Wednesday, 19 July 2017

Drithë në Drogas


Ngjan me një “déjà vu” të tipit ballkanas. Përsëritjet janë ose të përmbysura ose të pakuptimta.
Fshatrat me emrin Drithas në Shqipëri janë një dukuri e pasluftës së Dytë Botërore. Ishin ose fshatra me emra sllavë, ose të krijuara mbi kënetat e tharra dhe komunistët ose për nacionalizëm të rremë, ose për të theksuar domosdoshmërinë e “sigurimit të bukës në vend”, i quanin Drithas.
Pasi kishin shkatërruar blegtorinë, degën bazë të ekonomisë shqiptare të disa shekujve, ata eksperimentuan me sipërfaqe kolosale në grurë, pambuk, misër dhe më vonë me prishjen e kullotave dhe shpyllëzimin e kodrave nën parrullën “T’ju ngjitemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat” mbollën pafund patate.
Rrjedhojat ishin : Një sihariq i madh më 1976 “Shqipëria për herë të parë e siguron gjithë bukën në vend.”, dhe tallona për gjalpë, mish, vezë dhe djathë. Deri në falimentim.
Sa më tepër duam të largohemi dhe ta harrojmë atë kohë, aq më shumë qeveritarët tanë na e sjellin pranë me amatorizmin në qeverisje, mungesën e përgjegjësisë dhe përfshirjen në krim.
Nuk ka asnjë strategji afatfjatë  se cilat duhet  të jenë shtyllat e ekonomisë shqiptare.
Megjithëse flitet shpesh për ushqime pa vlerë, ose të dëmshme, që po vrasin ngadalë popullsinë shqiptare, nuk duket asnjë masë qeverisëse në ndihmë të bujqësisë dhe blegtorisë.
Sidomos kjo e fundit, që mund të siguronte edhe eksporte të mira të prodhimeve organike, duket se është lënë në mëshirë të fatit sikundër gjatë viteve të Diktaturës.
Mbi të gjitha, fshatarët janë “inkurajuar” të mbjellin kanabis në fusha, kodra dhe male, sepse kjo bimë është “rentabël” për ta dhe më shumë akoma për kriminelët e nëndheut dhe të mbidheut.
Për ç’reforma në katër vitet, që shkuan, bëjnë fjalë mbështetësit e Ramës?
Reformën e kthimit të bujqësisë në “mbjellje bimësh mjekësore”?
Nëse absurditeti i drithrave të Enver Hoxhës, që donte të ishte I patundur në fronin e tij të sundimtarit është një marrëzi mizore, absurditeti I kultivimit të kanabisit me bekimin e politikës për të mbajtur Rama fronin e kryeministrit, është një poshtërsi tragjikisht kriminale. Më mirë do zgjidhnim drithin dhe barin, se sa kanabisin çudibërës dhe vrasës.
Më mirë fshati i quajtur Drithas se sa të quhet Drogas.
Politikanët kanë premtuar se problemi i drogës zgjidhet për 100 ditë.
Rama po i bie gjoksit se me Xhafajn në krye të Ministrisë të Brendëshme do e shkatërrojë shumë shpejt.
Po a mund të bëhen kaq shpejt ndryshimet në “ekonomi”?
Prej kohës së parave të drogës, që hynin në Shqipëri e më vonë me Lazaratin e tashmë me sipërfaqet e mëdha të mbjella, droga dhe të ardhurat e saj janë bërë  “shtyllë‘ e ekonomisë shqiptare.
Nuk përbën më lajm nëse kapet drogë në Drithas.
Nëse do gjendet në të ardhmen drithë në Drogas, kjo po që do jetë lajm.


No comments:

Post a Comment