Qëlloi që lexova një shkrim të Kimete Berishës, ku i përvishej
Mero Bazes për çështjen e plazhit dhe patriotizmit. Mbase nuk do e kisha
lexuar, po të mos ishte komenti i portalit syri,al “…Kimete Berisha degjeneron
Mero Bazen, me një profil të zi”. Gjuha e ashpër e saj më në disa shkrime të
kaluara më duket se ja ul vlerat si grua dhe gazetare. Por kureshtja për të parë
“një profil të zi të Mero Bazes” më tundoi dhe i shkova shkrimit deri në fund.
Mbeta i shtangur!
“C’paska shkruar Meroja kundër kosovarëve, që ka ndjellë këtë
vrer patriotik dhe antipatriotik të Kimetes?!”- mendova. Atëhere hyra në faqen
online të tema.al, ku zakonisht i ka Bazeja shkrimet e tij të goditura bashkë
me ato tendenciozet dhe lexova shkrimin “Mos ejani për patriotizëm në plazhet
tona!”
Shkrim shumë i ekulibruar, që spjegonte dhe komentonte një
dukuri të rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rolit, që luajnë pushuesit
kosovarë me të mirat dhe ndonjë kusur të tyre.
Ndarja në kosovarë dhe shqiptarë?
Ndoshta. Dhe është e mira, që të gjithë të jenë të kujdesshëm,
kur bëjnë të tilla përcaktime.
Por këtë “dasi” e thekson shumë herë më shumë Kimetja në përgjigjen
e saj histerike.
Atje theksohet se kosovarët jo vetëm janë më patriotë se
shqiptarët, por edhe më të pasur dhe më të përparuar. Nuk di nëse kjo është e vërtetë,
por edhe nëse është kujt i vlen, që t’i përplaset në fytyrë?
Ne të gjithë jemi këta shqiptarë, që jemi me të mirat e të
metat tona(këto të fundit sikur po na shtohen bile) dhe duke sulmuar njëri
tjetrin nuk i bëjmë dobi vetes. Vërtet, që mund të ketë edhe tek shqiptarë të
caktuar qëndrime jo pozitive ndaj kosovarëve dhe anasjelltas, por kjo ndodh
edhe në Itali mes krahinave, edhe në Gjermani mes landeve, edhe në Zvicër mes
kantoneve. Veç të tjerët nuk lejojnë të tilla qëndrime injorante dhe vulgare të
dalin në shtyp. Quhen “politikisht jokorrekt” dhe dënohen.
Në të kundërt Kimetja, vetëm sa ju fryn të tillave qëndrime
të pjesëve të panxëna të të dy anëve të kufirit me një gjuhë të denjë për
racistët. Duke fyer shqiptarët dhe kosovarët njëkohësisht. Duke I dëmtuar të
gjithë.
Dhe e përsëris është gjuhë raciste, se edhe pse në dukje i
drejtohet Bazes, në të ka elementë të krahasimit, të superioritetit dhe
inferioritetit midis shqiptarëve, që hë për hë jetojnë në dy shtete të ndryshëm.
Për fatin tonë të mirë apo të keq, të dy palët jemi të varfër
po njëlloj dhe kjo jo për faj të Meros apo Kimetes.
Por po të kishim diferencat ekonomike të gjermanëve perëndimorë
dhe lindorë pas bashkimit, çfarë do klithnin Kimetet?
Më trondit po ta shkoj nëpër mend.
No comments:
Post a Comment