Sunday, 23 February 2014

DIKTATURA E TREGUT

Ndoshta shprehja e mësipërme është përdorur edhe më parë në Mediat e huaja, ose edhe këto ditë me ngjarjet e fundit në Itali dhe Ukrainë. Nuk kam arritur të ndjek me shumë vëmendje se ç’kanë thënë analistët, të pavarur ose jo, megjithatë në rastin e Italisë, reagimi edhe i gazetarëve të thjeshtë, e bën të qartë, që të gjithë e kuptojnë, që emërimi i Rencit deri në vitin 2018 është tërësisht antidemokratik. Ngjarjet e Ukrainës janë në dukje krejt të ndryshme dhe informacionin nga të pavarurit e kam shumë më të pakët, por edhe atje, gjatë dy vjetëve të fundit është ndjerë hapur loja e “krahut të fortë“ ndërmjet korporatave të ligjshme të Perëndimit dhe atyre “gjysëm mafioze” të Putinit. Ata që po e provojnë në kurriz këtë luftë janë ukrainasit e shkretë, të verbuar nga varfëria dhe propaganda e të dy krahëve(bandave) me hajdutë.
Në Itali, nëse qeveria Renci do arrijë të ketë jetë të gjatë, do të thotë që elektorati të lihet mënjanë për një vit shtesë dhe po të llogarisim edhe kohën e qeverisë Monti plot për dy vjet.
Po ç’punë prish po të jetë për të mirën e Italisë?- mund të pyesë cilido me të drejtë. Vërtet, ç’të keqe ka po qe se Italianët nuk marrin pjesë në qeverisjen e vendit për dy vjet? Thua thjesht për këto dy vite “të veckël” duhet të themi se në Itali është instaluar Diktatura e Tregut (ose e tregjeve)?
Tregjet që përmenden shpesh nga politikanët si treguesit kryesorë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të vendit, nuk janë gjë tjetër veçse ‘bastet” që të fuqishmit venë mbi ardhmërinë politike dhe ekonomike të vendeve apo kompanive. “Bastaxhinjtë“, që janë korporata, fondacione, individë, shtete, duan që sistemi i vendosur sot (rregullat e lojës) të jetë sa më stabël. Prej ndryshimeve të mëdha gjeo-politike të fillimit të viteve ’80, sistemi globalist i korporatave, ka përcaktuar një lojë të caktuar të kalimit të parave dhe vlerave të tjera nga një dorë në tjetrën. Rregullat kanë favorizuar më të fuqishmit, kanë ndihmuar Kinën, e cila e ka luajtur me “kopillëk” brilant, dhe kanë krijuar një diferencë të madhe në shpërndarjen e të mirave, të cilën mediat në shërbim të të fuqishmëve, e quajnë “zgjerimi i hendekut” mes të pasurve dhe të varfërve. Ky system liberal “bastaxhinjsh” solli krizën e madhe që ka pushtuar botën prej 2007. Për të është shkruar shumë rreth flluskave financiare të kredive për prona të paluajtshme, për goditjen në bursa të shteteve të dobët borxhlinj si Greqia, Portugalia apo Irlanda etj. Korporatat dhe shokët e tyre të fuqishëm duan sistemi të ruhet, me disa korrigjime për sy e faqe, sa për të gënjyer sërish të varfrit dhe investitorët e vegjël, që humbasin kursimet e tyre në lojën e madhe të Bursave. Për ruajtjen e sistemit ju duhen politikanët dhe partitë e deritanishme, të cilave ju ka dalë boja në gjithë vendet Perëndimore. Më të dobëta janë këto Parti në vendet e Mesdheut, ku kanë lindur edhe Lëvizje shumë të fuqishme kundër politikës tradicionae në shërbim të të Fuqishmëve, si “5 yjet” e Bepe Grilos në Itali apo “Protestuesit” në Spanjë. (“Të pushtojmë Uoll Strit” në Amerikë është akoma e dobët.) Këto Lëvizje, pavarësisht nga ndonjë të metë që mund të kenë, tentojnë të sjellin Qeverisjen e njerëzve të zakonshëm në vendet e tyre. Një lloj Demokracie pjesëmarrse, e cila është më pranë parimeve bazë të demokracisë, Sondazhet tregojnë se mbështetja për Grilon në Itrali është 25%, që do të thotë, se janë një forcë që nuk mund të injorohet dhe mund të shkaktojë ndryshime dhe thyerje të rëndësishme të “makinës” së sotme të qeverisjes. Në rast se kjo ndodh në Itali, efekti domino do jetë i menjëhershëm. Ndaj u gjet kjo formulë e të ashtuquajturës “demokraci dypolëshe” që është thjesht ndrimi i alternuar i t
grupimeve politike, që sipas Comskit, përfaqësojnë grupe të ndryshme korporatash. Lëvizjen e Grilos nuk mund ta nxjerrin jashtë ligjit, si bëjnë me parti të tjera populiste, sepse në programet dhe veprimet e saj nuk ka asgjë në kundërshtim me rregullat e Demokracisë.
Atëhere le të fitojmë kohë! Një qeverisje e përbashkët mes të djathtës e të Majtës si në Gjermani (për hir të vendit gjasme) dhe Lëvizja e Grillos le të bëjë gam-gam në Parlament, sa të lodhen pjesëmarsit dhe mbështetësit e saj. Në fund të fundit edhe Grilloja është thuajse 65 vjet.
Tregjet reaguan shumë mirë!
Natyrisht, përderisa është në fuqi diktatura e tyre!

No comments:

Post a Comment