Wednesday, 18 February 2015

Cilat janë problemet e Shqipërisë në këto dhjetë ditë?

               Tani, që duket se ka kaluar përmbytja nga lumejntë,me të gjitha ç’ka shkatërron e merr me vete(mirë që ne nuk kemi parti të quajtur “Lumi” si në Greqi, se parti lumëmëdha kemi), sipas mediave shqiptare, duket që në vend ka vetëm dy probleme: Atentatet me tritol dhe ambasadori i Vatikanit. Të duket se po i zgjidhëm këto dy problem kaq të mprehta, gjithshka mund të shkojë lehtë deri në filimin e fushatës elektorale ose asaj të supersharjeve.
                Mediat shqiptare janë gjithnjë e më të varura dhe ato pak gazeta apo portale, që duken më të ndershme dhe të pavaruara, vrapojnë pas asaj ç’ka sjell zhurrmë dhe diskutime.
                Rasti i Zhitit është më tipiku. Nuk mbeti politikan pa folur dhe analist pa shkruar, a thua se po të fillonte punë poeti dikur i persekutuar në Selinë e Shenjtë, të paktën problem fetare, probleme mes Presidentit dhe Kryeministrit  apo problemet ndërkombëtare , që janë në dorë të Vatikanit nuk do i kishim më. Një zhurrmë boshe, që më shumë dëm se kujtdo, i sillte të shkretit Zhiti tashmë në zi, por që edhe ai nuk diti se si t’i shmangte. Të gjithë politikanëve shqiptarë, në pushtet apo në opozitë, ju pëlqejnë këto lloj rrëmujërash. Ata nuk duan të flitet për gjendjen ku ka shkuar ekonomia në këto 5 vjet, nuk duan të hapen rastet e vjetra dhe të reja të korrupsionit, duan të harrohen krimet e 20 viteve të fundit, duan të mos analizohet thellë se cilët janë shkaktarët e shkatërrimit të shoqërisë shqiptare. Mediat me qëllim apo edhe nga vrapimi pas gërrmëreve mbajnë avazin e tyre.
                Rasti i atentateve të realizuara apo të parealizuara me tritol ndryshon shumë nga rasti Zhiti, por dhe ai paraqitet vetëm nën këndvështrimet e politikanëve , që akuzojnë njëri tjetrin për implikim, pa patur asnjë fakt dhe pa dëshmuar në organet, që duhet të merren me këto punë. Korit, sot i ishte bashkuar edhe Kryegjyqtari Zaganjori, i cili bënte një krahasim aspak të logjikshëm mes një shteti ku nuk sigurohet rendi dhe Diktaturës (Një rast tjetër i një njeriu të drejtësisë, që duhet të dijë se kur të flasë dhe ç’farë thotë). Të tjerë bëjnë paralele me vitet e Plumbit në Itali. Dhe përsëri mund të them se zhurrma me tritol, më shumë ju intereson politikanëve shqiptarë dhe mediave të lidhura haptazi me ta. Atentatet me tritol, nuk ju ngjasin aspak atyre të kryera në Italinë e viteve ’70. Ajo ishte një luftë mes dy ekstremeve politike, në të cilët përziheshin edhe segmente të shërbimeve të fshehta, për të lëkundur republikën jo  të fortë italiane. Krahu i Majtë me idenë e nxitjes së një Revolucioni Proletar, ndërsa ai i Djathtë për të rikthyer Diktaturën Fashiste. Përpjekjet me tritol në Tiranë ose edhe në qytete të tjera nuk kanë asnjë motiv ideologjik. Për më tepër, qytetarët e thjeshtë nuk ndjehen të kërcënuar prej tyre. E dinë, që në rastin më të keq, janë kërcënime të mafiozëve, të cilët i njeh kushdo, ndaj njerëzve të Rendit, që në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e “çorbës së qelbur”, të krim- politikës në Shqipëri.
                Pasi të kalojnë edhe disa ditë, të tjera “probleme fishekzjarre” do debatohen në mediat shqiptare, duke ju ndenjur larg raportimeve investigative, analizave politike- ekonomike apo nismave moralo- shoqërore, për të ciat ka aq shumë nevojë Shqipëria. Eshtë koha, që gazetarët të vihen në pararojë të shoqërisë shqiptare për të kërkuar ndryshime rrënjësore. Pushteti i Katërt është i vetmi, që nuk mund të ndryshohet as me ligje dhe as me reforma. Ndryshimin e kanë në dorë vetë ushtarët e këtij pushteti-gazetarët.




No comments:

Post a Comment