Sunday, 16 July 2017

Opari - I pari (3)

(vijim)
Oparakët patën bërë herët kurbet, por kryesisht brenda kufijve të Perandorisë Otomane. Në Stamboll, Izmir, Misir, por edhe deri në Odesa, që atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Ruse. Në Stamboll shumë familje myslimane dhe të krishtera ishin vendosur dhe kishin ngritur edhe bizneset e tyre. Të dëgjuar ishin në mesin e shekullit të XIX vëllezërit Dallamango, që ishin pronarë të therrtorve të Stambollit. Bëhej fjalë për një qytet prej 700 mijë banorësh asokohe, kur Parisi dhe Berlini nuk i kalonin 800 mijët, Viena kishte 500 mijë banorë dhe Roma më pak se 200 mijë.
Dallamangot kishin punësuar me dhjetra të rinj oparakë, që punonin si kasapë apo mbartësa në “sallahanat” në Eminëj. Të ardhurit nga Opari apo Voskopoja kishin menjëherë mbështetjen e tyre. Teka ta nisi punë stërgjyshi im Andon Mara rreth vitit 1870 dhe më 1978, nga që nuk ishte mirë me shëndet, mori nga Voskopoja ta ndihmonte edhe djalin e tij Naumin 9 vjeçar. Ende nuk ishte përfunduar hekurudha Selanik – Stamboll, që e lidhte kryeqytetin e Perandorisë me kryeqytetet e tjera europiane. Mërgimtarët shqiptarë lëviznin kryesisht me karvane nga fshatrat e tyre drejt kryeqytetit. Tek Dallamangot punonin veç Marave, Menkshit nga Kucaka, Topuzët, Vretot nga Karbanjozi, Delit dhe të tjerë oparakë. Ishte një komunitet i lidhur ngushtë, që ndihmonin njëri tjetrin. Disa prej tyre kishin hapur edhe mëngjesore ku gatuheshin paçe kormine dhe kokë të pjekura, ose si quheshin në Turqi “shqembexhihane”. Në fillimin e shekullit të XX-të thuajse të gjitha shqembexhihanat e Stambollit ishin prona të oparakëve.
Perandoria Otomane, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX e kishte marrë të tatëpjetën dhe kurbeti i Stambollit nuk ishte kurbet, ku “mund të bëje prokopi”. E megjithatë, për shkak të numurit të madh të familjeve dhe lidhjeve të tyre, oparakët vazhduan të kërkonin punë atje edhe pas hapjes të kurbeteve të largët po fitimprurës të Amerikës, Australisë dhe Argjentinës. Ata, të cilët kishin hapur punët e tyre në Odesa, u kthyen menjëherë pas fillimit të Revolucionit të Tetorit në Rusi dhe hapën dyqane në Korçë ose emigruan në Amerikë. Me fillimin e luftrave ballkanike, Turqia nuk ishte më një “kurbet i mirë“. Të rinjtë e asaj kohe filluan të emigronin më së shumti në Amerikë.

Vitet e shumta në Stamboll kanë ndikuar edhe në karakterin e oparakëve dhe në filozofinë e tyre. Ishin tolerantë, pëlqenin të hanin mirë dhe të visheshin mirë. Njëlloj “bon vivant” në kuadrin e një shoqërie të varfër dhe jo të zhvilluar. Njerëz jo me ambicie të mëdha për të bërë karrierë, por edhe që qëndronin larg intrigave dhe meskiniteteve. Nga jeta në Stamboll, midis mbi 20 etnive të ndryshme, kishin mësuar edhe të mos ishin racistë,dhe të bashkëjetonin me njerëz të racave dhe feve të ndryshme.

(vijon) 

No comments:

Post a Comment