Kjo është shrehje që e përdorin oparakët për tu ndjerë “superiorë“
ndaj të tjerëve ashtu si kanë shprehje të ngjashme kolonjarët, vakëfllinjtë, lebërit,
devollinjtë e të tjerë shqipo të trevave ku flitet gjuha jonë dhe ku vendasit
nuk mund të jenë veçse më trimat, më të kënduarit dhe më të mënçurit.
Unë u mësova që në fëmijri me idenë, që “jemi oparakë“, bile
tamam oparakë nga Dushari edhe pse babai nuk kishte qënë ndonjëherë në Dushar
deri në vitin 1968. Kisha dëgjuar prej tij për Dusharin vetëm vargjet: “Aferim të qoftë Mehmet i Dusharit/ Vrave File
Ziken në mes të Pazarit”. Nuk di nëse im atë i kishte dëgjuar edhe vetë
gjatë fëmijërisë në Stamboll, apo pasi ishin kthyer në Shqipëri. Deri vonë nuk
dija se ç’kishte qënë Mehmeti i Dusharit dhe as sot nuk di se kush ishte File
Zikeja.
Verën e vitit 1968, im atë shkoi dy javë në një brigadë
kulturale në disa fshatra të Oparit dhe u kthye nga Dushari me kënaqësinë, se
Marat jo vetëm ishin nga Dushari, por në fshat kishte edhe disa toponime, si “Kroi
i Maras ”, “Ara
e Marave”. Dukej i bindur, që jo vetëm ishim oparakë, por edhe “oparakë jo
dosido”. Nuk e kishte zakon të mburrej, por i pëlqente të krenohej për të jatin
dhe parardhësit e tjerë tanët.
Kështu edhe unë jam “bias”(i njëanshëm), kur flitet për
oparakët. Jam i prirur të gjej vetëm të mirën, bujaren, të drejtën dhe ndoshta
edhe të lavdishmen me ta.
Ka pasur diçka, që më ka bërë përshtypje për zonën e Oparit
edhe pse duhet të them të drejtën, që nuk e kam shkelur të gjithën dhe di shumë
pak nga historia e saj.
Thuajse të gjitha fshatrat, në dallim nga krahinat përreth,
kanë emra shqip. Të tillë janë Lekas, Tudas, Xerja, Gjonbabas, Marjan, Gurrëmujas,
Denas, Misras dhe mbi të gjithë, një fshat me emër të pëlqyeshëm edhe për Diktaturën
– Punëmirë. Nuk e kam të qartë, se pse në këtë “ishull malor”, shumica e
fshatrave kishin emra shqip, kur edhe në Vakëfet, apo në Gramsh e Skrapar, që i
rrethojnë, ka shumë toponime sllave. Janë fshatra më të hershëm a më të vonshëm,
janë ngulime shqiptarësh të përndjekur apo fanatikë të shqipes, ndoshta do e
zbuloj gradualisht, ndërsa shkruaj për krahinën ku kanë rrënjët të parët e mij.
Oparakët janë malësorë, se janë lindur e rritur mes maleve
dhe si gjithë malësorët në Ballkan dhe Europë “mbahen në të madh”. Disa e quajnë
këtë krenari, integritet, dinjitet, megallomani, fodullëk por unë po e quaj
thjesht “të mbajtur në të madh”. Ndoshta mund të ketë studime të plota
psikologjike, antropologjike, ekonomiko-shoqërore, se pse malësorët në përgjithësi
kujtojnë se janë “të rëndësishëm”, por duke mbajtur një kornizë të thjeshtë për
këtë shkrim, unë po mjaftohem me kaq.
(vijon)
No comments:
Post a Comment