Majda Hazarian u pa edhe njëherë në pasqyrë dhe mendoi
"një shami e verdhë e lidhur rreth qafës do shkonte shumë me xhinset dhe
xhakaventon e kuqe". Por udhëzimet
në ftesën për procesionin e buzëmbrëmjes ishin shumë të përcaktuara për
veshjen-vetëm të kuqe. “Do kishte
qënë mirë të isha pyetur edhe une për simbolikën e ngjyrave”- tha me vete dhe
nxitoi të dilte. Ora po afronte 16.15.
Ne sheshin para Bashkisë ishin mbledhur mbi pesëdhjetë
gra dhe vajza, të gjitha veshur në të kuqe. Dalloi Sara Kroin, veprimtaren e
vjetër të lëvizjes feministe, që bisedonte me aktoren Vilma Hasi dhe shkoi
drejt tyre.
“Dukesh shume piktore, shumë sportive, shumë seksi me
këtë veshje!”- filloi ligjëratën bibliotekarja në pension. ”Si tu duk idea e të
kuqes hë? Nuk është krejt e pakonsumuar, dhe luftarake njëkohësisht? Tamam si
tek Rembo…A- është e kuqja etj.etj… Mendo ç‘efekt do japë në këtë muzg,
kollona femërore që marshon ngadalë, po e vendosur, nën heshtjen plot revoltë
të flakës së qirinjve… Si thua Majda, nuk është e denjë për një kompozim të
tipit Delakrua?”
“Vërtet,” u hodh Vilma me zërin e saj plot ngjyrë,
”është një inskenim i përkryer. Kori i
heshtur i vajzave, që ndjehen të plagosura në shpirtin e tyre, më tepër se sa
në trup nga violentimi konstant, që i bën pjesa e egër e shoqërisë.”
“Unë do të thoja më tepër se protesta ndaj përdhunimit,
procesioni duhet të përcjellë mesazhin e fuqishëm të angazhimit të çdo individi
në luftën kundër shkeljes të të drejtave bazë, ku mund të futim edhe të drejtën
për të dashuruar dhe për të bërë seks me atë që do pavarësisht nga...”
Ndërkohë sheshi ishte mbushur me vajza dhe gra. Tre të
reja, te veshura me kostume te njëjta ju shpjegonin të porsardhurave ç’duhej të
bënin. Ato merrnin me rradhë qirinjte nga një shportë e madhe dhe pasi i ndiznin,
niseshin dy e nga dy përmes shëtitores drejt ndërtesës së kryeministrisë.
Kalimtarët e shumte që nxitonin për në shtepi pas mbylljes së ditës së fundit të
javes, ju hapnin rrugë dhe i ndiqnin disi të habitur me sy, pa ditur nëse duhej
t’i shoqeronin apo t’i linin të vetme në atë lloj marshimi solemn. E njëjta gjë
ndodhte edhe me ata që drejtonin makinat. Dukej se e kuqja e procesionit i
kishte paralizuar dhe ishin në mëdyshje nëse duhet të prisnin apo të kërkonin
rrugë të tjera për të kaluar. Ndërkaq, policët e trafikut kërkonin orientime
nga eprorët nëse duhet të ndalonin çdo lloj automjeti, apo duhet të drejtonin
vargun e grave tek trotuaret.
Nga dritarja e zyrës , Kryetari i Bashkise dhe Dan
Xhezi po ndiqnin vargun e gjatë që kishte nisur te largohej prej sheshit.
“Kryetar, kanë leje këto zuskat për të protestuar?”
“Nuk e di Dan, vetëm që s’më duket ogur i mirë.”
“Hajde se nesër në darkë ka për tu harruar. Nuk pyet më
njeri për brekët e kuqe të Sara Kroit. Putana vechia!
“Nuk është vetëm Sara!”
“Me qirinj le të dalin natë e ditë. Nuk është rrëzuar
ndonjë qeveri nga qirinjtë deri më sot.”
Tjetri heshti. E dinte që s’ja dilte dot me fjalë Nënkryetarit.
Kishte filluar ta urrente po aq sa ja kishte nevojën. Por më shume trembej
se mund ta kishte armik ndonjë ditë. Ishte i sigurt që tjetri s’do linte
gjë pa përdorur për ta shkatërruar.
“Ç’ke marrë vesh ndonje gjë për hetimet?”
Dan Xhezi i hodhi një vështrim hetues fytyrës të
dhjamur të Kryetarit. Nuk arriti të kuptonte nëse pyetja ishte krejt e paqëllimte
apo eprori dinte diçka.
“Hetimet për Gurazin?Vazhdojnë.”
