(vijon)
Unë: Meqë e përmëndëm sërish, hynte Kadareja në “të zhubraviturit”?
Ai: Ismailin herë e “zhubravisnin” dhe herë e “çzhubravisnin”.
Marëdhëniet e tij me pushtetin e kohës dhe sidomos me Enver Hoxhën kanë qënë
komplekse. Po të ishte për shumë partiakë të niveleve të ulta, apo edhe një
pjese të mirë të Sigurimit të Shtetit, Kadareja do kishte përfunduar në burg.
Ndoshta Enver Hoxha dhe të tjerë rreth tij e kishin kuptuar, që Kadareja ju shërbente
më shumë po të ishte jashtë dhe të botonte, se sa po ta fusnin Brenda. Dhe kjo
jo vetëm pasi u bë i njohur në Francë në fillimin e viteve ’70, por edhe më
parë, kur u bë i famshëm në Shqipëri.
Kishte periudha kur ja hiqnin ndonjë botim nga qarkullimi,
kur e dërgonin për të punuar jashtë Tiranës, kur i kthenin vepra për t’i
rishikuar apo nuk e përfshinin në ndonjë delegacion për jashtë, por nuk e
përjashtuan asnjëherë nga Partia dhe as e ulën
në rangun e kandidatit, që ishte masa e parë e “zhubravitjes”. Edhe vetë
Ismaili dinte të manovronte sipas zbutjes dhe ashpërsimit të luftës së klasave,
duke shkruar prozë apo poezi, që “ilustronin” direktivat e Partisë. Të tilla
janë të asaj kohe “Emblema e Dikurshme”, “Europa e mbretërve” dhe shumë poezi
të vëllimit “Koha”. “Koncert në fund të dimrit’ është gjithashtu një
“karikaturizim” i Partisë Komuniste Kineze, por jo e parë me lentet e
Perëndimit, por me ato të Hoxhës dhe Alisë.
Frikë duhet të ketë pasur si të gjithë ne dhe ndoshta më
shumë, se kishte shumë krijime dhe shumë botime. Për më tepër, duke qënë në
profesion të lirë, nuk mund të rrinte me vite pa shpënë gjë për botim.
Unë: Edhe ti pate bërë “lëshime” të atij lloji në atë kohë. Më
kujtohen vargjet e një kënge të kompozuar nga Nikolla Zoraqi, që u krijua për
festimet e Kongresit të Bashkimeve Profesionale në Korçë më 1977. Isha 18 atë
vit dhe edhe pse pëlqeja shumë Majakovskin, më vinte turp kur dëgjoja refrenin
“Maja e shpatës proletare, Partia prin
tallazet çan…”
Ai: Ato vargje i kisha bërë me ‘porosi” se na kishin thirrur në
Komitetin e Partisë dhe na patën kërkuar të bënim tekste për klasën puntore. Si
të përmenda, figurat letrare atë kohë paraqisnin vështirësi ndaj edhe zgjodha
një figurë nga një fjalim i kohës i Enverit “Partia është maja e shpatës
proletare” për të qënë i sigurt se nuk do e interpretonte për keq njeri. Qëlloi
që ishte “pas midesë“ edhe të partiakëve dhe ja dhanë për ta kompozuar
Nikollas, me të cilin njihesha pak, por nuk kisha bashkëpunuar ndonjëherë.
Unë: Të thashë “më vinte turp” se ishin muaj kur kisha
“zhgarravitur” edhe vetë vargje (të thyera), nga të cilat të kisha treguar ty
vetëm një, poezinë “Soditje”, që e kam përfshirë në librin “Endem”.
Ai: Të kam thënë në atë kohë, që ishte një vështrim origjinal
dhe më pëlqeu. Nuk të nxita shumë të shkruaje, ose të pyesja nëse kishe të
tjera, si kisha bërë kur kishe dëshirë të vizatoje, se mendoja që nuk kishe
shfaqur ndonjë talent të spikatur dhe për më tepër kohët nuk ishin shumë të mira
për poezi të sinqerta. E dija nga ato, që kisha shkruar vetë në moshën e
adoleshencës, që përgjithësisht sillen rreth pikpyetjeve thelbësore ndaj jetës,
apo për brengën e dashurive të humbura. Nga që të njihja mirë, nuk më dukej se
mund të shkruaje me entusiazëm për jetën e lumtur, apo kundër “rrethimit
imperialist-revizionist”.
Unë: Vërtet nuk kanë qënë të tilla, se ishin emocionet e mija,
të cilat i kisha ruajtur për vete dhe shumë e shumë vite më vonë ja u kam
treguar edhe shokëve. Ishim një brez “cinikësh”, që talleshim me këtë lloj arti
edhe pse lexonim çdo gjë që na binte në dorë. Ishin vite kur lexoja më shumë
poezi se zakonisht dhe kishte përkthime të mira të Eluarit, Preverit, Lorkës
dhe gjithashtu të Majakovskit. Artin e tij e pëlqeja më shumë se të Pushkinit,
Lermontovit apo Eseninit, librat e të cilëve i kishim në shqip në shtëpi.
Bodleri, Shatobriani, Remboja dhe Merimeja ishin në frëngjisht dhe nuk ju
qasesha dot.
