Friday, 14 February 2014

Demokratët (5)

(vijim) Qeveria Meksi përmbante shumë ministra të dyshimtë, që në aktin e parë formues. Mes tyre binte në sy i njohuri im i viteve të Universitetit, i cili shpejt u cilësua si simboli i korrupsionit në qeveri. Veç Rulit, nuk kishte në të Stabilitista. Berisha u zgjodh President dhe dukej që ishte njëkohësisht edhe kryeministër. U pa shpejt mënyra e tij e drejtimit ala-Sekretar i Parë , gjë që zhgënjeu shumë njerëz që besonin tek ndryshimi i përmbajtjes dhe mënyrës së drejtimit të Partisë opozitare e Qeverisjes së vendit. Stabilitistat e pakënaqur nga mosmarja e posteve dhe privilegjeve biznesore të shoqëruara me to, kërkuan me një "mocion" të bëheshin ndryshime brenda PD-së, në formë dhe stil. Edhe pse nuk i pëlqeja Stabilitistat e kthyer në Mocionista, mu duk bolshevike skena e goditjes të fraksionit të tyre në një Këshill të PD-së në verën e '92. Atë stinë u binda përfundimisht, që Demokratët nuk ishin aspak "njerëz të rinj" të ardhur nga gjiri i shoqërisë sonë, por i njëjti mall "radhiko", në mos më i dyshimti "fabrikës" shqiptare. E megjithatë, në krahun tjetër ishte "organizata kriminale" e 45 viteve, e cila ruante të njëjtën strukturë, kishte të njëjtit njerëz dhe përfaqësonte të njëjtat interesa. Para tyre, "njerëzit e rinj" dukeshin "ëngjej" me disa probleme të vogla karriere dhe korrupsioni. Po mendoja, të hysh në politikë duhet të kesh motive dhe nëse 'ideali" motivon shumë pak njerëz, pushteti dhe paraja janë motivues të klasit të parë ndaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ditën e fundit të korrikut, pata dalë për herë të parë jashtë shtetit dhe atë mbrëmje të bukur vere në Athinë, kur kisha mallkuar(të vetmen herë në jetë) me gjithë shpirt Dullën deri në brez të shtatë, nuk mund të isha i ashpër me Berishën e kompania bela. Në vjeshtë, Mocionistat me të cilët ishte bashkuar edhe "dorëheqësi i madh" Ceka dhe avokati shumëngjyrësh Ngjela, formuan Aleancën Demokratike. I ftuar nga një i njohuri jonë, në Mbledhjen e Parë shkoi edhe një shok i ngushtë imi. Erdhi i zhgënjyer nga ato që thuheshin dhe bëheshin. E ashtuquajtura Parti Elitare, ishte një grumbull me pseudointelektualë të pakënaqur nga ndarja e posteve në Qeverisjen e Parë Demokratike, të cilët duke qënë mediokër dhe karrieristë, gënjenin veten se mund të bënin me vete masat, sajë kapaciteteve dhe elokuencës së tyre. Vite më vonë pashë se si këta "zgalemë të zgjebosur" u hodhën nga prehri i Nanos tek ai i Metës për tu rikthyer përfundimisht në fund tek ai i Berishës. Veç dy emrave të parë ishin Imami, Zogaj, Uka, Trako, Demeti e ndonjë tjetër. Në shtator kishte ikur edhe Beni familisht me një bursë njëvjeçare në Harvard dhe nuk kishim më se ku të informoheshim për "të vërtetat" në krahun Demokrat. Ndërkohë kishin filluar të bëheshin ndërtime dhe kishte kërkesa për projekte. Punët më shkonin mbarë dhe gjithnjë e më shumë po ç'interesohesha për politikën, parlamentin apo qeveritarët qëndrorë apo lokalë. Bile këta të fundit silleshin mirë dhe nuk ishin imponues në problemet e arkitekturës dhe urbanistikës së qytetit. Korça mbeti i vetmi qytet ku nuk ndodhi në masë Epidemia e Kioskave. Bile deri në fundin e vitit 1994, nuk u lejua asnjë e tillë në territorin e Parkut Rinia apo Lulishtet rreth Stadiumit. Duke i parë dukuritë pas 20 vitesh, them që i takon meritë Pavllo Lapanxës, që dëgjoi specialistët dhe nuk ju nënshtrua presioneve të