Tjetri psherëtiu dhe treti sytë larg, në fund të shëtitores,
atje ku po arrinte kolona dyshe e grave me qirinj. Pas tyre, po në varg, ishin
vënë edhe shumë të rinj që mbanin në duar cigarendezësit. Mbrëmja po behej më e
plotë dhe hijet valëvitëse të figurave të kuqe ndereshin në fasadat e ndërtesave
të shëtitores,te cilat tashmë nuk dukeshin më të bardha, por si të hirnosura.
Te krijohej përshtypja se njolla në të kuqe të errët, që mbarte qindra flakëza
të vogla, po përhapej në të gjithë qendrën e Qytetit të Përbaltur, si për të
damkosur e më pas për të purifikuar gjithshka të papastër, që kishte mbetur e
mbuluar nen cipen e bojes te bardhe.
“Nuk është ogur i mirë...”- tha
më shumë me vete Kryetari i Bashkisë.
Tjetri hoqi ngadalë syzet dhe
nisi te pastronte qelqet e tyre. I hukati disa herë dhe pasi i kontrolloi mirë
i vuri perseri.
“Ne do rrimë në keto zyra të
pakten edhe gjashtë vjet të tjerë!”
Kryetari donte t’i thoshte se e
dinte, që ishte miop, por jo dhe në politike, veç heshti sërish dhe tha shkurt.
“ Do Zoti rrimë!”
Errësira nuk lejonte të dukej e
gjithë kollona, që tani kishte filluar te mblidhej si në një qerthull rreth
grupit të parë, që ishte ndalur para Kryeministrisë. Sara Kroi bashke me Hasin dhe
Majda Hazarian ishin ulur në gjunjë dhe kishin vendosur përdhe qirinjtë. Të njëjtën
gjë po benin me rradhë vajzat dhe djemtë përreth. Më pas njerezit e gjunjëzuar u lidhën duarsh duke formuar
dhjetra rrathë te çrregullt dhe ngritën sytë nga qielli.
“Lutemi në këtë mbrëmje, jo për
vete, jo për shpirtërat e plagosur të motrave tona, as për dhimbjen e nënave, që
ju kanë rrembyer dhunshëm vajzat, as për lotët që derdhin shoqet tona
trotuareve të Europës. Lutemi për shpirtërat mëkatarë të përdhunuesve, lutemi për
ndërgjegjet e njollosura të atyre që shesin vajzat tona matanë detit, lutemi për
zemrat barbare të vrasësve të së nesërmes, lutemi për mendjet violente të masakruesve
të Leon Gurazit. O qiej, kthejini në gjendjet e tyre normale! Mos i lini të
enden perjetësisht në llumin kafshëror ku kanë rënë!… Lutemi!” Ishte zëri paksa
i ngjirur i Sara i Kroit, që u pasua nga një kor zërash të hollë dhe të
dridhur. Më tej, pëshpëritjet u shuan nën peshen e rrokjeve të para të
shqiptuara ngadalë dhe qartë nga Vilma Hasi:
“…Po nëse dhuna dhe plumbi, helmi dhe thika,
S’kanë humbur ende tërheqësen ngjyrë
Mbi pëlhurën e hirnosur me tonën fytyrë,
Kjo se nga shpirti s’është larguar frika!
Veç dije, mes hijenash, mes panterash,
çakejsh.
Akrepash, nepërkash, krimbash, gjarpërinjsh,
Përbindshash që klithin, ulërijn’ ngjethmërisht,
Mbretëris’ famëkeqe të kafshëris’ brenda
nesh
Eshtë një më
tinzar me djallëzor nga të gjithë,
Që s’buçet as këlthet, as tund kthetrat në
erë,
Por plot dëshirë tokës mund t’i heqë çdo
vlere
Dhe globin në çast, menjëher’ ta gëlltisë.
Eshtë MERZITJA! Sy që lotojnë ngadal’, pa
nxitim,
Heshtur llullën thith i trekëmbshave
ëndërrues.
Këtë monstër të hajthme e njeh ti lexues,
Hipokriti lexues - Vëlla- shëmbëllyesi
im.
Vargun e fundit e
kishte recituar çuditërisht ngadalë, me syte gjysëmbyllur duke bërë që mbyllja
të dëgjohej si një ofshamë. Kishte ditë që provonte para pasqyrës përkthimin e
poezisë së Bodlerit, që i kishte dhënë Sara. I kishte pëlqyer fundi me ofshamë.
Duket po aq mbresa i kishte lënë edhe Majdas, dora e majtë e të cilës shtrëngonte
fort e me fort të djathtën e saj.
Përreth, vajzat e gjunjëzuara prisnin çdo ndodhte.
Dikujt, që i ishte shuar flakëza, mundohej e turpëruar ta ndiste menjëherë tek
shoqja , a thua se vetëm ashtu mund të përzhiste bishat që gëlonin poezisë dhe
shpirtrave.