Ai: Ishte mëkat që nuk pate vullnet të mësoje frëngjisht se jo
vetë që kishim shumë libra të mirë në shtëpi, por edhe pse poezija mund të
shijohet vetëm në original. Edhe përkthimet më të mira ja humbin magjinë dhe
muzikalitetin. Kishim “Ndëshkimet” e Hygoit edhe frëngjisht edhe shqip, por
përkthimi ishte shumë larg vargjeve të të madhit të letrave franceze. Më
ndryshe ndodhte me prozën.
Megjithatë çdo e keqe e ka një të mirë, se po të kishe
lexuar si adoleshent Rembonë dhe Bodlerin, nuk do kishte qënë e zorshme të
përfundoje edhe ti tek të “zhubraviturit”. Me Majakovskin rreziku ishte më i
vogël.
Unë: Në janar të vitit 1982, kur mbushe 60 vjet, megjithëse “i
zhubravitur” erdhi në shtëpi për të të uruar Dritëro Agolli. Unë isha me
studime në Tiranë dhe u çudita, kur mësova se bashkë me të kishte ardhur edhe
Mihallaq Ziçishti, atë kohë, Sekretar i Parë i Durrësit. U çudita se e dija që
nuk kishit shkuar mirë.
Ai: Edhe unë u habita kur e pashë të vinte me Dritëronë,
Dalan Shapllon dhe të tjerët, se nuk ishte i ftuar. Tha që i kishte takuar
rrugës dhe kur i thanë që po vinin tek unë u bashkua dhe ai. Kërkoi të zinte
vend me fytyrë nga dera duke thënë me të qeshur, se kështu bënte gjithnjë, për
të qënë gati për çdo “të papritur”. 4-5 muaj më vonë e shkarkuan dhe e
arrestuan si bashkëpuntor të “grupit” të Mehmet Shehut. Duket që tek unë kishte
ardhur për të qënë pranë Dritëroit, i cili atë kohë ishte anëtar i Komitetit
Qëndror dhe mik i Ramiz Alisë. Një muaj më parë, kishte vrarë veten Mehmet
Shehu dhe në rrethet e larta partiake me sa
dukej qarkullonin “plane”, për të cilat ne të tjerët nuk kishim idenë.
Unë: Vitin, që u diplomova dhe fillova punë, qëlloi që ishte 40
vjetori i çlirimit dhe kudo bëheshin përgatitje, rikonstruksione, ndërtime
lapidarësh dhe përurime veprash për të festuar përfundimin e luftës dhe më shumë
për 40 vitet e pushtetit të Diktaturës së Proletariatit. Më ngarkuan të bëja
projektin e një monumenti në hyrje të Korçës për të kujtuar Dëshmorët e
Cifligut të luftës për Pavarësi dhe të dëshmorëve të Luftës nacional-çlirimtare.
Punimet u kryen me nxitim, si bëheshin në të tilla raste dhe përurimi u bë ditët
e festave të Nëntorit, por çuditërisht, më dërguan një ftesë për darkën
festive, që do mbahej në Hotel Turizmi. Më duket se ma dha Hasan Malolli duke më
kujtuar që ishte “vlerësim i madh”. Edhe unë edhe skulptori Ladi Topi, me të
cilin ishim bashkëautorë, nuk e kuptonim se kush ishte kujtuar për ne.
U ndjeva keq kur duhet të të thesha ty, se nuk mbahej mend,
që kur nuk kujtohej njeri të të ftonte në “sebepe” të tilla. E dija që të pëlqente
të shkoje, kur të ftonin në çdo lloj veprimtarie. Më pe me sy të trishtuar dhe
më the vetëm “mirë!” Ishe i sëmurë dhe nuk arrita të kuptoja nëse trishtoheshe
që kishe shumë vite i lënë mënjanë, apo mendoje me dyshim “mos e kanë futur në
thes edhe tim bir”.
Shkuam bashkë me Ladin dhe ishim mes veteranësh, kryetarë
kooperativash, drejtorë ndërmarjesh dhe të tjerë burra të moshuar, të mësuar me
këto lloj darkash, që hanin e pinin për shtatë palë qejfe. Ishin edhe kohët e
kufizimit të ushqimeve. Ne ndjeheshim në siklet dhe më shumë akoma, kur në sallën
tonë erdhën të na takonin edhe të “mëdhenjtë e Tiranës”. I deleguar ishte
Hajredin Celiku dhe kur i zuri për dore të gjithë, në altoparlante buçiti kënga
“Enver Hoxha Tungjatjeta”. Hajredini filloi të thërriste më shumë se të gjithë,
që ishin ngritur më këmbë dhe këndonin ‘himnin popullor” të viteve ’80. Veteranët
e shkretë, me dhëmbë të rralluara, këndonin, po një sy e mbanin edhe në pjatat
e pambaruara, që kishin përpara. 6 muaj më vonë Komandanti i la dhe filluan të
rralloheshin “zhubravitjet”.
Ai: (Hesht)
Unë: Po si është e mundur, që të gjithë ju “të zhubraviturit”, nuk u solidarizuat ndonjëherë për tu ngritur kundër atyre që ju “zhubravisnin”?