(vijim)
* * *
Frosa ishte e përpiktë. Dy ditë të javës nuk shkonte në shtëpinë e Profesorit, por ditët e tjera ishte para se sahati i madh i korridorit të kumbonte njëmbëdhjetë herë. Ai e priste me padurim ndonëse e dinte që hapat e saj do dëgjoheshin para tringëllimit.
“Si u gdhive profesor?”
“Mirë si një i moçëm.”
“Vezët si kishin sjellë akoma. Mora vetëm djathën. Do i mar nesër bashkë me mishin.”
“Në një udhë i sjellin?”
“Jo, jo. Vezët i sjellin në Bardha, kurse mishin në Shpëtimeja.”
“Bardha është emër i bukur. Dëgjonet edhe më mirë se Bianka. Bardhaaa… e dëgjon si vërtitet gjuha mes dhëmbëve dhe qiellzës me r-në dhe dh-në…në Bianka, n-ja më k-në janë vrastare…si në ncuq.”
Frosa vazhdonte të rregullonte djathin në një enë plastike të mbushur me ujë pa ja vënë veshin Londos.
“Shpëtime është emër i ri…Eshtë zor të bësh emër kumbonjës kur pas sh-së dhe p-së ve zanore tjetër përpos a-së…shpyllëzim, shpellë, shpenzim, shpomurrës, shporru, shporet…të gjitha të errëta…si të mos ketë gjësendi veç mënxyrës në to…dhe flagëve të ferrit.”
“Drutë po mbarohen. Duhet të ble tallash për stofën.”
“Edhe tallashi në Shpëtimeja shitet?”
“Po ku shitet tallash gjëkundi. E blej në ca djem që punojnë në zdrukthtari.”
Profesor Londoja u ngrit nga kolltuku dhe duke u mbajtur pas murit u afrua një komoje druri qershie. Nxorri nga xhepi i rrobëdhomës një çelës të vogël me një kordon të thurrur dhe hapi sirtarin e parë. Kërkoi disa sekonda me gishta dhe më pas i zgjati disa kartmonedha Frosës.
“Mos ju bjerë tallash…” u zgërdhi dhe u ul në vendin e tij duke vazhduar “ tallash, shoshë, shashërdi, sheshmin…të mbushte goja si me llokume.”
“Llokumet janë shumë me kët. Mbase ble ndonjë piskotë me këto që do mbeten nga tallashi.”
“Po hallvë susami gjendet?”
“Hallvës së susamit ja kemi harruar emrin. Vetëm piskota të forta, që duhen zbutur në shurrup ka. Nga ato të “Ali Kelmendit””
“Aliun e bashkoja udhës në të ritë tim. Kishte oftikë…Fliste gegërishte të qashtër.”
Frosa ndërkaq kishte future kartmonedhat në një qesezë që e mbante në gjoks dhe ishte tërhequr pas derën e dhomës së Profesorit.
“Iku. Si era e marrë është. Frosina – fufulina. Fufu lipset ta thërres. Një erëzë e ftohtë në kthinën e moçme time. Më lipset…Pa të do më kishin mbuluar degët e pemtëve.”
Fshehur në degët e pemëve, instruktori i Sigurimit, që mbante numurin 12, po stërviste anëtarin e grupit të bashkuar vullnetar me pseudonimin “Verdhashi” se si të përgjonte në dritaren e profesorit pa u kuptuar.
“Duhet të dish, që ai është i verbër dhe dëgjimi i tij është dhjetë herë më i mirë se joni. Nuk duhet të lëvizëzh as për tu ç’mpirë. Vetëm kur del nga dhoma. Atëhere të hedhësh edhe shënimet në bllok. C’kishte më të rëndësishme në bisedën e sotme?”
Përgjonjësi “Verdhashi” u mendua një çast pastaj pëshpëriti:
“Që ankohet se nuk ka hallvë susami.”
“Hajvan! Disa punonjës të zdruktarisë shesin tallash, që e vjedhin në zdruktari. Kjo është më kryesorja pastaj vijnë të tjerat.”
(vijon)
No comments:
Post a Comment