Monday, 17 July 2017

Pandi Raidhi, aktori i lindur

Shkas për këtë shkrim, u bë një shkrim i një vajze të re, në portali Konica.al. Eshtë e vështirë të shkruash për njerëzit, që i ke njohur pak ose aspak edhe sikur të kesh parë apo lexuar gjithë veprat e tyre. Ndoshta ndonjë aktor i talentuar i teatrit të Korçës apo regjisor i Kinodtudios mund të jepte atë ç’ka ishte esenciale për një aktor të kalibrit të madh si Pandi.
Ne i përkasim një brezi, që u rritëm me idenë, që Pandi ishte aktori më me humor i Korçës dhe ndoshta i gjithë Shqipërisë. Në qytet flitej shpesh për rolet e tij komike në teatër, monologjet, batutat e sajuara në skenë dhe të tjera situate komike të zgjidhura me intuitë dhe mjeshtëri. Në një shfaqje të fillimit të viteve ’60 në kinema “Morava” gjatë një monologu i kishte rënë hunda prej parafine dhe ndërsa salla qeshte batuta e Pandit “Me këtë të ftohtë të bijen edhe veshët dhe jo vetëm hunda!” kishte bërë, që të gjithë të shpërthenin në një gaz të papërmbajtshëm.
Pandi Raidhi kishte të gjitha cilësitë, që duhet të ketë një aktor i kompletuar. Paraqitje skenike, zë të plotë dhe të qartë, sy ekspresivë dhe trup atleti. Kishte luajtur edhe me ekipin e parë të futbollit të “Skënderbeut” dhe kishte qënë edhe kampion i Shqipërisë në zbritje të lirë me ski. Të tilla cilësi që e ndihmojnë aktorin rrallë i gjen edhe në artistët e famshëm botërorë. Ndaj kishte mundësi të luante role të ndryshme, që kërkonin edhe ngarkesa të mëdha fizike si në teatër ashtu edhe në kinema. Këndonte bukur dhe dinte edhe të luante në kitarë. Kishte patur role kryesore edhe në operetat “Agimi”, “Së bashku jeta është këngë“ dhe “Brigadierja”, ku duhej të këndonte shumë mirë. Dhe kishte kënduar shumë mirë. Kishte sjellë edhe në to, energjinë pozitive, që sillte zakonisht në skenë dhe në film.
Pandi ishte jeta në kuptimin e pastër dhe gati fëminor të saj. Pozitiv, pa brenga. Tronditej kur dëgjonte se kishte vdekur njeri edhe sikur ai, që kishte ndruar jetë të ishte i moshuar. I pëlqente jeta në plotërinë e saj, me ushqimin, pijet, muhabetet e çiltra dhe shakatë. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të ankohej dhe nuk besoj se kanë qënë të shumtë ata, që e kanë dëgjuar të ankohej.
Sigurisht, që talenti i lindur nuk mjaftonte për ta bërë aktor të madh. Kishte mësuar shumë nga Sokrat Mioja, Pandi Stilloja dhe Pirro Mani. Prej tyre kishte nxënë jo vetëm si të lëvizte më mirë në skenë, si të ushtrohej pët të bërë më të qartë diksionin, si të hidhte batutat, që të dëgjoheshin deri në fund të galerisë, por edhe si të studionte për karakteret, që do luante. Në një nga rolet më të arritura të tij në teatër, atë të Thanasit në “Hijet e natës”, ishte munduar të gjendte në qytet dikë, që mund të imitonte dhe t’i përshtatej rolit. E kishte gjetur dhe kishte marrë esencën e tij dhe e pat sjellë me art në skenë. Kështu edhe në plot role të tjerë.
Teatri i asaj kohe, me numurin e pakët të premierave dhe gamën e kufizuar, nuk krijonte dot hapësira të mjaftueshme për një artist si Pandi Raidhi. Për fat të mirë, Kinostudioja filloi të rriste numurin e filmave dhe pasi shkëlqeu në “Horizontet e hapura” krahas Sandër Prosit dhe Nikolin Xhojës, Pandin filluan ta thërrisnin gjithnjë e më shpesh për role karakteresh në filma. Atëhere spikati edhe një cilësi e re e aktorit – “E donte kamera”. Jo të gjithë aktorët e mirë të teatrit e kanë të lindur këtë cilësi. Pandi e kishte. Përveç Viktor Gjikës, që  e kërkonte gjithmonë, filluan ta kërkonin edhe të tjerë. Rolet e tij në “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti” mbetën të paharrueshëm. Mbi të gjitha, Pandi shkëlqeu në një film të Dhimitër Anagnostit të quajtur “Monumenti”. jo shumë i njohur nga publiku i gjerë për shkak të metrazhit të shkurtër. I gjithë filmi ishte një interpretim mjeshtëror dhe shumë i ndryshëm nga role të tjera të tij.
Ka pasur diskutime, nëse Pandi Raidhi ishte aktor komik apo aktor i një profile të caktuar.
Unë pajtohem me mendimin, që ai ishte një aktor i lindur, dhe që mund të luante çdo lloj roli edhe pse pak ishte i provuar në role negative. Si aktorët e tjerë të brezit të tij, e kishte mësuar mjeshtërinë edhe duke ndjekur me vëmendje interpretimet në filmat e Hollivudit apo ato europiane, të më të mëdhenjve si Klark Gejbëll, Zhan Gabën, Geri Kuper e të tjerë. Mbi të gjithë veçonte Spenser Trejsin. Mund të luante nëse do kishte mundësitë edhe si ai. Stereotipizmi i disa aktorëve të asaj kohe vinte edhe nga kufizimi i pjesëve. Për një kohë të gjatë, aktorët ishin të detyruar të luanin vetëm pjesë shqiptare dhe si rrjedhojë aftësitë e tyre futeshin brenda “kanonesh” të caktuar.
Për Pandin njeri mund të shkruash e shkruash gjatë. Qindra njerëz që e njihnin dhe shoqëroheshin me të në rrugë, kafene, apo kur ngjitej Moravës mund të tregojnë episode nga më interesantet. Ndoshta qytetit i duhet të bëjë më pak se kaq.
Vetëm të shkruajë “Pandi Raidhi” në ballin e Teatrit të Korçës.

No comments:

Post a Comment