( Shenim per foton- Hitleri me Partine e tij Nacional Socialiste i fitoi zgjedhjet ne Gjermani ne menyre demokratike duke premtuar gjithshka per Popullin dhe Gjermanine. Ngjashmeria e Putin, Erdogan, Duertes me te nuk eshte krejt e rastit. Ata- dhe te tjere-enderrojne te jene si Hitleri. Qoftelarg nuk kane te njejten enderr keta tanet!)
Dua të sqaroj në fillim, se me shprehjen “treg elektoral” nuk cilësoj “tregun e votave”, ku blihen dhe shiten votat e votuesve të thjeshtë gjatë ditëve të zgjedhjeve dhe as “shitblerjen” e votive të deputetëve për një ligji të caktuar, apo kalimin e tyre në një parti tjetër.
“Treg elektoral” po quaj të gjithë procesin politik të
formimit të partive, shtimin apo pakësimin
e antarëve të tyre, zgjedhjet e forumeve drejtuese dhe kryetarëve.
Më duket se për vetë gjendjen e tre partive kryesore
shqiptare, mediat e pavarura dhe gazetarët e tyre duhet të merren më pak me
“analizat” dhe “tifozllëqet” dhe të përqëndrohen në kronikën dhe përcjelljen e
ngjarjeve. Gazetat e partive dhe portalet e lidhura ngushtë me to le të bëjnë
propagandimin e njërit apo tjetrit grup. Të tjerët me impenjimin e tyre
maksimal, që vërehet gjatë këtyre ditëve, vetëm sa e turbullojnë shikuesin dhe lezuesin
anëtar partie dhe më shumë akoma, atë, që nuk bën pjesë në asnjë parti.
Ne nuk kemi parti me
karakter demokratik.
Kemi dy “reparte ushtarake” dhe një “repart ushtarak
familiar”.
Përse duhet lodhur socialisti, demokrati apo integruesi me
gjepurat e “filan intrige”, “kësisoj deklarate”, “ky postim ne FB” e të tjera
si këto?
Detyra e pushtetit të katërt nuk është të krijojë mjegull,
por të informojë dhe të shohë edhe dukuritë thellë ngjarjeve në Shqipëri.
“Timonieri” i PS-së, kontrollon plotësisht “divizionin” e
tij dhe asgjë nuk bëhet pa lëvizjen e gishtit të tij brenda partisë.
Në PD, kryetari po rreket të mbahet pas postit dhe për këtë
shpiken gjithfarë teorish, nga vjedhja e votave, në mungesën e një kandidati
tjetër të aftë, në “puçet” e kundërshtarëve etj. etj. Cila është dobia e analizës
të debatit të Këlliçit me Salianjin? Cilin demokrat apo simpatizues të së
djathtës ndihmon kjo?
Farsa brenda LSI-së në vend , që të demaskohet si forma më
antidemokratike e një grupimi politik, komentohet me lujle e lajle, me
deklarata të egra të Kokëmadhit ndaj Ramës apo të tjera si këto.
Mediat duhet të bashkohen në një gjë të vetme dhe të rëndësishme,
që është “Demokracia shqiptare është në rrezik, për shkak çdemokratizimit të
partive politike”. Duket si një slogan i fryrë, por është në themel të
problemeve të mëdha, që ka vendi.
Ndaj ajo ç’ka ndodh brenda partive duhet të pasqyrohet shumë
më cekët dhe të “lejohet tregu të veprojë me ligjet e tij të “kërkesë ofertës””.
Në këto momente, Partia Socialiste ju ofron të rinjve “një
rekrutim në divizionin e Ramës”.
Partia Demokratike nuk ka ende ç’tju ofrojë se duket e çorganizuar.
LSI-ja nuk mund t’ju ofrojë më punësime, por mund t’i
mashtrojë me një rikthim në krye të së Majtës pas katër vitesh.
Kjo është ajo, që gazetarët duhet t’i bëjnë të qartë
shikuesve dhe lexuesve.
Të tjerat duhet të pasqyrohen vetëm në rubrikat e
“thashethemeve politike” sepse nuk kanë asnjë substancë.
No comments:
Post a Comment