Monday, 27 August 2018

Operativi (pjese)

(vijim)
* * *

Kthehesha në shtëpi vetëm të shtunave dhe të hënën pa gdhirë nisesha me kamionat e druve. Ishin bërë vite. Pas martesës nuk ndryshoi asgjë. Disa kërkesa që kisha bërë për të më afruar nuk kishin marrë përgjigje. Shefi i kuadrit të arsimit, kur kishte ardhur në shkollë më ishte thënë që isha në vendin që më takonte. Nuk e pata pyetur përse më takonte të isha pikërisht atje. Thellë vetes e dija pse. Xhaxhai i sime shoqeje. Nuk e kisha parë ndonjëherë, por hija e tij më rëndonte më shumë se e vjehrrit.
Operativi i fshatit ma kujtoi një herë. Ashtu si padashur. Kalimthi. Pasi ishte ulur në tryezën e klubit të fshatit, ku po rrija dhe pija një gotë ponç portokalli.
“Ne e dimë që je njeriu jonë“ më tha ndërsa u ul dhe porositi për vete fërnet. Vazhdoi të më theshte se Partia dhe organet kishin besim në unë pavarësisht nga ajo ç’kishte bërë xhaxhai i gruas. Unë gëlltitesha pa thënë gjë edhe pse doja të ngrihesha e t’i thoja që nuk më bëhj vonë as për xhaxhanë e gruas dhe as për organet. Ai vazhdonte të më fliste për opinionin e mirë që kishin në seksion për punën time me fëmijët recitues dhe më pas përmendi transferimin në qytet ose afër tij. Cdo gjë mund të bëhej po qe se dhe unë do isha më I devotshëm për çështjen e partisë dhe të popullit. Më pas më pyeti për Terin.
“E dimë që e ke shok të ngushtë dhe të beson”
Unë mbaja në buzë gjatë gotën e qeltë me dopion e ponçit, i trembur se mos më tradhëtonte fytyra.
“Eshtë e rëndësishme të dimë me kë shoqërohet tjetër dhe ç’biseda bëjnë. Këtë duam nga ti. Të takohesh më shpesh dhe të na informosh.”
“ Ai rri pak me ne dhe e takoj shumë rrallë. Nuk di se me kë shoqërohet.”
“Nuk e di ti që shkon shpesh në shtëpinë e profesor Londos? Fashistit?”
“…Në shtëpi? Mbase shkon ta pyesë rreth drejtshkrimit. Interesohet për shqipen e vjetër.”
“ Pse për të vjetërn? Këtë duam të kuptojmë më shumë. Prandaj organet kërkojnë këtë ndihmë nga ti. Aq më shumë që ke studiuar për letërsi. Ti e do Partinë apo jo?”
“ Si jo?! Familja ime ka qënë e lidhur me Luftën. Dajoja ka edhe Medaljen e Kujtimit.”
“Pandaj kemi shumë besim tek ti. Si të duket ty qëndrimi i Terit po ta krahasosh me materialet e partisë.”
“…Nuk e kam menduar në këtë drejtim…Po edhe i jati I tij ka qënë partizan. Janë njerëz të mirë.”
“ E dimë e dimë, por edhe njerëzit tanë gabojnë. Se “uji fle dhe armiku nuk fle”. Godet atje ku është pika më e dobët. Teri është mekanik dhe po na interesohet për shqipen e vjetër? Përse i duhet? C’kohë duan të kthejnë?”
Unë nuk u përgjigja po shpura në buzë përsëri gotën tashmë të zbrazur.
“Pse nuk merr edhe një ponç?”
Pyetja e ti më lehtësoi dhe i thirra bankierit edhe për një dopio tjetër.
“E di ti që profesori është pederast?”
“Jo… është shumë plak dhe I verbër.”
Operativi u zgërdhi dhe vazhdoi: “Hyqi del kur del shpirti. Po Teri pse nuk martohet?”
“Nuk e di…Nuk e pyesim njëri tjetrin për këto gjëra.”
“Këtë javë, kur të shkosh në shtëpi, duhet ta takosh me doemos. Po për këto që biseduam nuk duhet të flasësh me asnjeri. As me gruan. Janë çështje delikate, që kërkojnë shumë konspiracion. E ardhmja e fëmijëve tanë varet nga kjo…Ti do kesh edhe përfitime të tjera veç transferimit. Partia e vlerëson vigjilencën.”
“Nëse e takoj rastesisht mirë, pork kohë nuk më mbetet të shtunë e të djelë. Sa çmallem me njerëzit e shtëpisë.”
“Ti do shkosh për ndeshjen në stadium të djelë. Shko merre dhe Terin.”
“Nuk e di në do mund të shkoj…Nënën e kam pasur të sëmurë…do shikoj.”
Operativi mblodhi buzët, por nuk shtoi shumë fjalë të tjera. U ngrit, më zgjati dorën dhe tha vetëm: “Me asnjë tjetër këtë bisedë.” Dhe u largua. Nga radioja në banak dëgjohe një këngë popullore me një refren të pazakontë me “dampe…dampe…dampeeee”. Pagova dhe ika në dhomë për të fjetur. “dampe…dampe…dampeee….” Nuk fjeta as atë natë dhe as dy netët, që pasuan.

(vijon)

No comments:

Post a Comment