Thursday, 13 February 2014

Për Thanasët e rinj e të vjetër


Pardje mësova se një shoku im që kishte një emër të bukur të huaj, tani është Thanas dhe mu qesh. Jo se kam ndonjë gjë kundër emrit Thanas. Naumaq nuk është ndonjë emër që tingëllon më mirë në shqip se Thanas, por sepse më duken shumë të çuditshme emrat e ndruar pas të 40-ve. Kam shkruar diku për një kolegun tim që nga Koço u bë Kris. Atë e justifikova me mostingëllimin bashkëkohor të ç-së(një mikja ime psh nuk pëlqen që dikush thotë “I nderçëm” në vend të “I ndershëm”), por përseri nuk kuptoja përse nuk shkoi me Kost por duhej Kris. Sidoqoftë, një lloj “mospërputhje” është shkaktuar nga ndalimi I pagëzimeve në kohën tonë. Nuk ishte i ndaluar me ligj, si ndodhi pas 1967, por shoku im që e kishte babanë antar partie dhe gjyshen dëshmore nuk mund të pagëzohej. Tani është pagëzuar dhe është Thanas dhe me përkëdheli mund ta thërrasim Naskë, si i thërrasin korçarët Thanasët.

Thirrja fetare është shpesh shumë e fortë dhe njeriu jep shpirtin, trupin dhe emrin për të. Dhe kjo dega jonë ortodokse ka ca si rregulla strikte, ndonëse motra ime quhet Edlira, është pagëzuar dhe të tillë e ka emrin edhe në çertifikatën e pagëzimit të vitit 1954. Duket që më shumë se thirrja fetare, është krahu injorantiI ortodoksisë greke ose autoriteteve greke, të cilët për të paisur shqiptarët me dokumentat “Vorio-Epirote” ju kërkojnë të interesuarve të kenë emra “të konfirmuar” ortodokse. Ndoshta edhe mua të njëjtën pengesë do më sillnin po të kërkoja, sepse Shën Naumi i njohur shumë për sllavët e shqiptarët, nuk gëzon njohje në Greqi dhe mbase nuk ka as grekë homonimë me mua.

Cështja e paisjes së shqiptarëve me dokumentat e Vorio-Epirit, ose si i quajnë në Korçë “kartat greke”, është një çështje në dukje delikate, por unë do e fusja në kategorinë “për të qarë e për të qeshur”. Rreth saj shprehen politikanë kodoshë të të dy vendeve, patriotë injorantë, njerëz të letrave që emocionohen lehtësisht, Kuksianë dhe Spartanë, e plot njerëz që nuk rrinë dot pa folur e shkruar. Sidomos shkruajnë të shqetësuarit për Identitetin e korçarëve edhe pse vetë mund të mos jenë të tillë. Njerëz të tillë nuk e vrasin shumë mendjen, të shohin situate analoge apo të përmbysura, sepse në ta vlon gjaku I ngjyrës së Flamurit. Tek grekët bardhebluja, tek ne kuqezia. Askush nuk merret me Thanasët, që të detyruar të shtrëngonin rripin në kohën e Luftës së Dytë, përfunduan në Korçë dhe u kthyen shqiptarë. Ama me Thanasët e sotëm, të cilët për të pasur lehtësira pune apo lëvizje në Europë, pranojnë të quhen Vorio-Epirotë edhe pse nuk besojnë që Korça ka ndonjë lidhje me Vorio-Epirin, patriotët e dy vendeve merren gjatë. Grekët i quajnë heronj të shtypur nga Diktatura e që detyroheshin të fshihnin kombësinë, ndërsa shqiptarët i quajnë tradhëtarë ose të shitur për 30 aspra. Po t’I lemë mënjanë patriotët miopë dhe të merremi pak me politikanët dallkaukë të të dy vendeve. (Të gjithë e dijnë tashmë ku e ka shpënë klasa politike greke Greqinë dhe ku ajo shqiptare Shqipërinë). Këta bastardë, që s’e kanë për gjë të vjedhin e të shkatërrojnë vendet e tyre, kur vjen puna në Identiteti Kombëtar nuk të falin! E ç’mund të ketë më të shenjtë në këtë botë se identiteti kombëtar?! Fundi paratë që ata vjedhin nga arkat e shtetit vijnë dhe ikin. Identiteti i Kombi tama mbetet!

Nuk dua të zgjatem më shumë se të flas rreth tyre mëshkakton një ngritje të tensionit të ulët në vlera shqetësuuese. (Shifrat nuk po I bëj publike për të mos alarmuar të afërmit.) Dua vetëm të përsëris, që e gjithë kjo farsë e nisur para 24 vjetësh, më bën të buzëqesh hidhur, jo ashtu si buzëqesha kur mësova se shoku im I fëmijërisë tani quhet Thanas. Eshtë e drejta e tij të bëjë si i vjen për shtat, kur nuk fut duart në xhepat e kujt tjetër. Bile edhe kolegu më parë i njohur si Koço e tani Kris, ka të drejtë jo vetëm të ndrojë ndrresat e shtrenjta që ble, por edhe emrin. Eshtë diçka që nuk i hyn në qese kujt, e aq më pak mua që nuk rri dot pa shkruar.

T’i gëzoni emrat e rinj Thanasër, Krisër, dhe Naumaqër!

No comments:

Post a Comment