Tuesday, 11 February 2014
Të mirët ikin të parët!
Këtë gjë mendova të parën mes mpirjes, kur Riku më tha “Xhela iku.” Nuk shtova më "Përse më i miri ndër shokët e brezit tonë iku i pari?" sepse e di që kjo pyetje nuk mund të gjejë përgjigje. Eshtë ndoshta mallkimi mbi Njerëzimin. Të kulluarit nuk rrinë dot deri në fund!
Shumë pak nga të pranimisht në vajtimin për Gjergji Vreton e dinë që e thërrisnim Xhela. Në Tiranë me siguri e njohin si doktor Gjergji apo doktor Vreto. Ose ndoshta i palodhuri doktor Gjergji. Për mua e shokët e fëmijërisë ai mbeti i dashuri Xhela, i pastër, i sinqertë, i sakrificës, i paqes. Nuk e kujtoj të jetë grindur kurrë me kënd. Dhe bëhet fjalë për të paktën 20 vite, kur takoheshim thuajse çdo ditë. Që kur ishim 4 vjeçarë. Ai kishte lindur në nëntor 1958, 3 muaj para meje dhe ishte një klasë më lart. Ndër të parët në mësime, ndër më të dalluarit në sporte, Gjergji ishte shoku që e dëshëronte çdokush. I dashur dhe i afërt, serioz dhe i përgjegjshëm, ai nuk i theshte kurrë jo njeriu. E thelloi këtë cilësi njerëzore jo shumë të përhapur sot, më vonë, kur përfundoi studimet dhe filloi punën si mjek në Tiranë. E takoja rrallë, por e dija që bëhej copë për të gjithë, të njohur e të panjohur, ashtu si bëhen vetëm mjekët e vërtetë, ata që janë njerëz e shkuar njerëzve. Familja, shokët , pacientët ishin të parët për të cilët sakrifikonte dhe i fundit për të cilin kujdesej ishte ai vetë. Nuk dinte të thoshte JO doktor Gjergji! Edhe pse për të do i duhej të punonte gjatë, të kufizonte gjumin e të shtonte të pirën e atij duhani të mallkuar. Ishte aq shpirtbardhë Xhela ynë!
Tani po prehet si rrallë bënte. Ndoshta duke dashur të ndihmoj sërish gjithë të mbeturit pas, fëmijët dhe gruan e tij të dashur, nënën e tij të dhembshur e vëllanë me të cilin ishin thuajse binjakë, shokët e miqtë.
Eshtë nisur i qetë e i bardhë drejt pafundësisë, sepse veç të mira ka bërë në këtë jetë. E ne rrimë të përlotur duke puthur Mirësinë, që la pas dhe duke thënë të dëshpëruar "Më të mirët ikin të parët!"
Do jesh me ne deri në fund i dashur Xhela! Na u bëftë shpirti jot dritë për të parë më mirë!
Lamtumirë!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment