Wednesday, 29 August 2018

Gjelltore "Peqini" (pjese)

(vijim)
* * *


Tre netët pa gjumë ishin më të këqijat. Sidomos ato dy të shtëpisë. Nuk prekja dot as gruan. Nuk ndjenja. Deri sa dëgjova kollën e tim eti dhe thashë që duhet të ishte ora katër. Ora kur pinte kafenë dhe nisej për në rradhën e qumështit. Kur dëgjoheshe tringëlima cingërritëse e dy shisheve bosh që përplaseshin me njëra tjetrën. Në kthim dëgjoheshin më pak se ishin të mbushura dhe e lëviznin me zor brenda hapësisrës të trastës prej plaçke të lirë. Kur kthimi ishte me të njëjtën tingëlimë të ikjes, kishte dhe një pikëllim brenda tij, që ndjehej kur ai ngjiste shkallët e fundit. Nuk kishte arritur dot. Edhe pse rradhën ja kishte zënë më parë një shok.
“…Vetëm katër arka erdhën. dymbëdhjetë burra e dymbëdhjetë gra. Isha i pesëmbëdhjeti. As Petroja nuk mori.”
“ E do vesh nesër më shpejt”- i jepte kurajo mamaja.
“Po ç’do bësh për darkë?”
“Shikojmë e bëjmë deri në darkë.“
“Dje sollën gjashtë arka. Sot katër…”
Babaj nuk ankohej kurrë, por dëshpërohe shpejt. Ndjehej gjithmonë fajtor. Edhe që nuk më afronin mua në qytet; edhe kur nuk merrte dot qumësht; edhe kur vëllai vinte dhe tregonte se grindej me gruan. I dukej se për faj të tij nuk kishim shkëlqyer në shkollë dhe unë isha bërë vetëm mësues fshati dhe im vëlla mekanik. Kur e pyesnin se ç’punë  kishte bërë para se të dilte në pension theshte me zë të ulët “mballomaxhi”, por të tjerët nuk arrinin të dëgjonin se mamaja ndërkohë kishte thënë me zë të lartë “këpucar”. Kishte punuar që kur kishte qënë njëmbëdhjetë vjet dhe deri sa kishte mbushur të gjashtëdhjetat. Këpucët nuk na futnin kurrë ujë. I meremetonte me kujdes edhe tani, që nuk kishte mundësi të gjente materialet e duhura. Ecte lehtë, shumë lehtë, ndaj dhe dëgjoheshin aq shumë shishet e qumështit.
Nuk mund t’i tregoja asgjë për bisedën me operativin. Do ndjehej fajtor. Do mendonte, që meqë vetë nuk kishte shkuar në shkollë, nuk mundi të na ndihmonte dot në mësime dhe të bëheshim doktorë ose inxhinierë e të mos kishim nevojë të na sillnin nga fshati. Se vetëm me transferimin mund të na bënin presion të bëheshim spiunë. Ne nuk ngatërroheshim. Aq më keq të bëheshim spiunë. Shikonim punën tonë pa u nakatosur me gjëra me zarar. Ishim njerëz të thjeshtë. Kështu do mendonte.
Gruas nuk i thosha dot se ishte shtatzënë. Nuk dija ku të shkoja. Po të dilja më dukej se do më kishin vënë dikë pas të më shihnin nëse do takohesha me Terin. Nëse nuk dilja do çuditeshin të mijtë. Nuk rrija brenda kur vija nga fshati.
Ishte pesë e gjysëm. Vetëm tre katër lokale hapeshin aq shpejt. Bije më lehtë në sy. Nuk duheshin shumë anëtarë të grupit të bashkuar vullnetar për të parë se kush hynte e dilte pagdhirë kafeneve. Të rregulltit diheshin. Të tjerët ose kishin ndonjë hall ose brerje të ndërgjegjes, që nuk kishin fjetur, por vinin e shkarkonin ç’ka kishin bluar gjatë natës pa gjumë, në veshët e ndonjë miku të duruar.
Nuk rrija dot më shtrirë. Ime shoqe flinte. U ngrita dhe u vesha. Mamaja u çudit kur më pa, por i thashë që duhet të takoja një shok për punë pune dhe nuk nguli këmbë “të haja pa të dilja”.
Vendosa të shkoja në gjelltore “Peqini”. Mbase gjeja Shpendin, mësuesin e matematikës, që shkonte shpesh atje për të ngrënë mëngjes e për të pirë dy tre kupa verë.
Ishte në një tavolinë në qoshe me dikë tjetër dhe sa më pa më bëri me shënjë të afrohesha. U ula në tryezë. Tjetri ishte shoferi I autoambulancës, Tomi i trashë. Njihte të gjithë qytetin.
“I Koci mballomaxhiut je ti? C’bëhet yt atë. Hedh gjysma akoma?”
“Në pension”- nuk e zgjata më tej.
Tomi i kishte të dy bullçinjtë e mbushur, por kjo nuk e pengonte të shihte kush hynte dhe dilte dhe se ç’porositnin.
“Ja dhe ky derdimeni. Mbrëmë pas dymbëdhjetës i vajti e shoqja në shtëpi dhe i thotë që ishte në mbledhjen e organizatës…Mbledhja kishte mbaruar që më tetë.”
Shpendi qeshte nën hundë me komentet e Tomit pa e pyetur se ku e dinte që e shoqja e atij tjetrit kishte vajtur në shtëpi pasmesnate. Mbase në urgjencën e ambuancës dinin gjithshka. Tomi i trashë kishte më shumë se tridhjet vjet shofer i urgjencës. Nuk di se ç’dinte për ne, veç gjysmave që ju hidhte herë pas here këpucëve babaj.
Kur mbetëm vetë, mësuesi më pyeti.
“Nuk më dukesh mirë…S’besoj ta kesh nga llafet e Tomit?!”

(vijon)

No comments:

Post a Comment