Sunday, 9 July 2017

Vali Dinella – Një portret i paautorizuar


Vali ishte e famshme para se të merrte mbiemrin Dinella. Ishte “shyterja” më e mirë e ekipit të “Studentit” dhe njihej si Valentina Foto. Kur “Studenti” shkëlqente në volejbollin për femra, ende nuk kishte dalë “Dinamo” e Kreshnik Tartarit, “Skënderbeu” nën drejtimin e Pandi Gëllçit posa kishte marrë një kupë dhe Farie Hoti me Tiranën e saj dominonin volejbollin shqiptar.
Vali Fotoja ishte e talentuar, e fuqishme dhe serioze. Luante me të njëjtin impenjim edhe kundër ekipit të qytetit të saj. Simpatike, me flokë të shkurtra, me një trup të shkëlqyer dhe me një qëndrim shembullor në fushë ndaj kundërshtareve dhe gjyqtarëve. Kështu e kujtoj në disa ndeshje në stadiumin “Skënderbeu”, ku krahas Sasha Azemit dhe të tjerave na kishin mundur. Ishte jo vetëm sulmuese ndër më të mirat në Shqipëri, por luante shkëlqyer në rrjetë dhe në vijën e dytë. Vendin në kombëtaren e Shqipërisë e kishte të siguruar.
Sportdashësit korçarë prisnin të mbaronte studimet dhe të kthehej me “Skënderbeun”, që me Dhorkë Koçon në krye ishte rivali tjetër i “17 Nëntorit”.
Historia e kthimit të Valit në Korçë ishte pak e komplikuar. Sa ishin fejuar me portierin e kombëtares, Koço Dinellën, që në ato vite ishte portiere më i mirë shqiptar. “Studenti” nuk lejonte largimin e saj dhe po njëlloj, “Dinamo” nuk deshte të jepte transfertën për Koçon. Telefonatat dhe shkresat ndërmjet administratave të asaj kohe, për të dy sportiestët duhet të kenë qënë pafund.
Vali erdhi në Korçë, tashmë si Vali Dinella dhe fillloi të luajë me “Skënderbeun”, që po kthehej në një ekip të kompletuar, pretendent kryesor për titullin kampion. Po rritej “ylli” i volejbollit shqiptar, Tamara Nikolla, që dukej se ndiqte shembullin e Valit për përkushtimin në stërvitje, seriozitetin dhe karakterin e saj.
Ishin në të njëjtin ekip dy sportiste model dhe njëkohësisht gra të përsosura.
Karriera e Valit në “Skënderbeu” nuk zgjati sa prisnin sportdashësit korçarë. Pengu i tërheqjes edhe pse nuk e shprehte, dallohej lehtë tek Vali. Volejbolli kishte qënë shumë i rëndësishëm për të. Vazhdonte të ndiqte ndeshjet e ekipit nga shkallët e Këndit Sportiv dhe më vonë nga ato të Pallatit të Sportit duke përjetuar të njëjtat emocione si të vajzave në fushë.
Kur hymë në shkollën e mesme “Themistokli Gërmenji”, Vali nuk luante më, por kishte të njëjtën formë fizike dhe nuk kishte djem e vajza gjimnaziste ta mposhtnin në volejboll.
Ne nuk e kishim mësuese, se ju bënte edukatë fizike vetëm vajzave. E megjithatë i druheshim dhe e donim. Gëzonte respektin e gjithë shkollës dhe njëkohësisht nuk ja bënte njeri fjalën dy. Zaten nuk fliste shumë dhe asnjëherë nuk fliste pa menduar thellë. Dy mësuesit tanë të fiskulturës, Maqo Kostallari dhe Vali Dinella kishin më shumë autoritet se drejtori dhe nëndrejtorët e shkollës. Jepnin dashuri, këshilla, përkujdesje dhe si rrjedhim i donim dhe i respektonim.
Flisnim me të edhe për jetën, për rëndësinë e përkushtimit, vullnetit, mënçurisë dhe të qënit të drejtë.
Vite më vonë, kur isha miqësuar prej saj me Koçon, e njoha edhe më mirë, në cilësitë njerëzore të besnikërisë, drejtësisë dhe seriozitetit. Studentët e Universitetit të Korçës besoj se kanë pasur fatin për një kohë të gjatë të kenë përfituar nga këshillat e saj, në një moshë delikate dhe të rëndësishme të jetës së tyre.
Nuk di dhe në do m’i falë këto paragrafë të paautorizuara, që po hedh në blog-un tim, sepse edhe pse po shkoj në të gjashtëdhjetat ende druhem nga profesore Vali.

E talentuara, e papërkulura, seriozja, bujarja Valentina Foto Dinella.

Ne foton e vitit 1978 - Vali Dinella dhe shoket e mij Arben Kallamata dhe Gjergji Raidhi.

No comments:

Post a Comment