Tuesday, 28 August 2018

Parrullat (pjese)

(vijim)
* * *

Era e fortë i detyronte të mbanin me një dorë ngjeshur pas kokës kasketat. Kishin për të shkuar edhe në tre shkolla të tjera. Muret e përzgjedhura i dinte vetëm drejtuesi. Po era frynte marrëzisht. Kutia me bojë dukej plumb e rëndë. Përse duhej gjithë ajo antiruxhio? Kush e kishte përzgjedhur ngjyrën? Kishte domethënie? Shefat nuk bënin asgjë rastësisht. Mesnata e ditës së mesit të tetorit ishte zgjedhur qëllimisht. Ishte më pus se netët e tjera dhe frynte shumë erë. Edhe tre shkolla të tjera, pastaj pranë stadiumit i priste GAZ-i dhe do iknin mes errësirës pa ditur se çdo bëhej me ato që ishin shkruar.
VP dhe PE…VP PE VP PE…sa më shumë të tilla dhe pranë murit ku rreshtoheshin nxënësit në mëngjes, me të mëdha duhej të shkruhej parrulla e plotë “VDEKJE PARTISE – POSHTE ENVERI”. Shefat asgjë nuk e vendosnin pa e menduar mirë më parë. Duhej bërë kujdes mos shkruhej VE dhe PP. Vdekja duhej për Partinë ndërsa Enveri duhej rrëzuar. Nuk ishte e njëjta gjë? Boja mund të ishte edhe e bardhë. Dallohej mirë në ngyrën bezhë të murit të shkollës 8-vjeçare. Antiruxhioja kishte më shumë shkëlqim, por ishte më e vështirë për tu shtruar mbi mur. Hënë nuk kishte. Duhet të kishin qënë atër vetë dhe jo tre. Dy të bënin dritë me elektrikë dore dhe dy të shkruanin. Do mbaronin më shpejt. Koha ishte tepër e kufizuar. Duhej mbaruar pa dalë gratë e turnit të natës.
Shkollat ishin përzgjedhur të mos kishin bulmetore pranë. Kishte njerëz që zinin rradhë për qumësht që në mesnatë. Nuk i dihej se nga kalonin për shkurt. Po t’i shihnin duhet t’i vrisnin. Kështu ishte urdhëri. Në rast ekstrem të përdoren pistoletat. Sa deshte të shtinte një herë në mish. Po që ta nxirrte duhet të hidhte përdhe furçën. Në njërën dorë furçën në tjetrën pistoletën. Ju qesh. Hera e dytë që vinte në këtë qytet. Herën e parë kishte qënë ditën dhe i ishte dukur i vjetër. Nuk kishte banesa kolektive si në qytetin ku punonte. Edhe rrugët me asfalt ishin të pakëta. Cuditërisht kishte shumë shkolla. Natën dueshin të largëta. Duhej të mbaronin edhe tre të tjera. Pastaj do hipnin në GAZ-in që i priste. Të tjerë do merrreshin me hetimet dhe arrestimet. Armiqët do ngazëlleheshin pak dhe do dilnin nga vrimat. Ashtu do i zinin tanët. Ata që do nxitonin për të lexuar parrullat si për të parë shenjat e Apokalipsit që afrohej. Do zbuteshin gjethet e fikut, do këndonin pulat mëngjeseve, pastaj do dukeshin shkronjat e zjarrta që rrëzonin Enverin dhe vrisnin Partinë. Do befasoheshin kur në vend të parashutistëve të NATO-s t’I prisnin GAZ-et tona me perde në dritaret e vogla. GAZ-et nuk do mjaftonin po do sillnin ZIS-a të mbuluar të ushtrisë me frona nga të dy anët. Do i kapnin të gjithë mes ngazëllimit të tyre naiv. Do I ngjisnin duke I shtyrë në karroceritë e ZIS-ave. Pushteti popullor nuk mund të përmbysej.
Këpucët i kishte gjithë pika boje antiruxhio. Tashmë nuk mund t’i fshinte se një pjesë ishin tharrë. Do i duheshin këpucë të reja. S’kishte pse të priste të mbushej gjashtë mujori. Ky ishte rast i veçantë. Si ju kishin thënë që ishte sekret i shkallës të jashtëzakonshme. Duhet t’i jepnin këpucë të tjera. Po këto duhej t’i dorëzonte? Nuk i duhej thënë asnjeriu. Magazinier Hekurani gjithnjë pyeste shumë. Pa dorëzuar të vjetrat nuk merrje dot të reja. Ky iste rast i jashtëzakonshëm. Dhe boja ishte e pashyleshme. Sa do i linin parrullat në mure? Sa të dilnin të gjithë armiqtë nga vrimat? Dy dit, tre? Po fëmijët do tronditeshin kur t’i lexonin? Mbase do bënin diçka me fëmijët që revoltoheshin dhe mbulonin parrullat me shamitë e pionierit. Do thërrisnin edhe korrespondentin e televizionit. Mbase jo. Veprimtaritë armiqësore pasqyroheshin në televizion vetëm pasi ishin zbuluar grupet armiqësore dhe ishin vënë para drejtësisë. Boja sikur po mbarohet…Edhe tre shkolla mbeten. Sa erë frynte!!

(vijon)

No comments:

Post a Comment