartesore.
Dhe detyrimisht do reflektojnë prapambetjen e një shoqërie me mentalitet “maço”,
ku mëkati edhe duhet për tu mburrur, por edhe nuk duhet të dalë në publik zyrtarisht.
Vajzat, viktima të aksidenteve, janë të dënuara të ndëshkohen
jo vetëm nga vdekja apo plagosja , por edhe nga heshtja me përbaltje. Askush nuk
përpiqet të gjejë në këtë dukuri, një problem të madh të shoqërisë sonë. Atë të
diskriminimit të femrave dhe të mungesës së shanseve të barabarta për karrierë.
Shumë vajza, të arsimuara dhe të talentuara, shpesh i gjejnë
rrugët e profesionit të mbyllura nga meshkuj të rëndësishëm, që kërkojnë, që
karriera të kalojë nëpër shtretërit e tyre. Një pjesë nuk arrijnë t’i shpëtojnë
tundimit apo humbjes së shpresës dhe përfundojnë të “damkosura”, ose në rastet
ekstreme, si këto të përmendura më lart, të dënuara me turp përjetësisht. Në
mbrojtje të tyre nuk ngrihen as femrat gazetare.
Informimi i publikut ka lindur si përpjekje për të
mbrojturit të dobëtit nga fuqiplotët. Kodi i Heshtjes i atyre që duhet të
informojnë bën pikërisht të kundërtën. I fundos të dobëtit gjithnjë e më thellë
duke treguar me heshtje, se bota ka qënë dhe do jetë gjithnjë e atyre, që janë
pjesë e pushtetit.
No comments:
Post a Comment