Tuesday, 11 July 2017

Turqia dhe ermenët e Shqipërisë


Në Shqipëri ka pasur më shumë familje ermene se çifute para Luftës së Dytë Botërore. Ashtu si dhe familjet e etnive të tjera, ermenët e ardhur më së shumti pas genocidit turk, gjetën në Shqipëri një atmosferë mikpritjeje dhe paqeje. Pjesa më e madhe e tyre u vendosën në qytetet pranë bregut si Durrësi dhe Vlora, por pati të tjerë, që u vendosën në Tiranë, Shkodër dhe Korçë.
Thuajse të gjithë patën qënë të suksesshëm në biznes dhe zeje dhe pjesa më e madhe e fëmijëve të tyre u shkolluan dhe patën karriera të suksesshme profesionale. Në fushën e artit shkëlqyen Haig Zaharian dhe Anisa Markarian, por edhe shumë të tjerë në fusha të shkencës dhe industrisë .Komuniteti ermen nuk është asimiluar, por ka qënë thellësisht i integruar dhe i përzjerë me shqiptarët nëpërmjet martesave.
Ka një pikë shumë të rëndësishme të këtij komuniteti, që në Shqipëri lihet pa të drejtë në heshtje edhe pse interesat tona kombëtare e kërkojnë, që të përmendet dhe është “njohja e genocidit turk ndaj ermenëve”. Ka qënë problem shumë i mprehtë në politikën e Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, shtete, që gradualisht në këtë mijëvjeçar miratuan ligjet ose rezolutat për njohjen e genocidit ndaj popullsisë ermene nga Turqia. Janë thuajse të gjithë shtetet kryesore europiane dhe të Amerikës, që kanë të njëjtin qëndrim, duke përfshirë këtu edhe shtetin e Vatikanit, politika e jashtme e të cilit përputhet shumë më interesat kombëtare të Shqipërisë.
Tek ne kjo çështje nuk ngrihet kurrë nga politikanët, por veç përmendet herë herë në media. Për më tepër tani, pas një afrimi të pazakontë të Edi Ramës me Rexhep Erdoganin, çështja e genocididit të sipërpërmendur mund të kthehet në “tabu”.
Por përse interesi i Shqipërisë e do , që politika mos heshtë ndaj çështjes ermene?
Nuk është vetëm detyrimi , që çdo shtet ka ndaj komuniteteve brenda tij, që në këtë rast është vërtet jo i madh në numur, por jo pa kontribut në shoqërinë shqiptare.
Në rast se do kërkosh, që të dënohet genocidi serb ndaj kosovarëve dhe ai grek ndaj çamëve, duhet të mos heshtësh për genocide të përmasave më të mëdha dhe që kanë ndodhur në një perandori, ku kemi qënë pjesë jo më larg se dy-tre vjet nga koha kur ka ndodhur.
Për më tepër, në politikë dhe në diplomaci ka “simetri”. Nuk mundet të kërkosh solidaritet nga të tjerët, kur nuk je solidar me ata, që e kanë pësuar si ti.
Cështja vërtet nuk është krejtësisht e thjeshtë, por për problemet e Ballkanit dhe të ish Perandorisë turke nuk mund të kujtohemi vetëm kur na i kërkon Bashkimi Europian.
Edhe nëse nuk duam të kemi “damkën” e “bashkëqeverisësve” të Perandorisë Otomane, kartë , që luhet jo rrallë nga fqinjët tanë, por të rreshtohemi në rradhën e viktimave, duhet ta shprehim këtë me zë të lartë.

Edhe sikur të na rrezikohet aeroporti i Vlorës apo të tjera”dhurata” të “sulltanit Erdogan”, që duket se po bën përpjekje të kthehet në një “Babë“ i ri i trojeve ku jetojnë shqiptarët.

No comments:

Post a Comment