Kjo ka qënë deklarata e
shkrimtarit dhe veteranit të Luftës, Miço Kallamata, në një intervistë të
pranverës së vitit 1991, dhënë gazetës lokale të Korçës. Deklarata ishte për
Partinë e Punës, e cila në atë kohë qe
në fillimet e të ashtuquajturit transformim në një Parti të së Majtës
Europiane. Miçoja e shikonte të ardhmen politike të vendit, të përcaktuar nga
ky kusht. Njohës i mirë i “lojtarëve” kryesorë të frontit Nacional Clirimtar, i
marëdhënieve me Jugosllavët dhe prishjes me ta, i luftës mes klaneve brenda
Partisë Komuniste, ish- komisari i Brigadës së XX-të, i larguar plotësisht nga
jeta politike, përmbysjen e sistemit e shihte si ngjarjen më të rëndësishme të
Historisë shqiptare, por për të patur një jetë politike normale ose të ngjashme
me atë të Perëndimit, si domosdoshmëri shihte shpërbërjen e Makinës famëkeqe të
Partisë së Punës. Ide të ngjashme me të kanë shprehur më vonë të mënçur të tjerë
të letrave shqipe, si Dritëroi në thënien e tij “Ju nuk rinovoheni” të qeshorit
1991, apo Kadareja në Prill të vitit 1996, kur i kërkonte PS-së të rrinte
vulletarisht në opozitë edhe për katër vjet.
Edhe pse mund të duket absurde po naïve sot, kur PS-a është
në pushtet dhe duket më e fortë se kurrë, nëse ka diçka, që mund të ndihmojë
shoqërinë shqiptare është shpërbërja e Partisë Socialiste. Makina e vjetër
shtypëse e Partisë së Punës, me ndërtimin e saj vertikal, me mungesën e plotë të
jetës demokratike, me spiunimet dhe kundërspiunimet, me mbledhjet me presidiume
dhe të deleguar është vetëm një makinë e modifikuar për të mbledhur vota dhe për
të sjellë në qeverisje(sundim) grupin drejtues. Duhet pranuar, që të njëjtin
model jo-demokratik përshtatën edhe partitë e posakrijuara, një vit ose dy pas
formimit të tyre.
Po ç’farë dobi do i
sjellë vendit shpërbërja e PS-së?
Duke qënë vendi më i varfër në Europë, elektorati i majtë do
jetë edhe për disa dhjetëvjeçarë, ai që do përbëjë shumicën e zgjedhësve
shqiptarë. Problemet e mbrojtjes të të Drejtave të njeriut, shpërndarjes më të
mirë të të mirave materiale, të mbrojtjes së pakicave dhe të dobëtve, të
mbrojtjes së mjedisit dhe të tjera çështje, që kanë qënë në themel të partive të
majta kudo në botë në 50 vjetët e fundit, do të jenë problemet kryesore të
Shqipërisë edhe në të ardhmen. Teorikisht, e Majta duhet të rrijë gjatë në
qeverisje. Por jo një e Majtë me strukturën e Partisë Komuniste, dhe që në
veprimet e saj ligjëvënëse apo qeverisëse luhatet nga mbrojtja e shumë të
pasurve dhe deri në mburrjen për mungesë të Sindikatave. Pa përmëndur
korrupsionin , që e ka në të njëjtin nivel me forcën, që posa la pushtetin. Eshtë
një e majtë e vetëshpallur dhe shumë e ndryshme nga simotrat e saj në Europë.
Si mund të shpërbëhet
PS-ja?
Mënyra më e thjeshtë(dhe më utopikja) është, që udhëheqësit
e saj, me vizion dhe me dëshirë për të ndihmuar të fillonin vetë shpërbërjen e
saj sepse një ristrukturim demokratik
nuk është i mundur. Këtë e dinë vetë më mirë ata , që janë brenda PS-së.
Por nuk ja vlen të zgjatesh kot me një ëndërr kaq fëminore.
PS-ja duhet të shpërbëhet nga brenda, por nga baza e saj.
Janë të rinjtë brenda PS-së, që nuk duhet të presin të ngjitin shkallët e
Piramidës duke ju lëpirë një njeriu të fuqishëm apo një tjetri. Nëse janë
brenda asaj Partie për idealet e së majtës, duhet të fillojnë të mbledhin rreth
vetes të rinj të tjerë universitarë, të cilët janë me mijra dhe që rrezikojnë
të mbeten vite të tëra pa punë si është sot brezi i 20-30 vjeçarëve në Itali
dhe Greqi. Nuk është e thënë, që lëvizjet e reja domosdoshmërisht t’ju ngjajnë
Syriza-s apo Podemos, pasi shoqëria jonë ka karakteristika të tjera dhe shumë
pak tradita sindikaliste, por në bazë të tyre duhet të jetë ndryshimi i të
bërit biznesin e politikës si bëhet sot. Lëvizje të tilla nuk rrezikojnë
kthimin e PD-së në pushtet. Ato thjesht nxjerrin nga apatia brezin e ri
universitar dhe e ngjisin në fushën e politikës pikërisht për të mbrojtur
interesat e jetës së tyre sot dhe në të ardhmen e afërt. Lëvizje të tilla nuk
ka përse të synojnë menjëherë pushtetin, por ato duhet të jenë të pranishme në
jetën politike, sa më parë, duke filluar edhe me paraqitjen e listave të
kandidatëve për zgjedhjet lokale. Lëvizje të tilla sigurisht , që do jenë nën
goditjen e dy partive kryesore dhe mediave të lidhura me to, sepse askush nuk
do të lëshojë sofrën e mbushur plot të pushtetit në vend. Por të rinjtë duhet të
kuptojnë, që nëse fatin e të ardhmes së tyre do e lenë në duart e njerëzve të
implikuar dikur në diktaturë, apo të përlyer më vonë në korrupsion, nuk kanë për të patur një të
ardhme të bukur, por do vazhdojnë të ëndërrojnë të gjejnë mënyra për tu larguar
nga vendi si brezi i prindërve të tyre.
Zgjidhje ka dhe kjo është shkallmimi i PS-së, pas të cilës
do shpërbëhen edhe dy partitë e tjera të mëdha. Sigurisht nuk ka për të ndodhur
më 2015, por një fillim i mirë mund të sjellë ndryshime edhe më të mëdha se i
mendojnë edhe ata më ëndërrimtarët.
No comments:
Post a Comment