Wednesday, 12 July 2017

Këshilla moralo – politike nga Behgjet Pacolli


Në korin e panegjiristëve të kryeministrit Rama, sot u bashkua edhe biznesmen – politikani kosovar Behgjet Pacolli.
Eshtë e natyrshme, që një njeri i suksesshëm si Pacolli të gëzohet dhe lavdërojë një njeri të suksesshëm si Edi Rama. Për më tepër kur janë miq dhe e quan edhe “vëllau im”.
Entusiazmi i tij mund të jetë i sinqertë dhe jo në këmbim të ndonjë përfitimi në biznes në Shqipëri gjatë katër viteve të ardhme.
Behgjeti jo vetëm entusiazmohet nga paraqitja e shkëlqyer e Ramës në takimin e Stambollit dhe atë të Triestes (veç përgëzimit nga Merkel dhe fotos duke treguar anekdota me Erdoganin nuk duket asgjë e shkëlqyer e Ramës në këto dy takime), por sidomos nga sjellja politike e tij e para dhe e pas fushatës. Në mënyrë të veçantë nga “ndarja e pushtetit” me opozitën, gjë të cilën politikani Pacolli ja u këshillon politikanëve kosovarë.
Duhet thënë, që Rama jo vetëm nuk ka ndarë ndonjë pushtet me opozitën, por është edhe përgjegjësi kryesor për tejzgjatjen e “krizës së çadrës”. “Marëveshja e minutës së fundit” mund të ishte bërë muaj më parë dhe të mos kishte larguar nga vendi dhjetra investitorë të huaj, por këtë Pacolli e harron jo pa qëllim.
Për më tepër ai i sugjeron edhe Ramës të vazhdojë “të ndajë“ pushtetin me opozitën, nga e cila sipas Behgjetit, do përfitojë Shqipëria, se do dobësohen partitë politike dhe do forcohen institucionet dhe ndërmarësia?!
Ndoshta Behgjet Pacolli dëshëron, që peisazhi politik shqiptar t’i ngjajë atij të Kazakistanit, ku miku i tij Nursulltan Nazarbajev është në sundim të plotë dhe ku çdo gjë bëhet sipas lëvizjes së gishtit të Nursulltanit. Edhe miku i tij Rama, me të cilin Behgjeti kishte bërë një selfije patetike pikërisht në një nga objektet e Nursulltanit disa vjet më parë është plotësisht i prirur të sundojë alla-sulltançe. Po a është kjo në të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës?
Rama ka ditur ta miklojë biznesmenin kosovar, që në kohën kur nuk ka qënë kryeministër. 5-6 vite më parë, me porosinë e tij, kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Korçës Niko Peleshi e shpalli Behgjet Pacollin “Qytetar nderi “ të Korçs përpos kundërshtimit të disa këshilltarëve të bashkisë dhe të mungesësë së plotë të lidhjes së Pacollit me Korçën. I duhej kjo Behgjetit për të përmirësuar imazhin e tij të njollosur nga hetimet për korrupsion me Boris Jelcin apo për përfoljet për të njëjtën gjë në Kazakistan dhe Uzbekistan, këtë mund ta thotë vetëm Pacolli. Ajo, që dihet mirë nga kosovarët dhe një pjesë e shqiptarëve është, që Behgjet Pacolli operon duke dhënë rryshfete të majme.
Entusiazmi i tij për Ramën mund të jetë i ndjerë(nuk di sa ndjen mendja e biznesmenit kalkulues), por këshillat e tij për kosovarët dhe shqiptarët janë të dëmshme.
Shqipërisë sot, më shumë se kurrë i duhet demokratizim, parti të forta dhe të demokratizuara, opozitë e drejtë dhe pa kompromis.

Natyrisht në një atmosferë të tillë politike është shumë e vështirë për të punuar ata, që janë mësuar të japin dhe marrin rryshfete.

No comments:

Post a Comment