“Të mbajturit më të madh” ka qënë i rëndësishëm në Mesjetën
e vonë dhe deri fundin e feudalizmit në Shqipëri, që nuk përputhet me
revolucionin industrial si në vendet e tjera europiane, por me ardhjen në fuqi
të komunistëve, sikundër ndodhi në Rusi. Tanimë është i “dalëmode” dhe në
periudhën e dijes dhe internetit vlerësohet shumë më shumë të qënit i thjeshtë
dhe modest. Kuptohet, që nuk kanë dalë mode të qënit “dinjitoz”, “ i ndershëm”,
“i papërkulur”, “i përkushtuar”, “i drejtë“. Dhe këto oparakët i kanë pasur dhe
ruajtur. Edhe kur kohët kanë qënë të vështira dhe këto cilësi ju kanë shkaktuar
përndjekje, varfërim, heqje të priviligjeve.
Eshtë interesant një shkrim i Gaqo Veshit, ku përmenden shumë
njerëz të shquar të lindur në Opar ose me origjinë nga Opari. Karkteristike është
se janë shumë të pakët ata me karriera të bujshme qeveritare apo politike. Ka
mes tyre ndërtues të shquar, piktorë, kaçakë, kompozitorë, akademikë, por
thuajse asnjë vezir apo pasha, ministër të fuqishëm apo anëtar të Byrosë
Politike.
Në shkrimin e sipërpërmendur më ra në sy emri i Dhosi
Havjarit. Një pedagog i rreptë, që ka hedhur bazat e arsimit në Korçë dhe është
nismëtar i idesë të ngritjes së Liceut Francez. 15 vjet më vonë, i biri, Nesti
Havjari përfundoi shkëlqyer Liceun duke u renditur i pari i klasës. Emrat e këtyre
oparakëve nga Osoja, janë tipiket e njerëzve me vullnet dhe kontribut, por që “historia”
harron t’i përmendë, sepse nuk kanë dashur të bëjnë kurrë bujë.
Në të njëjtin shkrim përmendej Pandi Leço nga Karbanjozi, që
kishte qënë në çetën e Sali Butkës dhe kishte shoqëruar Ismail Qemalin nga Durëësi
në Vlorë në Nëntorin e vitit 1912.
Karbanjosi ka qënë gjithnjë një fshat me jo më shumë se 20
shtëpi. Tashmë ndoshta është krejtësisht i braktisur. Me Karbanjozin më lidh
gjyshja ime Vasiliqi Leço, që ishte lindur në atë fshat. Nuk kam mundur ta
njoh, se vdiq e re nga një meningit akut, në vitin 1941, por një portet i saj
rrinte gjithnjë në dhomën e pritjes dhe më dukej sikur e kisha njohur, ashtu të
heshtur, të krehur bukur dhe disa tipare si të mijat. Leçot ishin njerëz veçanërisht
të ndershëm dhe me emër të mirë në tregëti. Kishin pasur traditë të këmbenin me
Beratin dhe në dyqanin e tyre në Korçë shisnin kryesisht ullinj, vaj dhe
prodhime te tjera të Oparit dhe Beratit. Nuk pata dëgjuar ndonjëherë të përmendej
luftëtar-patrioti Pandi Leço, që me siguri ishte i afërm i tyre. Naum Leçoja, i
gjyshi i babajt, njihej si “burri më i ndershëm i çarshisë“, por kishte qëndruar
gjithmonë larg armëve dhe konfrontimeve. Nuk e ngrinte kurrë zërin dhe me të
qeshur i thoshte edhe të shoqes “ A po ke gjetur ti Naum gomarë, prandaj bën!” Mbante në kokë një takije të bardhë, të cilën
nuk e hoqi deri sa u largua nga kjo jetë, i qetë, i dashur dhe i pabujshëm.
(vijon)
No comments:
Post a Comment