Sunday, 16 February 2014

Dita e parë pa Ilirin


Po shoh nje foto te turbullt, për faj të kopimit tim të keq, është krejt ndryshe nga kujtimet e kthjellëta të atij viti e të tjerëve, kur ishim të rinj dhe pa asnjë hall në kurriz. Ishte viti i dytë që vinim të Shtatë në plazhin e Durrësit dhe shijonim çdo çast. Sepse ishim të rinj, të sinqertë e ndoshta edhe të mirë. 21 vjet më parë u largua Jani, më i miri nga ne të Shtatë. Një fatalitet absurd. Një tjetër rastësi anormale shkëputi nga jeta dje Lirin. Fjalëpakun e të mençurin, që nuk dinte të ankohej kurrë. Që nuk fliste keq për njeri. Që sakrifikonte pa u ndjerë për gruan e fëmijët dhe jo vetëm nuk mburrej për veten, por as për ta, dy fëmijët e tij të shkëlqyer.
Sot i hapa sytë përballë një "qiellgërvishtëse" prej betoni duke menduar që është dita e parë, që nuk e kemi mes nesh. Duke mos ditur kë të bëj me faj, ja hodha këtij qyteti të huaj, që jo vetëm po na mer vitet më të mira, por tani edhe shokun më të mirë.
Po i shkruaj këto fjalë, se dje, bashkë me Benin nuk dinim ç'ti theshim të shoqes e fëmijëve të tij. Ishte aq e papritur, aq absurde dhe aq e rëndë, sa rrinim të ulur mes njerëzve të afërt të tij dhe kishte çaste që nuk merrnim vesh pse ishim atje.
Jeta do vazhdojë për të gjithë. Vajza e tij do bëhet avokate dhe djali doktor. E ndoshta me kalimin e viteve do e kenë më të lehtë boshllëkun e paanë që ndjejnë sot. Vendin bosh të babajt që ngrihej më 4 të mëngjesit për të mos ju munguar gjë dhe që në një ditë të mallkuar shkurti nuk u kthye në shtëpi si çdo ditë. Roza e tij e dashur do luftojë si luftoi me sëmundjen, t'ja u plotësojë të gjitha sipas amanetit të tij. Dhe ditë të mira do ketë për ata njerëz të mirë. Më të dashurit e Lirit tonë të dashur! Lirit që iku kaq shpejt e ka lënë të psherrëtijmë ne, Pesë shokët e tij të atëhershëm.
Nuk na besohet ende! Eshtë vetëm dita e parë pa ty!

Prehu në paqe Liri!

No comments:

Post a Comment