E shara e mësipërme nuk ka shumë lidhje me Ljubon. Eshtë për
mua jo shprehje dufi, por e solidaritetit të njerëzve të mirë e të sinqertë.
Në fundin e vitit famëkeq 1997, përfundova në një zyrë jo të
vogël projektimi në një qytet pranë Torontos. Fati e solli që në muajt e parë
të mbritjes në Kanada, pasi punova në një fabrikë që mbushte pije freskuese, të
merresha në punë nga arkitekti sllovak Lubomir, të cilit I mbeta gjatë
mirënjohës për mundësinë që më dha. Në zyrë, veç kanadezëve ishin edhe dy
polake, dy boshniakë, dhe një sllovak tjetër veç Presidentit Ljubo. Kishte
shumë për të punuar dhe për mua edhe shumë të mësoja. Emigrantët kishin të
gjithë një lloj ndienje të afërt me njëri tjetrin, se kishin thuajse të njëjtin
formim profesional dhe të karakterit. (Atë kohë mendova që Diktaturat e Majta
deformojnë shumë gjëra por jo cilësitë e mira të njerëzve.)
I pari që u afrua ishte serbi nga Mostari, Miodrag Saviç, i
cili pakëz i skuqur në një nga ditët e para më tha “Si je Naum?”. Qesha me
pyetjen me theks kosovar dhe e pyeta se nga e kishte mësuar. Në ushtri më tha.
E kishim një vit të detyruar shërbimin ushtarak dhe rrija me kosovarët. Të
gjithë në zyrë ishin të predispozuar të më ndihnin në fillim, por Mioja(si e
thërrisnin Miodragun) shquante. Ishte aq I drejtë, i gatshëm dhe i sinqertë, sa
të dukej se vinte nga një kohë tjetër edhe pse ishte disa vjet më I vogël se
unë. Të dy boshnjakët nuk I pyesja rreth Luftës se dukej që kishin kujtime
shumë të rënda. Bisedonim më shumë për kohët e mira të Jugosllavisë, kur edhe
unë kisha pasur rastin të shihja diçk nga jeta e atij populli në kanalet
televizive gjatë viteve ’70 dhe ’80. Jo vetëm Mioja, por të gjithë kroatët,
serbët, boshnjakët, maqedonasit që kam takuar në Kanada, i kujtojnë me mall ato
vite të Vëllazërimit të popujve të asaj pjese të Ballkanit edhe pse i njohin
kusuret e mëdha të sistemit të tyre komunisto-vetadministrues. Tek ata kam parë
cilësi njerëzore, që janë vërtet për tu admiruar dhe ndryshojnë nga vlerat e
kanadezëve apo edhe emigrantëve nga Azia apo Amerika Latine.
Një ditë, Mioja më pyeti pse punoja jashtë orarit kur nuk
paguheshim. I thashë, që ishte fillimi dhe doja të mësoja mirë programet dhe
njëkohësisht t’i tregohesha mirënjohës Ljubos që më kishte dhënë mundësinë të
punoja në profesion. “A ta çifsha Lubomir!” më tha dhe qeshi. Qesha dhe unë me
të madhe dhe e kuptova që e shara e rrallë e Mios(ai nuk shante as anglisht),
kishte të bënte me natyrën thuajse kanadeze të bosit tonë sllovak. Ishte e
shara e njeriut që nuk gënjen, kur ndjen se të tjerët nuk e kanë për gjë mos e
mbajnë fjalën. Prej asaj dite, ndonjëherë kur ishim shumë të ngarkuar dhe
Presidenti nuk ishte nëpër këmbë, dëgjoja nga fundi i sallës Mion që thërriste;
-Nauuuummmm…
-Yes Miooooo…..
-A ta çifsha Lubomir!
No comments:
Post a Comment