Sunday, 9 February 2014

Demokratët (4)

(vijim)

Në vjeshtë u duk se njerëzit nuk po e duronin dot bashkëpunim e korruptuar me punistët e kthyer socialistë dhe vonë në nëntor u bë Mbledhja e famshme e Qeverisë ku Berisha vendosi prishjen e paktit me ish-komunistët. Me sa më kujtohet mungonte Pashkoja, por ministrat e tjerë, me përjashtim të Rulit, treguan që nuk donin të shkuleshin nga karriget, që kishin nisur t'i shijonin. Pas prishjes, u bë "Lëvizja" e fëlliqur e Neritan Cekës në zyrën e Ramizit dhe Berisha dukej i izoluar nga të tjerët PD-ista me rëndësi. Kishte atë që i duhej, mbështetjen e shumicës të njerëzve anti-komunistë.

Të nesërmen e skenës të Cekës dhe largimit të Berishës nga zyra e Ramizit, bëra diçka që nuk e kam bërë ndonjëherë. Duke diskutuar me zjarr në punë rreth asaj që ndodhi ndjeva se duhet t'ja bënim të njohur udhëheqësit të Opozitës që kishte shumë njerëz, që e mbështesnin. Duhet të ishte pasdite dhe dikush e gjeti lehtë numurin e telefonit të shtëpisë të mjekut. E mora dhe i kërkova të shoqes të flisja me Saliun në emër të disa njerëzve pa parti nga Korça. I thashë shkurt që e mbështesim plotësisht, pa përmendur emra, ndoshta veç institucionin ku punonim dhe nga ana tjetër u dëgjua një e thirrur patetike "Falemnerit shum! Falemnerit shum!" Nuk jam penduar që e kam bërë edhe pse nuk besoj se do i telefonoj ndonjëherë ndonjë politikan tjetër. Atë vit Berisha ishte heroi i kundërshtarëve të regjimit. Dukej shumë më i vendosur se të tjerët.

Në qytet Demokratikët nuk të entusiazmonin, se mes më protagonistëve, veç dy të përmëndurve në fillim të shkrimit, nuk dukej ndonjë i ri apo i vjetër të shkëlqente. Ata që ishin bërë deputetë, kishin marë një pamje gjysëm të fryrë të ngjashme me instruktorët e Komitetit Qëndror. Edhe në parlament, deputetët e korçarë dukeshin ndër më të dobtit. Kjo vlente për të dy krahët. Më kujtohen diskutimet ose ndërhyrjet e me një dialekt të rëndë dhe me pak përmbajtje të Stavri Frashërit, Gjergji Krastafillakut, Bahri Bregut e ndonjë tjetri. Korça që kishte patur deputet më 1923-24 Nolin dhe Sotir Pecin, tani përfaqësohej nga njerëz që në rastin më të mirë, kishin në arshivën e tyre më shumë shishe vodke të zbrazëta se sa libra të lexuar. Mbase s'kishin faj. Fabrika e vetme e alkolit në Shqipëri ishte ndërtuar në vitet '70 në Maliq.

Ditët e dimrit kaluan shumë shpejt dhe në mars dukej që fitorja e Opozitës ishte e pashmangshme. Jeta ishte e paralizuar dhe dëme të pallogaritshme ishin bërë zonave ekonomike të qyteteve e fshatrave. Dukej që komunistët po ndiqnin taktikën e "tokës së djegur". Po dukej se veç fjalëve në Parlament, ku binin në sy për mirë deputetët e Shkodrës Arbnori dhe Spahia, nuk kishte ndonjë përpjekje për të mbrojtur pronën e përbashkët as nga demokratikët. Mbase mungesa e përvojës, ndoshta besimi në "terapia shok" e proklamuar me të madhe nga Pashko,( e për të cilën më vonë kam lexuar se as nga pasuesit e Fridman nuk sugjerohej për vende si Shqipëria), ndoshta nga që 60% e deputetëve të opozitës ishin Bashkëpuntorë të konfirmuar të Sigurimit të Shtetit, kudo u vodh dhe u shpërdorua. Si gjithmonë nga Tirana kisht edalë edhe një fjalë e re, që përdorej vend e pa vend nga të gjithë. Ishte "eksodi". Për popullin ateist shqiptar, fjala e posadalë, ishte simbol i shkatërrimit më shumë se sa i ikjes. Shkoja fshatrave për të verifikuar gjendjen e ndërtesave shkollore, të cilat mes shumë mungesave, atë dimër kishin probleme të mëdha të xhamave të thyer dhe kur pyesja pushtetarët e djathtë apo të majtë, si kishte mundësi që ishin dëmtuar aq shumë, të gjithë përgjigjeshin njëlloj: "I bëri eksodi!" Më hipnin xhindet  dhe ju thërrisja se ç'kishte të bënte ikja në masë e njerëzve në Greqi apo Itali me prishjen e shkollave, por pak dëgjonin nga ai vesh. "Eksodi" i kishte shurrdhuar të tërë.

Pjesë e "eksodit" u bënë edhe shumë nga nismëtarët e Demokratikes. Midis tyre edhe Pirro Thomoja ishte vendosur në Selanik dhe më pak mund të mësoja rreth Leka Meksit dhe të tjerëve të njohur të tij në nivelet e larta të PD. Në Tiranë nuk shkoja, por kishte ardhur Riku në Korçë dhe tani kisha se me kë mund të diskutoja rreth radikalizmit apo butësisë të opozitës që po vinte në pushtet. Atë natë të votimeve, pritëm gjatë në trotuar, jashtë selisë të PD-së për të mësuar rezultatet. Ishin shumë pak njerëz. Ndenjëm me Ilkë Rrëmbecin dhe të shoqen dhe bënim çudi që si nuk ishte gjysma e Korçës duke pritur. Militantët dhe të tjerë "shtabista" hynin e dilnin dhe sillnin informacione. Mësuam që edhe Stratobërdha kishte fituar në një zonë të vështirë dhe ikëm në shtëpi vërtet të lumtur. Ka qënë në netët më mbresëlënëse të jetës sime edhe pse nuk festova me njeri, por vetëm u përqafuam me Ilkë Rrëmbecin e gruan e tij. Të nesërmen i thashë Leksi Janit, që po festonte me të tjerë Demokratiksa, që nuk ka më rëndësi se kush fiton sot e tutje. Unë isha tashmë përgjithmonë fitues! Mbase tingëllonte patetike, sepse edhe një shok më tha më vonë që isha entusiazmuar më shumë se sa duhej dhe se nuk duheshin besuar shumë votëfituesit. Për mua vërtet nuk kishte rëndësi. E dija që shumica e tyre ishin "dallkaukë", por ajo që kishte fituar ishte largimi përfundimtar i pushtetit nga një grup i vogël njerëzish, të cilët mund të abuzonin me të si të donin. Nuk kisha frikë se zhgënjehesha se nuk prisja çudira shumë më të mëdha.

(vijon)

No comments:

Post a Comment