* * *
“Profesori ishte i vetmi të cilit i besova…As atij nuk do i kisha treguar gjë nëse nuk do kisha ndjerë, që ai e kishte kuptuar.
…Për herë të parë pata shkuar në shtëpinë e tij gjashtë muaj pas ndodhisë. Më shpuri një miku im. Për ta pyetur rreth disa fjalëve të humbura të shqipes. Mu duk sikur më pa thellë në shpirt, atje ku pata fshehur tmerrin. Më tha të afrohej dhe më tregoi një fotografi të dy të rinjve në bregun e një lumi diku, jashtë Shqipërisë. I njeh cilët janë - më pyeti. Njëri duhet të ishte profesori i ri, por parapëlqeva të thoja se nuk i njihja. – Eshtë Etore Majorana – tha dhe heshti për një kohë të gjatë me sytë e ngulur në një pikë matanë mureve të dhomës. Nuk fola se nuk e kisha dëgjuar atë emër, por ai vazhdoi në një ligjëratë të shtruar se si ishte njohur me fizikanin italian në Romë. Ishte edhe më i madh se Ainshtajni më tha. Pastaj shtoi se nuk duhet të kishte thënë “ishte” por ‘është“. Sipas tij, Majorana ishte si ne, ose unë, isha si profesori dhe si Majorana.
Atëhere i thashë se do shkoja një ditë tjetër ta takoja. Më tha se më priste të nesërmen.”
“Kush është Etore Majorana?” – e pyeta Terin.
“Një gjeni i fizikës, që u zhduk më 1938-ën gjatë një udhëtimi me vapor. Eshtë folur që e kanë rrëmbyer amerikanët, e kanë vrarë nazistët ose ka vrarë veten, por askush nuk di me saktësi ç’ka ndodhur me të. profesor Londoja theshte, që ishte punë e “të përtejmëve”. Ishte mëse i sigurt. Kur i tregova se ç’më kishte ndodhur nuk u çudit. Tha që e kishte pritur të ndodhte atë vit. Ndodhte çdo 44 vjet. Shtoi dhe se nuk e kishte pritur të qe kaq pranë tij.”
“ Ja the që të nesërmen?”
“Po. Të gjitha. Pa lënë asnjë hollësi.”
“Dhe ai?”
“Vetëm tundte kokën dhe përsëriste disa nga fjalët…”dritë e lbyrtë“, “qetësonjësi”, “katër gishta”, “ pa bebëza” e ndonjë tjetër. Kanë kaluar njëzetepesë vjet prej asaj nate.”
“Ti ishe në qytet kur vdiq?”
“Po.”
“I dëgjove thashethemet pas disa muajve? Unë atë vit u martova dhe nuk ndodhesha në qytet ato kohë.”
“I dëgjova… Më vonë ma kanë treguar fill e për pe…Dy ditë pasi e kishin varrosur, Safeti i varreve kishte hapur varrin për të marë pallton dhe unazën dhe kishte gjetur arkivolin bosh…Kur e zunë dhe tregoi për gjithë vjedhjet në varreza, ishte treguar edhe për varrin bosh. Ata të Degës e kishin hapur përsëri dhe e ishte e vërtetë. Tani flitet se edhe Safetin prandaj e kishin pushkatuar. Për t’i mbyllur gojën. Atë kohë nuk kishte as ligj për grabitje të varreve. Nuk lehoheshin as kisha, as xhami dhe as jetë përtej varrit…”
“Ti po thua pallton. Po profesor Londoja sikur vdiq në verë.”
“Kishte lënë amanet ta mbulonin të veshur me pallton e madhe.”
“Si të ketë qënë e vërteta? Thua ka lidhje me Etore Majoranën?”
(vijon)
No comments:
Post a Comment