kryesisë të Partisë, që i kërkonin të bëhej si në Tiranë e në qytetet e tjera. Nuk jam në gjendje të gjykoj se ç'bëhej me Privatizimet dhe Kthimin e Pronave, por them që duhet të ketë qënë më e saktë se në qytetet apo rrethet e tjera. Po edhe Pavlloja e ndonjë tjetër më i ekuilibruar, morën shqelmin nga PD-ja, kur u godit Eduard Selami. Tashmë Berisha kishte mprehur shpatën ndaj çdo "kokëngritjeje" dhe në pushtet mund të rrije vetëm po t'i thoje atij peqe. Nuk prishte punë nëse kishe afera të dyshimta, bile kështu ishe më i preferuar, se presidenti mund të të bënte presion sa herë të përpiqeshe të dilje nga rrjeshti. Pas humbjes të referendumit në fundin e '94, Berisha kishte kuptuar se në pushtet mund të rrinte vetëm duke ushtruar dhunë mbi të tijët, duke nxitur korrupsionin dhe duke vjedhur votat. Ishin pikërisht këto çka bëri gjatë 1995-96. Ekonomikisht 1995 nuk dukej një vit i keq. Megjithatë investimet e huaja ishin të pakta dhe dukej që "motori" financiar i ekonomisë ishin paratë që dërgonin emigrantët për familjet e tyre dhe trafiqet e drogës, emigrantëve dhe prostitucionit. Njiheshin grupe të Beratit apo Fierit që kontrollonin përkatësisht tregjet e drogës në Zvicër e Itali, ata të Vlorës në Athinë dhe kalimin e Ontrantos, si dhe kotrabandistët e përjetshëm të Durrësit. Shitjen e vajzave shqiptare në Europë e mbulonin më tepër kriminelë të Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Qindra vajza të mitura që mashtroheshin me fejesa në Europë dhe përfundonin trotuareve për të bërë dhjetra herë seks në ditë përkundrejt një shume minimale që ju jepnin kodoshëte vluar. Më pas i shisnin në banda të tjera dhe me paratë e fituara e që nuk i shpërdoronin për drogë e kumar, ndërtonin vila ose restorante në Shqipëri. E keqja më e madhe nuk ishte tek ta por lidhjet e tyre me politikanët shqiptarë. Shpesh në raportet e shërbimeve të huaja figuronin emrat e Ministrave, bile edhe të Brendshëm, që ishin anëtarë të kupolës së bandave. Para të tilla të kollajshme, do sillnin në një vend pa përvojë kapitaliste, skemat Ponzi njëra pas tjetrës. Më të shumtat u krijuan në vendet me shumë para trafiqesh si Vlora dhe Fieri. Në Korçë edhe pse mund të kishte sasi parash të krijuara nga dërgesat e emigrantëve apo nga trafiku i vizave greke dhe drogës, degët e firmave Piramidale hynë vetëm më 1996. Nuk di se sa kishte të bënte kjo me krimin e organizuar dhe me pushtetarët e PD-së, por deri në mesin e '96, ata që kishin fituar shkonin dhe i vinin paratë në Vlorë e Tiranë. Tre bandat e njohura në qytet ishin të lidhura me politikën, por dukej që ishin "peshq të vegjël" në botën e krimit shqiptar. Ata të "5 dyqaneve" të afërt me Pd-në, kishin drejtuar energjitë në "luftën" me bandat e "çobenëve" dhe në ndonjë trafik të lehtë droge dhe prostitutash. Për fatin e mirë të qytetit, në mes banditëve kishte pak njerëz të zgjuar, që mund të krijonin rrjete, që nuk do shkuleshin dot kurrë nga qyteti. Sa për deputetët dhe të tjerë funksionarë lokalë, nuk ishte aspak turp të rrinin e të shtroheshin kafeneve të qytetit apo të Greqisë me llumin e banditëve. megjithatë, edhe këtyre të fundit ju mungonte kurajoja dhe dinakëria e nevojshme për rrjete kriminale të suksesshme. 10 vjet më vonë, bandat i kishin ngrënë kokën njëra tjetërës dhe vetëm disa kokrra mbetën të çimentuar financiarisht dhe të aftë për të vazhduar veprimtaritë bizneso-kriminale. (vijon)

No comments:

Post a Comment